belgjika

Theo Francken: Liberalizimi nuk është parajsa

Në fund të janarit të sivjetmë Kosova është ranguar vendi i pestë në botë për nga numri i azilkërkuesve.

Në intervistën për infoGlobin, Sekretari i Shtetit i Belgjikës, për Azil e Migrim, Theo Francken porositi qytetarët e Kosovës që të heqin dorë nga përpjekjet për migrimin ilegal, sepse Kosova është vend i sigurt e shtetasit e saj që ia mësyejnë Belgjikës dhe shteteve tjera perëndimore ilegalisht, nuk mund të cilësohen si refugjatë e as nuk do të marrin vizën e punës.

Intervistoi: Evliana BERANI / Info GLOBI

infoGlobi: Mesazhi është i qartë, të paktën nga ajo që thatë në konferencën për shtyp të mbajtur gjatë vizitës në Prishtinë. Azilkërkuesit nga Kosova do të kthehen duarbosh!

Po. Ata do të kthehen duarbosh. Kosova është vend i i sigurt dhe Belgjika nuk pranon migrantë nga vendet e sigurta.

infoGlobi: Statistikat e para tre vjetëve shpalojnë se numri i azilkërkuesve nga Kosova në Belgjikë ishte dukshëm më i madh se që është sot. Para tri vitesh pak diskutohej për migrimin ilegal e sot flasim për migrim masiv. Cfarë po ndodhë sot që për numër dukshëm më të vogël të migrantëve vëmendja është aqë e lartë?

Nuk do të thoja se vëmendja është më e madhe. Atëherë kishte krizë azilkërkuesish poashtu, por përkundër faktit se numri i tyre sot është më i vogël se ai i para tre vjetëve, ai është ende i lartë, sidomos nga vendet e Ballkanit. E nga Kosova poashtu.

Ju keni të drejt kërkesat për azil numerikisht janë më të vogla sivjet në krahasim m e numrin e atyre që kanë kërkuar azil vjet e parvjet. Por, po e përsëris, ku numër është ende i lartë. Ne nuk japim azil sepse nuk i njohim statusin e refugjatit kosovarëve. Prandaj shtrohet pyetja përse po vijnë ata ende?

Po shohim qartë se muajve të fundit numri është në rritje. Këtë po e shohim në Gjermani, Suedi, Austri, Hungari dhe në vendet e tjera. Belgjika është vend i vogël dhe ne kemi numër më të vogël të kosovarëve që po kërkojnë azil, sesa që po e zëmë ka Gjermania.

Sidoqoftë, kosovarët nuk janë refugjatë të vërtetë. Ata nuk përmbushin kriteret e konventave të Gjenevës për tu cilësuar si të tillë. Ata nuk janë refugjatë politik, janë refugjatë ekonomik. Ata po kërkojnë jetë më të mirë dhe po vijnë në Europë. Konventat e Gjenevës me refugjatë nënkuptojnë njerëzit që ikin nga vendet e tyre për shkak të luftërave dhe kanë nevoje për mbrojtjen e jetës së tyre fizike. Me falni, kosovarët nuk kanë nevojë për dicka të tillë. Në Kosovë nuk ka luftë.

Ne trajtojmë si refugjatë shtetasit e Irakut, Sirisë, Afganistanit, por jo njerëzit që vijnë në Belgjikë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia apo vendet e tjera ku nuk ka luftë. Nëse ne fillojmë tu japim ‘letrat’ refugjatëve ekonomikë, atëherë do të detyrohemi ti japim ato qytetarëve të dy të tretës së vendeve të botës. E edhe në atë rast, janë vendet si Afrika që qëndrojnë shumë më keq, e jo banorët e vendeve si Kosova apo shtetet e tjera të Ballkanit.

Është pra punë që s’bëhet kjo sepse nuk do të mund të mënaxhohej i gjithë fluksi i azilkërkuesve ekonomikë. Ne jemi shtet i vogël.

Pastaj njerëzit duhet ta dijnë se Shengeni ka kufinjë. Aty ku ka kufinjë ka rregulla. Rregullat duhet të respektohen.

infoGlobi: E kam të qartë se shtetet perëndimore nuk pajtohen me migrimin ilegal dhe kuptohet se do të ndërmirren masa për parandalimin e tij. Por jamë vërtetë kureshtare të dij se a merreni edhe me analizimin e shkaqeve që nxisin këtë migrim, apo vazhdoni ti trajtoni problemet vetëm nga konteksti i pasojave. Analiza e tillë ndoshta do të mundësonte që ju si Sekretar shteti për azil e migrim i Belgjikës, të influenconi politikbërësit në nivelin europian që të adresohet kjo cështje, të eliminoheshin ose të zbuten shkaqet që e shkaktojnë ate, në mënyrë që të parandalohej fenomeni i migrimit para se ai të ndodhë në përmasat që po ndodhë?

Kur dikush kërkon azil në shtetin tonë, ne kemi procedurat përkatëse që shkojnë përmes një mekanizmi tjetër , përmes Komesariatit të përgjithshëm për azilkërkues…. Ky trup është i pavarur dhe në mënyrë të pavarur trajton rastet që kanë të bëjnë me kërkesat për azil.

Pra nuk është qeveria ajo që vendos kush mund të hyjë në Belgjikë e kush jo. Është trupi i pavarur ai i cili bën verifikimin se kush ka nevojë për mbrojtjen ndërkombëtare e kush jo.

Së dyti . Ne e dijmë se situata ekonomike në Shqipëri e në Kosovë është e rëndë. E dijmë se në shumë shtete të Ballkanit njerëzit jetojnë me paga dukshëm më të ulëta se pagat mesatare të shteteve perëndimore. Pra ne e dijmë këtë.

Ne gjithëmonë kemi mbështetur Kosovën. Gjithëmonë ju kemi mbështetur dhe jemi ndër të parët që ju njohëm si shtet i pavarur. Në rafshin ndërkombëtar jemi reshtuar përkrah jush dhe kemi insistuar për një Kosovë ku sundon rendi e ligji, për një Kosovë demokratike.

E di se është vështirë. Por këto janë dy cështje të ndara. Është cështje tjetër situata e rëndë ekonomike në një vend, dhe është cështje tjetër të tolerosh migrim ilegal nga ky vend.

Ne gjithëmonë do të jemi në anën e Kosovës. Belgjika gjithëmonë ka punuar për Kosovën. Kemi punuar shumë me Brukselin që vendi të shndërrohet në vend paqësor, që i gjithë rajoni të jetë vend i paqes.

Ballkani ka qenë gjithëmonë vend i konflikteve dhe kjo është e vështurë për popujt e tij, sepse gjërat nmuk harrohen dhe nuk kalojnë për një apo dy ditë, një apo dy vite. Janë procese që kanë nevojë për kohë për shërimin e plagëve. Prandaj ne do të ju mbështesim për demokratizim. Ne punojmë në këtë drejtim në baza ditore.

Ne kemi investuar, pra Belgjika dhe bashkësia ndërkombëtare ka investuar dhe vazhdon të investojë në Kosovë. Por, ju sigurisht e dini se edhe ne, shtetet perëndimore kemi telashe, ka krizë ekonomike e financiare që nga viti 2008. Ka borxhe dhe ka shkurtime buxhetore.

Të jeshë aktiv ndërkombëtarisht është shumë e rëndësishme por për ne është po aq e rëndësishme që ti adresojmë edhe nevojat e shtetasve tonë. Në Belgjikë është rritur shkalla e papunësisë, bie fjala. Së këndejmi kemi nevojë të merremi edhe me hallet tona.

infoGlobi: Si shtet anëtarë i Bashkimit Europian, ju keni ndikim në politikat dhe vendimarrjen e Brukselit. Cili është qëndrimi i Belgjikës përkitazi me liberalizimin e regjimit të vizave për shtetasit e Kosovës?

Mbetet që Komisioni Europian të merret me negociatat. E nga ana e belgjikës me këtë cështje merret departamenti i politikave të jashtme. Unë nuk kam të bëj me këtë cështje prandaj më duhet të jem diplomatik.

Po e përsëris Belgjika do të jetë gjithëmonë në anën e Kosovës, por rritja e migrimit ilegal nuk është sinjal i mirë për shtetet anëtare të Bashkimit Europian. Nuk e besoj se është sinjal i mirë që 30 apo 40 mijë kosovarë të kalojnë kufirin ilegalisht për të kërkuar azil në shtetet e BE-së, e paralelisht me këtë qeveria juaj të kërkojë nga këto shtete regjimin e liberalizimit të regjimit të vizave. Nuk është ky mesazhi që ne presim të marrim nga Kosova. Kjo nuk është gjë e mirë.

infoGlobi: A besoni se liberalizimi i regjimit të vizave do të ndryshonte këtë situatë? A do të ulej migrimi ilegal poqese regjimi i vizave do të liberalizohej?

Jo. Liberalizimi eventual nuk do të reduktojë migrimin ilegal. Une e kuptoj se argumenti në Kosovë është i karakterit emocional dhe racional sepse Kosova ka ngelur prapa vendeve tjera sa i përketë liberalizimit të regjimit të vizave . E kuptoj reagimin e kosovarëve që mbetën të fundit në këtë proces. Kosova nuk është vend që duhet të lihet prapa.

Por migrimi ilegal nuk lejohet dhe nuk do të pranohet. Demokracitë perëndimore janë shumë të ndjeshme ndaj migrimeve ilegale. Nuk është shembull i mirë.

Të ua them të drejtën as rastet me liberalizimin e regjimit të vizave në shtetet e tjera të Bakllkanit nuk po rezultojnë si shembuj të mirë. E kemi parë se të dhënat statistikore se pas liberalizimit të regjimit të vizave të Shqipërisë, maqedonisë e Serbisë, kërkesa për azil ka shënuar rritje. Kjo është dëshpruese. Dmth. Një muaj apo disa vite pas liberalizimit të vizave konstatohet se nga këto vende po rritet numri i kërkesave për azil, në vend që të ndodhë e kundërta.

Pra kur më pyesni për efektet që mund ti ketë liberalizimi i regjimit të vizave në migrimin ilegal, kam frikë se efekti nuk do të jetë pozitiv. Të paktën numrat po flasin për të kundërtën.

Kam frikë se ndonjëherë pushtetarët dhe mediat këtu, po japin pasqyrë tjetër për liberalizimin e regjimit të vizave nga ai që është në të vërtetë. Liberalizimi i regjimit të vizave, po e zëmë ne rastin e Kosovës, nuk nënkupton se kosovarët do të kenë të drejtën dhe lirinë e plotë të qarkullimit apo udhëtimit. Liberalizimi nuk nënkupton se ata do të fitojnë të drejtën që të shkojnë në vendet e BE-së për të punuar. Kjo nuk është e vërtetë.

Liberalizimi i regjimit të vizave do tu mundësojë atyre të marrin një vizë tre mujore mbi objektivin e qartë, sic mund të jetë për udhëtim biznesi, për qëllime turistike apo vizitë familjare. Pra është vizë për tre muaj, periudhë kjo kohore pas të cilës duhet të ktheheni në vendin tuaj.

Kam përshtypjen se këtu ndonjëherë flitet për liberalizimin e regjimit të vizave sikur për një lidhëse, e cila kur të zgjidhet para jush shpalon parajsën. Jo nuk është kështu.

infoGlobi: Në fakt, gjatë konferencës suaj për shtyp unë isha kritike ndaj Bashkimit Europian pikërisht për këtë arësye. Nëse qeveria e Kosovës nuk është në gjendje të transmetojë drejt mesazhet për proceseset si liberalizimi, po edhe të tjerat, pyetja që pason është cfarë po bën atëherë Bashkimi Europian. Krahas mënyrës si po udhëheq ca politika BE –ja, zyrtarët e saj nuk po komunikojnë qartë me qytetarët, prandaj ka shumë keqkuptime dhe keqinformime për gjërat që janë me rëndësi jetike për jetën e njerëiut. Sidoqoftë, ti kthehemi intervistës. A keni bërë ndonjë vlerësim dhe a jeni në dijeni se sa është kostoja financiare që i kushtoi vendit tuaj migrimi ilegal?

Është e vështirë të kalkulohet kostoja e migrimit dhe kjo është një çështje e ndjeshme. Është ende tabu në Belgjikë. Ekzistojnë disa studime por ato janë realizuar nga partitë politike, dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm me to. Dua të them nuk kemi ndonjë studim apo analizë neutrale për këtë çështje. Kështu që më me dëshirë nuk do të flisja për koston, por natyrisht, migrimi ilegal e ka koston e tij.

infoGlobi: A ekziston rreziku që për shkak të sjelljes së vendeve tjera të Ballkanit, Kosova ta paguaj cmimin? A ekziston reziku që BE të ndryshojë qëndrim në raport me liberalizimin e vizave për shkak të pakënaqësisë përkitazi me rjedhat e tij në vendet e tjera dhe ta ndalë ate si proces?

Unë nuk e thash këtë.

Infoglobi: Por, unë po pyes. Pra, a ekziston një rrezik i tillë?

Në rregull jemi. Përgjigja ime është se unë nuk po e them që shtetet e tjera mund të ndryshojnë qëndrim. Unë mund të flas për Belgjikën, por edhe në rastin e Belgjikës është Ministri i Jashtëm ai që shkon në këto bisedime për liberalizimin e regjimit e vizave.

Unë kam opinionin tim përkitazi me këtë çështje natyrisht. Ate do të ia përcjelli qeverisë sime.

Por, kujtoj se do të ishte ironi e madhe, cinizëm po të ishte ky epilogu. Unë nuk e di cili do jetë epilogu. Do të isha më i kënaqur nëse e gjithë kjo çështja me liberalizimin e regjimit të vizave për shtetet e Ballkanit perëndimor të përmbyllet si storie e suksesshme.

infoGlobi: Sigurisht keni porosi për qytetarët e Kosovës, për pushtetarët por edhe për bashkësinë ndërkombëtare prezente këtu?

Kosovarëve u them: Ju lutem mos ejani në Belgjikë sepse nuk do tu japim azil. Ju nuk i përmbushni kushtet për të qenë migrantë ashtu si parashihet me Konventat e Gjenevës. Prandaj ne do të ju kthejmë prapa në Kosovë. Qeverinë e Kosovës do ta porosisja të vazhdojë procesin e paqës me Serbinë . Shpresoj se kjo qeveri do të ketë guxim që të ndërmarr masat që do ti sjellin qytetarëve të Kosovës më shumë perspektivë dhe më shumë mirëqenje.

Sa i përketë bashkësisë ndërkombëtare e porosis të punoj për sundimin e rendit dhe të ligjit, për demokracinë, pra për një demokraci të re, në mënyrë që Kosova të jetë një storje e suksesshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.