Ballina / KOSOVA / Thaçi dhe Vuçiq takohet të dielën në Bruksel
Thaçi dhe Vuciq

Thaçi dhe Vuçiq takohet të dielën në Bruksel

Presidenti i Kosovës dhe ai i Serbisë, Thaçi dhe Vuçiq, takohen një ditë para takimit të ministrave të jashtëm të shteteve anëtare të BE, në Luksemburg. Këto vende presin vendime pozitive për të ardhmen e tyre.

Kosova dhe Serbia vazhdojnë dialogun në nivel të lartë politik këtë të diel, me 24 qershor në Bruksel. Takimi është konfirmuar nga zyra e përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Federika Mogherini. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, takohen vetëm një ditë para takimit të Luksemburg, të ministrave të jashtëm të BE-së, kur pritet të miratojnë konkluzionet edhe për zgjerimin dhe procesin e stabilizim-asociimit.

Takimi i dy presidentëve në Bruksel, në fokus do të ketë diskutimin mbi marrëveshjet e arritura deri tani, zbatimin e tyre dhe hapat e mëtejmë drejt përmirësimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Thaçi: Koha për marrëveshje finale me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha në një konferencë për medie se ka ardhur koha që të arrihet një marrëveshje finale me Serbinë. “Qëllimi ynë në këtë fazë përfundimtare është arritja e një marrëveshje finale të detyrueshme ligjore për të dyja palët – Kosovën dhe Serbinë. Jam i bindur se ka ardhur koha që pas bisedimeve që në një mënyrë apo tjetrën, të nënshkruhet një marrëveshje historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nëpërmjet së cilës do të përfundonte raporti i dhimbshëm mbi 100-vjeçar ndërmjet dy vendeve. Kosova nuk duhet t’i frikësohet dialogut, e as epilogut të tij”, tha presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi kaherë ka bërë thirrje që Kosova ta krijojë grupin e unitetit për fazën finale të dialogut me Serbinë, ku do të përfshiheshin edhe përfaqësuesit e opozitës dhe shoqërisë civile. Grupi i unitetit do të udhëhiqej nga vet Thaçi. Këtë thirrje e bëri edhe sot, duke thënë se formimi i ekipit gjithëpërfshirës nga Kosova, do ta bënte procesin “më kredibël dhe transparent”.

“Jam i gatshëm të marr parasysh të gjithë propozimet që do të bëhen gjatë takimeve. Jam i sigurt se Kosova do të përfaqësohet në mënyrë të denjë dhe do të dalë me sukses nga ky proces. Dhe do të përfitojmë perspektivën evropiane. Ky proces nuk do të prodhojë humbës, ky proces do të jetë transparent. Thirrja ime që në delegacionin e Kosovës të përfshihen të gjithë akterët është thirrje institucionale. Nëse kjo do të ndodhë mbetet të shihet. Po ashtu edhe marrëveshja përfundimtare do të kalojë përmes institucioneve të vendit, në Kuvend. Deputetët janë ata që do të vendosin po ose jo”, tha presidenti Thaçi.

Opozita kundër idesë së Thaçit

Partitë politike opozitare e kundërshtojnë idenë e një grupi uniteti për bisedimet finale me Serbinë, ndërkaq e kundërshtojnë edhe idenë që presidenti Thaçi të jetë udhëheqës i këtij grupi. Duke ju përgjigjur kundërshtimit të opozitës, presidenti tha se “bisedat finale me Serbinë janë interes kombëtar”. “Nevoja për arritjen e kësaj marrëveshjeje i tejkalon mandatet tona politike të përkohshme. Shkon edhe përtej raporteve aktuale midis partive qeverisëse apo opozitare, duke i bërë të papërfillshme lidhjet afatshkurtëra në mes të politikanëve dhe partive në Kosovë. Mendoj se një gjë e tillë do ta bëjë këtë proces më transparent, shumë më të besueshëm dhe përfundimisht më të pranueshëm dhe të zbatueshëm në rast të arritjes së marrëveshjes përfundimtare”, tha Thaçi.

Kosova dhe Serbia, nënshkruan në vitin 2013 një marrëveshje për normalizimin e raporteve. Që nga ajo kohë, janë nënshkruar mbi 30 marrëveshje për lehtësimin e jetës së qytetarëve, por disa nga to nuk janë zbatuar. Ndërsa marrëveshja gjithëpërfshirëse është e domosdoshme pr integrimin e Kosovës dhe Serbisë në BE.

@Fluidi

Provo po ashtu

isa mustafa

Ambasadorët i këkojnë Mustafës rol më aktiv në dialog me Serbinë

Kreu i LDK’së, Isa Mustafa, ka pritur sot në shtëpinë e tij ambasadorin e Francës …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.