fbpx
vrasje

Të shtëna me armë zjarri në Pejë, plagosen 4 persona

Katër persona kanë mbetur të plagosur gjatë pasdites së sotme me kallashnikovë në qendrën e qytetit të Pejës. Dy fëmijë dhe dy të rritur janë plagosur.

Dy nga katër të plagosurit e sotëm në qendrën e qytetit të Pejës, tashmë janë dërguar për trajtim në QKUK.  Njëri nga ta është në gjendje më të rëndë shëndetësore.

Drejtori i Spitalit Rajonal në Pejë, Skender Dreshaj, konfirmoi se dy nga katër të plagosurit tashmë janë dërguar për trajtim në QKUK. Ata janë vëllezëri me inicialet  B.K. dhe N.K. Ndërkohë që dy fëmijët tashmë janë jashtë rrezikut për jetë.

Mësohet po ashtu se nga të plagosurit është një vajzë e moshës 18 vjeçare, si dhe një djalë i lindur në vitin  2006.

Të shtënat me armë ndodhën në rrugën “Lekë Dukagjini” në qendër të qytetit në Pejë. Ngjarja ka ndodhur paraditen e së mërkures.

Më poshtë keni verzionin zyrtar të Policisë për ngjarjen që ndodhi në Pejë:

Policia e Kosovës, rajoni i Pejës, ka njoftuar se sot rreth orës 15:08 është pranuar informatë se në rrugën “Lekë Dukagjini” në Pejë ka pasur të shtëna me armë zjarri.

Njësitet relevante të policisë së Kosovës menjëherë iu kanë përgjigjur vendit të ngjarjes, dhe sipas të dhënave të para është mësuar se nga të shtëna me armë zjarri janë të plagosur katër (4) persona, dy (2) nga të plagosurit ishin të involvuar në rast, ndërsa dy (2) personat e mitur ishin kalimtar rasti.

Të plagosurit me urgjencë janë dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë për t’ju ofruar ndihma adekuate mjekësore me ç ‘rast dy (2) nga të plagosurit  (të involvuarit) në këtë rast nën përcjelljen e Policisë së Kosovës janë dërguar në QKUK Prishtinë për trajtim të mëtutjeshëm, sipas vlerësimit të ekipit mjekësor të Spitalit Rajonal Pejë.

Personat e plagosur në këtë rast janë:

B.K. m/k/sh (1983)
N.K. m/k/sh (1976)
B.R. f/k/sh  (e mitur)
G.L. m/k/sh  (i mitur)

Policia e Kosovës ka ndërmarrë një operacion të gjerë kërkimi për kapjen e personave të dyshuar të këtij rasti. Rreth orës 16:05  njësitet policore të DRP Pejë kanë arritur të arrestojnë katër (4) persona të dyshuar dhe janë konfiskuar tri (3) armë të kalibrave dhe llojeve të ndryshme.

Hetuesit Rajonal në bashkëpunim të plotë me Prokurorin e Shtetit janë duke ndërmarrë veprime hetimore për të mësuar motivin e kësaj ngjarje dhe për të sqaruar të gjitha rrethanat lidhur me këtë rast.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.