Lulzim Basha
- Lulzim Basha

Të gjithë pro Vettingut! Rama, Basha e Vasili në një zë

Padia në Gjykatën Kushtetuese e Unionit dhe Shoqatës së Gjyqtarëve kundër ligjit të Vettingut, këtë herë nuk ka gjetur mbështetjen e opozitës.

Lulzim Basha u shkëput për pak nga fushata elektorale në Korçë dhe në një prononcim për Top Channel nuk la vend për interpretim, kur përkrahu pa rezerva Vettingun.

“Nuk e njoh në detaje natyrën e padisë. Konfirmoj mbështetjen totale të Partisë Demokratike dhe të opozitës për Vettingun si një proces i domosdoshëm  për pastrimin e gjyqësorit dhe prokurisë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar dhe në veçanti me lidhje kriminale. Jemi ne që prej tre vitesh e gjysmë kemi kërkuar vettingun e gjyqësorit dhe të prokurorisë me qëllim largimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar me qëllim shëndoshjen e sistemit, që do të ketë gjyqtarë dhe prokurorë që nuk e mbrojnë, por luftojnë dhe ndëshkojnë krimin dhe korrupsionin dhe u shërbejnë drejtësisë për qytetarët”, deklaroi kreu i PD, Lulzim Basha.

Një nga kërkesat e gjyqtarëve është shpallja antikushtetuese e një shprehje në ligj, që lidhet me kontrollin e figurës, duke përfshirë në verifikim për lidhje me njerëzit e drejtësisë edhe persona të dyshuar për lidhje me krimin e organizuar pa një vendim të formës së prerë. çka, sipas tyre mund të çojë në vendime abuzive të Komisionit të Vettingut. Por, sipas Kryeministrit abuzuesit gjenden në radhët e njerëzve të drejtësisë.

“A i patë ata?! Unioni i gjykatësve, a i patë?! Vajtën në Gjykatën Kushtetuese si skutha! Ne këtej në fushatë, ata si skutha në Gjykatën Kushtetuese për të rrëzuar pikën themelore të Vettingut! Çfarë do të thotë kjo? Vettingu tre gjëra ka, e para pasuritë si i ke vënë. Do të shkojë tek Vettingu dhe do të shpjegojë se ku e i gjeti këto shtëpi…”, deklaroi Rama.

Në mbrëmje reagoi edhe kryetari i LSI-së, Petrit Vasili, i cili thotë se Vettingu është proces jetik për drejtësinë në Shqipëri.

“Vetingu është një proces jetik për drejtësinë në Shqipëri. Mbështetje të plotë, që vettingu të ecë përpara. Asnjë pengesë, apo ankesë nuk mund ta ndalë këtë proces pa kthim. Konsesusi politik i 21-22 korrikut për Vettingun është provë e soliditetit të tij juridik dhe moral”, thotë kreu i LSI-së.

Zbatimi i ligjit të Vettingut ishte një nga pikat e marrëveshjes Rama-Basha më 18 maj dhe kur Parlamenti të votojë me 3/5-at ngritjen e Komisione të Vettingut, ajo do të jetë dita kur kjo pikë e marrëveshjes të përmbushet plotësisht.

/ Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.