cooper e haradinaj

Takohen Cooper e Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim zëvendës ndihmës sekretaren e mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Laura Cooper, me të cilën bisedoi për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon, proceset integruese të vendit dhe sfidat në fushën e sigurisë.

Haradinaj theksoi rëndësinë e pranisë ushtarake e diplomatike të SHBA-së në Kosovë dhe rajon si një faktor të stabilitetit dhe paqes dhe posaçërisht vlerësoi mbështetjen që SHBA-ja vazhdon t’i jap Kosovës në ndërtimin e një shteti demokratik e gjithëpërfshirës, bën të ditur një njoftim nga Qeveria.

Kryeministri tha se me dinamikën e re qeverisëse Kosova po përshpejton zbatimin e reformave në vend në fusha të ndryshme, posaçërisht atë të sundimit të ligjit dhe të rendit dhe në zhvillimin ekonomik.

Ai theksoi se konsolidimi ndërkombëtar dhe anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare i Kosovës, përfshirë mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë, me qëllim të adresimit të sfidave të ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, është me rëndësi të veçantë për të krijuar stabilitet dhe theksoi se ndihma e SHBA-së në këtë fushë është e domosdoshme.

Haradinaj po ashtu tha se Kosova po ndërton fqinjësi të mirë me të gjitha vendet e rajonit dhe është angazhuar në procesin e dialogut me Serbinë për normalizim të marrëdhënieve. Ai tha se dialogu duhet të riformatohet dhe afatizohet duke sjellë një rezultat përfundimtar konkret, atë të njohjes reciproke ndërmjet dy shteteve. Kryeministri Haradinaj tha se në fazën përfundimtare të dialogut dhe në përmbyllje të tij është e domosdoshme përfshirja e SHBA-së si garantuese e procesit së bashku me BE-në.

Duke folur për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura, Haradinaj theksoi se po bëhen përpjekje në këtë drejtim brenda kuadrit kushtetues të vendit, në bashkëpunim ndërinstitucional dhe me komunitetet dhe se ky proces do të bëhet në koordinim të ngushtë me SHBA-në. Ai tha se FAK do të jetë një forcë e ndërtuar mbi standardet ndërkombëtare, shumëetnike dhe e profesionalizuar. Kryeministri Haradinaj theksoi rëndësinë edhe të pjesëmarrjes dhe kontributit të FSK-së në Operacionet Paqeruajtëse.

Zëvendës ndihmës sekretarja e mbrojtjes e SHBA-së, Laura Cooper, tha se SHBA-ja do të vazhdojë ta mbështesë dhe të qëndrojë përkrah Kosovës në të gjitha proceset e saj, bën të ditur njoftimi nga Qeveria.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.