Thaçi demanton Jahjagën

Zëvendës Kryeministri i parë i Kosovës, Hashim Thaçi e ka përgënjeshtëruar të parën e shtetit Atifete Jahjaga lidhur me pohimet e përmbajtjes së takimit të së premtes mbrëma të mbajtur mes saj, Kryeministrit Isa Mustafa dhe ZVK Thaçit.

Fjala është për komunikatën e lëshuar nga zyra e Presidentës e sipas të cilës , në takimin e treshes “është diskutuar rreth hapave për votimin e amendamenteve kushtetueses për Gjykatën Speciale” për seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.

Presidentja Jahjaga, sipas komunikatës së Presidencës ka theksuar “rëndësinë e përmbushjes së obligimeve ndërkombëtare që ka marrë shteti i Kosovës përmes votimit në Kuvendin e Kosovës”. Sipas të njejtës komunikatë “Kryeministri Mustafa dhe zëvendëskryeministri Thaçi theksuan pritjet e tyre për votimin e amendamenteve dhe procedimit të ligjit i cili rregullon çështjen e Gjykatës Speciale”!

Pak pas kësaj komunikate, nga kabineti i ZVK-së, Hashim Thaçi mediave u distribuohet një komunikatë me përmbajtje krejtësisht të kundërt, e përmbajtja e kësaj të fundit vë në pah se Presidentja fare nuk ka diskutuar për Gjykatën po është takuar me dy liderët e tjerë për të siguruar të drejtën që ajo ta udhëheqë delegacionin kosovar  në Asamblenë e OKB-së dhe për të biseduar për Ligjin për beneficionet e ish Zyrtarëver të Lartë Shtetërorë pas përfundimit të mandatit. Siç dihet Jahjagës së shpejti i skadon mandati i Presidentes.

“Zyra e Zëvendëskryeministrit të Parë të Qeverisë së Republikës së Kosovës njofton opinionin se deklarata e lëshuar sonte nga Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës se në takimin e mbajtur në mbrëmje në mes të Kryeministrit, z.Isa Mustafa, Zëvendëskryeministrit, z. Hashim Thaçi dhe Presidentes, Znj.Atifete Jahjaga, është diskutuar për Gjykatën Speciale, nuk qëndron” theksohet në komunikatën e lëshuar nga kabinetit i Ministrisë së Jashtme.

“Takimi nuk ka pasur fare të bëjë me Gjykatën Speciale por ka qenë temë diskutimi vetëm përfaqësimi i Kosovës në Asamblenë e OKB-së, pas insistimit të presidentes që ajo ta udhëheq delegacionin kosovar, si dhe ndryshimet në Ligjin për Benificionet e Ish Zyrtarëve të Lartë Shtetërorë pas përfundimit të mandatit”, thuhet mes tjerash në këtë Komunikatë e cila përmbyllet me mohimin e prerë të asaj cka thuhej në Komunikatën e Presidencës.

“Për çështje të tjera, e theksojmë edhe një herë, nuk është diskutuar”, thuhet në komunikatën e ministrisë që e drejton Thaçi.