Thaçi kërkon nga Kurti të lirojë zyrën “e uzurpuar”, qytetarët e quajnë hajn

Në konferencën për media Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar nga Albin Kurti të lirojë zyrën, si tha ai “të uzurpuar” të kryeministrit për të sapozgjedhurin kryeministër, Avdullah Hoti. Derisa ai po bënte këtë kërkesë dikush nga qytetarë aty pranë e quajti Thaçin hajn.

Truprojat e Thaçit kanë ndërhyrë dhunshëm ndaj personit që besohet se e quajti hajn Presidentin.

VIDEO

“Nga Kurti kërkohet pranim-dorëzim sa më i lehtë i detyrës te Qeveria Hoti. Kërkohet të heqë dorë nga barrikadimi në zyrën e uzurpuar. Barrikadimi i tij nuk i bën nder as atij, as partisë së tij, as shtetit të Kosovës e as demokracisë. Pas shkarkimit ai po bëhet edhe më qesharak. Kërkoj të punojmë të gjithë bashkë për të ardhmen evropiane, partneritetin me SHBA-në, për zhvillim ekonomik, rritje të mirëqenies sociale e një të mirë të gjithmbarshme në vend”, ka thënë ai.

Ndërkaq kur u pyet a i bëri presion deputetit Haxhi Shala që të ndryshojë mendjen dhe të votojë Qeverinë Hoti, Thaçi theksoi se ai është president dhe e ka obligim të takohet me të gjithë bartësit e institucioneve.

“Me të gjithë përfaqësuesit legjitimë dhe çdo deputet ka legjitimitetin e vet dhe nuk refuzoj së diskutuari për çështjet madhore me ata që pajtohen, por edhe ata që s’pajtohen. Në eksperiencën time, jo rrallë jap rekomandime e këshilla secilit që kërkon se çka i bën mirë vendit e zhvillimit. Jo vetëm deputeti në fjalë, por kushdo që do të kërkonte këshillë nga unë do ta këshilloja të votojë për demokracinë e zhvillimin ekonomik”, ka shtuar Thaçi.

Thaçi përsëri e ka quajtur Vetëvendosjen organizatë kriminale.

Sipas tij është jetike që “ndërmarrja kriminale e Kurtit, përmes përfaqësuesve legjitimë mori përgjigjen e duhur, adekuate, të drejtpërdrejtë e natyrisht për të shkuar në shtëpi”.

Sot gjatë ditës, disa qytetarë protestuan vazhdimisht në kohën kur në Kuvend u votua pro Qeverisë Hoti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.