prishtina

Të hyrat e komunave shënojnë rënie deri 90 për qind

Instituti GAP ka publikuar raportin rreth ndikimit të pandemisë COVID-19 në pushtetin lokal, ku thuhet se ndërmarrja e masave për frenimin e pandemisë COVID-19 ka ndikuar në dinamikën e punës në të gjitha komunat e Kosovës.

Sipas GAP, pushteti lokal ka luajtur rol aktiv në ndërmarrjen e masave në parandalimin e përhapjes së virusit.

“Të gjitha komunat e Kosovës kanë aktivizuar shtabet lokale të krizave dhe kanë krijuar grupet operative në terren. Përveç këtyre masave, komunat janë koordinuar në vazhdimësi për vendimet dhe masat e ndërmarra nga niveli qendror. Ky koordinim ka qenë i plotë edhe efikas”, thonë në GAP.

Sipas përfaqësuesve të GAP-it, në të gjitha komunat, të hyrat komunale gjatë gjysmës së dytë të muajit mars 2020 dhe në muajin prill kanë shënuar rënie prej 45% deri 90%.

“Gjatë këtyre dy muajve, të gjitha komunat kanë arkëtuar 5.8 milionë euro të hyra, apo rreth 9.3 milionë euro më pak krahasur me muajt e njëjtë të vitit të kaluar (2019)”, thonë mes tjerash aty.

Komunat do të dalin të dëmtuara në të hyra vetanake veçmas nga kategoria e tatimit në pronë, nga gjobat policore në rrugët lokale, nga vendimet e gjykatave dhe nga shfrytëzimi i hapësirave publike nga ana e gastronomisë. Një pjesë e komunave kanë aprovuar pako ekonomike ku kanë paraparë faljen e shumicës së pagesave që janë planifikuar të bëhen në 2020 nga bizneset. Edhe gjobat në trafik kanë rënë për 90%.

Raportohet poashtu se përveç të hyrave vetanake, komunat nuk do të arrijnë t’i përmbushin as planet e parapara në fushën e investimeve kapitale.

“Nga hulumtimi i zhvilluar në 16 komuna, ka dalur që janë së paku 124 projekte kapitale që do të shtyhen si pasojë e gjendjes së krijuar nga pandemia COVID-19”, thuhet në komunikatën e GAP, ku theksohet se kjo gjendje ka ndikuar edhe në rënien e numrit të të punësuarëve. Sipas të dhënave të Fondit të Kursimeve Pensionale, në prill 2020 ka më pak kontributpagues nga secila komunë krahasuar me muajin dhjetor 2019”, thonë në GAP.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.