euro akp

Tërheqja e mjeteve të Trustit, rast i paprecedent

Tërheqja e kursimeve pensionale në Kosovë është rast i paprecedent, por i domosdoshëm për gjendjen aktuale ekonomike, konsiderojnë përfaqësues të bizneseve dhe ekspertë për çështje ekonomike.

Kjo nismë është propozuar nga Qeveria e Kosovës në bazë Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike, në mënyrë që të ndihmohen qytetarët në lehtësimin e pasojave që ka pasur në ekonomitë familjare pandemia COVID-19.

Nëse miratohet Projektligji për rimëkëmbje ekonomike, qytetarëve do t’iu mundësohet tërheqja e 10 për qind të mjeteve nga llogaritë e tyre në Fondin e Kursimeve Pensionale. Megjithatë, të premten, më 14 korrik, Kuvendi i Kosovës, dështoi të miratoi këtë projektligj për shkak të mungesës së kuorumit.

Kryeshefi ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane të Kosovës, Arian Zeka, vlerëson se masa për tërheqjen e 10 përqindëshit të kursimeve pensionale është një masë jokonevcionale dhe nuk është zbatuar në vendet tjera si masë për rimëkëmbje ekonomike, por megjithatë kjo mund të ndikojë në rritjen e kërkesës agregate.

“Kriza aktuale ekonomike në të cilën po kalojmë si rezultat i pandemisë COVID-19 është i paprecedent, prandaj shpresoj se nuk do të shndërrohet në një precedent me të cilin më pas do të abuzohet nga ana e klasës politike. Meqenëse bëhet fjalë për të ardhmen e qytetarëve dhe kontribuuesve pensionalë”, tha Zeka për Radion Evropa e Lirë.
Të gjithë të punësuarit (e regjistruar) në Kosovë paguajnë 10 për qind kontribute pensionale nga paga e tyre, përkatësisht 5 për qind paguan punëdhënësi, kurse 5 për qind paguhen nga paga e të punësuarit. Kursimet pensionale mund të përdoren nga kontribuesi vetëm pasi t’i përmbushë kriteret për pension.

Deri më tani, vlera e mjeteve në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës ka arritur në mbi 2 mbi miliardë euro me rreth 690 mijë kontributpagues, bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë, zyrtarë të Trustit. Kjo i bie se vlera e përgjithshme që do të mund të tërhiqej nga Fondi është rreth 200 milionë euro, mjete këto, që sipas zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, do të stimulonin kërkesën agregate në treg.

Ndryshe, Jeton Demi, zëdhënës në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, thotë se ky Fond ka investuar rreth 413 milionë euro në Letrat me Vlerë të Qeverisë së Kosovës.

Letrat me Vlerë ose Bono të Thesarit lëshohen nga Ministria e Financave sa herë që qeveria ka nevojë për më shumë para. Këto letra janë borxh i qeverisë. Letrat me Vlerë në Kosovë kryesisht blihen nga bankat komerciale.

Profesori i Ekonomisë, Muhamet Sadiku, beson se Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës, ka analizuar mirë situatën financiare, në rast të tërheqjes se 200 milionë eurove, pasi thotë ai, Fondi ka investuar mjete të mëdha në Letrat me Vlerë të Qeverisë së Kosovës.

“Pjesa më e madhe e kursimeve pensionale janë të plasuara në tregun ndërkombëtar, kurse një pjesë e mjeteve është e plasuar edhe në Qeverinë e Kosovës duke blerë Letra më Vlerë. Por, aktualisht çfarëdo çrregullimi në funksionimin e të hyrave buxhetore të Kosovës, besoj se këto mjete nuk janë të rrezikuara dhe se do të kthehen në kohën e duhur”, tha Sadiku.

Zyrtarë tëFondit të Kursimeve Pensionale, thonë se sa i përket zbatimit të ndryshimeve ligjore që prekin sferën e operimit të Trustit, janë duke i bërë përgatitjet që kjo të kryhet në kohë dhe pa asnjë vështirësi për kontribuuesit, meqë aplikimi do të realizohet vetëm online. Sipas tyre, zbatimi i këtij plani nuk paraqet asnjë vështirësi për institucionin, pasi me kohë mund të merren masat e nevojshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.