Thaçi ia kërkon Vetëvendosjes emrin e mandatarit

Thaçi përcaktohet për formimin e qeverisë së re, ia kërkon Vetëvendosjes mandatarin

Pas takimeve që ka pasur me liderët e partive politike në vend, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë vendim për formimin e një qeverie të re, pa shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme..

Për ta bërë këtë, sot gjatë ditës ai ia ka nisur dy letra shefit të Qeverisë në detyrë e kreut të LVV-së, Albin Kurti.

Thaçi ka kërkuar nga Kurti që të propozojë një kandidat të ri që mund të mandatohet për kryeministër në Kuvend të Kosovës, derisa, tutje, e njofton kreun e LVV-së se do të veprojë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës për formimin e qeverisë.

Në letrën tjetër, ndërkaq, Thaçi e ka falënderuar Kurtin për letrat që i ka nisur dje, duke thënë se ishte kënaqësi që janë takuar dje.

“Me shumë kënaqësi do të takohem me ju për të folur për hapat e mëtejmë sipas Kushtetutës, pas mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë. Po ashtu, konsideroj se zotimi juaj se do t’i ndërmerrni këta hapa është shenjë pozitive për Kosovën. Shpresoj shumë se gjatë ditëve në vijim do t’i qëndroni besnik këtij zotimi. Si kurrë më parë, Kosova ka nevojë për një president që respekton Kushtetutën deri në çdo pikë e presje të saj”,i kishte shkruar dje në letrën e tij Kurti, letër kjo qëi ishte drejtuar presidentit Thaçi.

Kurti, siç dihet, e ka kundërshtuar idenë që të krijohet qeveria pa u mbajtur zgjedhjet.

Ai është shprehur në favor të mbajtjes së zgjedhjeve të reja pas përfundimit të pandemisë së koronavirusit.

Presidenti Thaçi, ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryetarin e AKR-së dhe ka pritur në takime të ndara përfaqësuesit e Listës Serbe, Kryetarin e Nismës Socialdemokrate, përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë dhe kryetarin e AAK-së.

“Presidenti Thaçi është shprehur se Kosova gjendet në një situatë, e cila në njërën anë karakterizohet me rrezikun e shtuar nga pandemia e virusit COVID-19 dhe në anën tjetër me votën e mosbesimit për Qeverinë Kurti të datës 25 mars 2020. Në këto rrethana është qenësore që të konsultohemi dhe të veprojmë me përgjegjësi para qytetarëve”, ka thënë presidenti Thaçi, njofton presidenca.

Haradinaj ka thënë se AAK-ja është kundër zgjedhjeve të parakohshme në këtë kohë. Sipas tij, më mirë është të ketë qeveri të votuar në Parlament sesa të vazhdohet me një qeveri të shkarkuar.

“Sapo përfunduam një takim me presidentin Thaçi. Diskutuam dy tema, pra çështjen me pandeminë dhe momentin politik pas mocionit. Për AAK-në më sigurt për Kosovën është me pas një qeveri të votuar në parlament së shpejti, sesa me vazhdu me një qeveri të shkarkuar në parlament. Shpalljen e zgjedhjeve e shohim të pamundshme në këtë kohë. Sado shpejt që ndodh zgjedhja e qeverisë së re është më mirë. Aleanca nuk qet, kushte pra nuk kemi kushte për të ndihmuar vendin”, tha Haradinaj,.

“Të gjithë ata që do e krijojnë qeverinë e ata që do e përkrahin por nuk është koha për kushte e për pushtet. Fatkeqësisht taksa i takon të kaluarës pra taksa është hequr, kthimi i taksës është i vështirë, pra duhet me pas një shumicë për taksën e tash besoj që është një e tillë. Ne jemi për reciprocitet por nuk e di se çfarë ka ndërmarrë Kurti me atë vendim”, tha tutje Haradinaj.

Nga Grupi Parlamentar “6 Plus”, Albert Kinolli, tha se nuk janë të pajtimit që të shkohet në zgjedhje në këtë kohë pandemie.

Limaj pas takimit, në një prononcim para mediave, tha se nga presidenti Thaçi ka kërkuar shmangien e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“Presidenti e dëgjoi mendimin tonë se si duhet të ecim e cili është qëndrimi i Nismës në këtë situatë. Mbi të gjitha duhet të respektohet çdo procedurë e Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Ne kërkuam nga presidenti që pikë për pikë të respektojë Kushtetutën e Kosovës dhe hapat që duhet ndjekur për situatën në të cilën jemi”, tha Limaj, raporton KOHA.

Sipas tij, “Në këtë situatë Nisma beson që Presidenti duhet kujdesshëm të shikojë mundësinë që të shmang zgjedhjet e parakohshme”.

“Duhet të kemi parasysh që të ruajmë kompetencën e secilit institucion veç e veç. Presidenti dhe Qeveria duhet ta kuptojnë që Parlamenti është institucioni më i lartë. Askush e për asgjë nuk mund të uzurpojë kompetencat e parlamentit të Kosovës. Në asnjë rast deri më tani për sa është Kosova Republikë e pavarur asnjëherë presidenti nuk e ka shpërndarë Kuvendin por e ka shpërndarë shumica e deputetëve të Kuvendit, vullneti i deputetëve. Presidenti nuk ka hapësirë me shpërnda Kuvendin e Kosovës pa pas vullnetin e partive politike”, tha tutje Limaj.

Limaj, gjithashtu tha se “Është rrezik me i dhënë presidentit kompetencë me shpërnda Kuvendin”.

“Ne jemi republikë parlamentare e jo presidenciale. Nisma është e gatshme për të dhënë kontributin në shmangien e zgjedhjeve dhe funksionimin e një qeverie por ne i kemi kushtet tona që kur te vije puna te formimi i qeverisë do ti shpalosim”, tha Limaj.

Dje ndërkaq LDK ishte deklraur kundërzgjedhjeve.

Më 25 mars, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar pro mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, që është iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës – parti në koalicionin qeverisës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.