Ballina / KOSOVA / Takimi Thaçi-Vuçiq
dialogu kosove serbi

Takimi Thaçi-Vuçiq

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kanë nisur takimin në Bruksel, në kuadër të dialogut politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Nikoqire e takimit është Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini.

Zëdhënsja e Mogherinit, Maja Kocijaçiq, përmes një postimi në Twitter, ka njoftuar për nisjen e takimit të përbashkët, ku siç ka thënë ajo, do të bisedohet për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në fokus të bisedimeve pritet të jenë marrëveshjet e arritura deri më tani, sfidat e zbatimin e tyre si dhe hapat e mëtejmë drejt normalizimit të marrëdhënieve.​

Zëvendëskryeministri, njëherësh ministri i Jashtëm i Kosovës Behgjet Pacolli, i cili ndodhet në Bruksel, tha gjatë një prononcimi për gazetarët se presidentët e Kosovës dhe Serbisë po bisedojnë për temat që çojnë drejt paqes.

“Temat janë të përgjithshme që shkojnë favor të zgjidhjes së problemit që kemi me Serbinë, drejt paqes. Nuk është proces që mund të kryhet sot apo nesër, është një proces i gjatë, por i domosdoshëm. Sot palët po dëgjojnë njëra-tjetrën dhe sigurisht problemet do të artikulohen më vonë dhe kjo sot”, tha Pacolli.

Ndërkaq i pyetur për kompromiset që duhet të bëjnë Kosova dhe Serbia për të arritur deri te marrëveshja përfundimtare, Pacolli u shpreh se “pala kosovare duket se e ka bërë kompromisin e vet me Pakon e Ahtisarit”.

Arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë është e domosdoshme për synimin e Kosovës që të bëhet anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për të përshpejtuar integrimin në Bashkimin Evropian dhe NATO, ka deklaruar para nisjes në Bruksel, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Ai ka shtuar se Kosova edhe në fazën finale të dialogut më Serbinë do të ketë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që sipas tij, është e interesuar për arritjen e marrëveshjes përfundimtare.

Sipas tij, Kosova në asnjë rrethanë nuk mund të refuzojë dialogun dhe negociatat me Serbinë.

“Na presin bisedime të rënda, të vështira. Tani synojmë ta përmbyllim këtë proces duke bërë marrëveshjen gjithëpërfshirëse historike dhe politike me Serbinë. Çështja e dialogut me Serbinë dhe arritja e kësaj marrëveshjeje ka interes të karakterit nacional dhe shtetëror për Kosovën, kështu që duhet të rezonojmë me përgjegjësi të lartë”, theksoi Thaçi.

Marrëveshja me Serbinë, ka shtuar presidenti Thaçi, do të jetë finale dhe nëse arrihet, kjo marrëveshje do të nënkuptonte ndryshime dramatike të realitetit mes Kosovës dhe Serbisë.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë zhvillohet në dy nivele, atë politik, ku delegacionet përfaqësohen nga presidentët e shteteve apo kryeministrat, dhe niveli teknik, që zhvillohet përmes ekipeve të ekspertëve, ministrave dhe përfaqësuesve të institucioneve nga të dyja shtetet.

Fillimisht, bisedimet nisën me takimet në nivelin teknik në mars të vitit 2011. Por, ndërkohë, po me lehtësimin e Brukselit, u iniciuan edhe takimet në nivelet më të larta politike.

@Fluidi

Provo po ashtu

lluka

Lluka: Për ta shpëtuar Telekomin, duhet të ulen pagat

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka sot ka vizituar Telekomin e Kosovës me ç’rast është …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.