Mustafa, Thaçi e Pacolli
Mustafa, Thaçi e Pacolli

Takohen liderët – a do shtyhen zgjedhjet

Liderët e partive politike janë mbledhur sot në rezidencën e ambasadores amerikane Tracey Jacobson, për të arritur pajtueshmërinë për të votuar Projektligjin për Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK) e duket se sot duhet të vendosin edhe për projektligjin per reformën zgjedhore dhe për datën e zgjedhjeve.

Në rrethanat e sotme nga reagimet e ndërkombëtarëve por edhe nga reagimet e subjekteve politike individualisht duket se keto trigjëra janë pjesë e pandashme dhe të ndërlidhura ngusht me njëra tjetrën.

“Pres që nesër të vendosin në mënyrë unike, për votim për themelimin e ushtrisë, një votim integrues dhe votim që përfshinë interesat e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thotë Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi për Projektligjin në fjalë. Sipas tij ‘Qeveria e Kosovës i ka kryer të gjitha obligimet sa i përket kësaj çështje, ndërsa tani vendimi i mbetet Kuvendit të Kosovës’.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) më heret ka shprehur pakënaqësi për Projektligjin në fjalë për shkak të mospërfshirjes në te të FARK-ut si term përkatsisht të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës që kanë operuar gjatë luftës në Kosovë nën drejtimin e institucioneve të atëhershme që ndodheshin në ekzil. Me një rast i pari i LDK-së, Isa Mustafa kishte paralajmëruar se në rast që Kuvendi voton Projektligjin pa FARK-un në te, ai do të ndryshoj Ligjin në momentin kur LDK vjen në pushtet. Mirëpo, me kohë Mustafa, si raportohet ka zbutur qëndrimin e tij.

Sa i përket zgjedhjeve, Isa Mustafa ka deklaruar qysh javën e shkuar se ‘do të arrihet pajtueshmëria e subjekteve politike për kohën se kur do të mbahen zgjedhjet’. Si mëson infoGlobi ai është që zgjedhjet të mbahen sa më parë përkundër pakënaqësisë me reformat zgjedhore.

Ndaj procesit të reformave zgjedhore vërejtje ka edhe Behxhet Pacolli, Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR).

“Eshtë gjë jo e sinqertë nga ana e Mustafës dhe Thaçit” nëse shkohet në zgjedhje pa përmbushjen e reformës”, ka deklaruar Pacolli, i cili ka shprehur hapur frikën se në mungesë të reformave substanciale ai ‘ka frikë se vota e qytetarëve nuk do të shkojë aty ku do të hidhet dhe do të manipulohet”.

I dërguari special i SHBA-ve për Ballkanin Moor gjatë vizitës së tij në Kosovë kishte paralajmëruar indirekt mundësinë e shtyerjes së zgjedhjeve. “Janë disa gjëra që duhet kryer para se të mbahen zgjedhjet”, ishte shprehur Moor, i cili sipas burimeve të InfoGlobit në Washington ‘krahas domosdoshmërisë së votimit të zgjatjes së mandatit të EULEX-it dhe atij për Gjykatën speciale, ka aluduar se zgjedhjet nuk është mirë të mbahen pa u përmbyllur edhe reformat zgjedhore të nisura tash e sa vjet”.

As Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë Ian Cliff nuk është i ‘fascinuar’ me idenë që zgjedhjet të mbahen tash në qershor.

“Partitë një kohë të gjatë nuk kanë qenë në gjendje të arrijnë pajtueshmërinë përkitazi me atë se çka duhet reformuar në sistemin ekzistues zgjedhor, dhe tani kohët e fundit në shpejtësi është arritur një pajtueshmëri, por gjërat janë bërë shpejt dhe në mënyrë sipërfaqësore”, ka theksuar ambasadori britanik Ian Cliff gjatë bashkëbisedimit me studentët e Kolegjit “Pjetër Budi”.

Më mënyrën si u menaxhuan përpjekjet e reformave zgjedhore, ekziston frika se “Një numër i madh i njerëzve do të përjashtohen nga e drejta për të votuar”, ka shpaluar Cliff.

Sipas tij, shumë persona në veri do të përjashtohen nga votimi ngase nuk kanë karta të identitetit, e nga ky procesi i rëndësishëm demokratik do të përjashtohen edhe një numër i madh i kosovarëve të zhvendosur si dhe shumë shqiptarë në diasporë që ende nuk kanë arritur të rregullojnë dokumentat personale. As Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk do të jetë në gjendje të përgatit procesin zgjedhor.

“Me mënyrën si zhvilluan gjërat këtu, po shkelet legjislacioni ndërkombëtar, përfshirë këtu edhe Konventat e Këshillit të Evropës”. “Me legjislacionet në fuqi, nuk mund të bëhen reforma gjashtë muaj ditë para mbajtjes së zgjedhjeve. Kjo është gabim dhe në kundërshtim me legjislacionin ndërkombëtar”, ka deklaruar Cliff.

Ajo që dihet momentalisht është se pajtueshmëritë mes subjekteve politike për reforma zgjedhore janë të ndara në baza etnike. Subjektet politike të minoriteteve insistojnë që Lgji i ardhshëm zgjedhor të garantoj vendet e rezervuara për minoritetet në Kuvend.

Kur flasim për vendet e rezervuara nuk po flasim për 20 ulëset e garantuara për minoritetet. Njëzet ulëset e rezervuara mbesin ashtu si janë, por këto ulëset shtesë janë vënë në pikëpyetje. Janë gjithësej 6 të tilla.
Subjektet politike serbe kanë paralajmëruar se nuk do të votojnë Ligjin për Forcat e Armatosura të Kosovës në rast se nuk kalojnë ‘vendet e rezervuara për minoritetet në parlament’.

Projektligji për FAK dhe ai për reformat zgjedhore si shihet janë të ndërlidhura ngusht me njëri tjetrin.

Karshi tyre qëndron edhe Bashkimi Europian, i cili është shprehur se mbështetë rrugën europiane të Kosovës dhe sipas të cilit ‘parakusht për një afrim të kësaj të fundit drejt BE-së, janë edhe reformat substanciale të sistemit zgjedhor’. Sado që jo në mënyrë të drejt për drejt, BE-ja nuk do ta përkrahte idenë që zgjedhjet në Kosovë të mbahen para përmbylljes së reformave zgjedhore.

Një detaj që nuk është diskutuar shumë dhe që si duket ka kaluar pa ndonjë popmpozitet medial është edhe ndikimi që mund ta ketë në procesin eventual zgjedhor prezentimi i gjetjeve të Clint Williamson, drejtuesit të Task Forcës së BE-së për pretendimet e Raportit të përfaqësuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty .

“Do të ishte mirë që raporti të mos paraqitej gjatë fushatës sepse duhet t’i shmangemi që të ndikojmë në proces, duhet t’i shmangemi dhënies së opinioneve në çfarëdo forme.”, ka thënë Samuel Zhbogar, udhëheqësi i delegacionit të BE-së në Kosovë.

Sado që besohet se raporti që Williamson pritet ta prezentoj në 15 qershor nuk përmban emra, ekziston reziku që cdo dyshim i ngritur në adresë të krimeve eventuale mund të ndikoj në votat dhe orientimin e elektoratit pro e kontra figurave që përmenden në raportin ‘Dick Marty’.

Në takimin e sotëm liderët e subjekteve politike të Kosovës sipas të gjitha gjasave do ti diskutojnë të gjitha këto cështje dhe nuk përjashtohet mundësia që në rast se nuk arrijnë pajtueshmërinë për Projektligjin për FAK-un dhe vendet e rezervuara do të detyrohen të shtyejnë mbajtjen e zgjedhjeve në vjeshtë. Në të kundërtën, ata do të mbajnë zgjedhjet për mirëvajtjen e të cilave nuk po garanton as KQZ-ja, e cila disa herë ka apostrofuar se ‘koha për përgatitjen e tyre është e shkurtër’.
Situata se a do të mbahen zgjedhjet në qershor apo do të shtyhen për më vonë padyshim do të qartësohet sot ose në takimin e radhës që liderët uhet ta mbajnë në rastse nuk arrijnë pajtueshmërinë e nevojshme që do tu siguronte votat e mjaftueshme në Parlament. Mundësia që të ketë vendime jo konsezuale për shpartallimin e Kuvendit e që do ti printe zgjedhjeve të jashtëzakonshme është mundësi jo reale në këto rethana, sepse,  së pari është e vështirë që të besohet se për një gjëtë tillë do të mund të sigurohen vota të mjaftueshme dhe së dyti është jo reale të pritet që subjektet opozitare do të shkojnë jashtë ‘këshillave’ që japin miqtë ndërkombëtarë të Kosovës, praktikë kjo që u dëshmua qindëra herë gjatë viteve të shkuara si nga partitë në pushtet poashtu edhe nga ato opozitaret. /infoglobi/e.b.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.