Sipas vendimit që e kanë marrë MASH-i dhe komunat, mësimi do të nisë në dy faza. Më 14 shtator fillojnë mësimin klasat 0 deri në 6 dhe klasa e 10-të. Për klasat 4 dhe 5 u është lënë drejtorive komunale të vendosin se në çfarë forme do ta zhvillojnë mësimin, në shkolla apo nga distanca.
Kurse faza e dytë e mësimit do të nisë më 21 shtator. Në këtë fazë përfshihen klasat 7,8 e 9 të arsimit të mesëm të ulët dhe klasat 11 e 12 të arsimit të mesëm të lartë.
Ministria e Shkencës dhe Teknologjisë (MASH), ka bërë të ditur se si do të duken shkollat e përgatitura që presin nxënësit me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor.
Në një njoftim në Facebook, kjo ministri kërkon që të respektohen masat e rekomanduara nga institucionet shëndetësore në parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
“Kështu duket nga brenda një shkollë e përgatitur që të presë nxënësit nesër, më 14 shtator 2020. Respektoni rregullat: Mbajeni maskën, distancën dhe higjienën”, shkruan MASH.
Ndryshe, mësimi në shkolla është ndërprerë në muajin mars për shkak të shpërthimit të pandemisë me COVID-19 në Kosovë dhe procesi mësimor është mbajtur online, ndërkohë që viti i ri shkollor është vendosur të fillojë në dy faza, 14 dhe 21 shtator.