Ballina / OP./INTERVISTA / Takimet e mia me Remin

Takimet e mia me Remin

Dush Gashi

Jam takuar shumë herë me Rrustem Mustafën, të njohur si komandant Remi. Në shtigjet e Gërmisë. Ai vetë i treti a i katërti, unë më së shpeshti vetëm, ndonjëherë rrallë vetë i dyti. Remi, më i imtë mes tyre, me veshje që t’i kujtojnë mësuesit e mirë të dikurshëm të katundeve, miqtë e tij më të gjatë e më të bëshëm, me veshje sportive.

Kur gjendeshim ballë për ballë, në afërsi të mjaftueshme, ata jepnin shenja të qarta se prisnin t’i përshëndesja. I di mirë ato lëvizje, i kam vëzhguar me kujdes për të mos krijuar përshtypje të gabuar. E tëra fillonte të ngjante me një film me xhirim të ngadalësuar: hapat i bënin më të rrallë, lëvizjet me duar më të prajshme dhe të gjithë shikonin në drejtim timin. Njëherë, deri sa ende nuk ishin aq afër sa t’i shquaja mirë, m’u duk se mes atij grupi të vogël është dikush tjetër i njohur dhe fillova ta ngre dorën për përshëndetje. Ata këtë herë gatishmërinë e tyre për të ma kthyer përshëndetjen, të cilën edhe më me siguri e prisnin, e shprehën më lëvizje shumë të dukshme. Por, sapo e kuptova kush ishin, dora ime ndërroi drejtim më afër trupit dhe përfundoi në kruarje të qafës.

Nuk u desht shumë kohë për të kuptuar se komandant Remin dhe shoqërinë e tij i përshëndesin të gjithë, pa përjashtim. Ishte e natyrshme, prandaj, që këtë e prisnin edhe nga unë. Por, isha unë i vetmi që ndahesha nga turma.

E kuptoni se këto takime linin shije të pakëndshme. S’kish se si të mos dukesha sfidues, pa dashur ta sfidoja askënd. Por, edhe ta përshëndesja s’kisha si. Unë nuk njihem personalisht me Remin, kurrë nuk i jemi prezantuar njëri-tjetrit dhe unë kurrë nuk e kam përshëndetur dikënd vetëm pse është personalitet publik, i njohur prej të gjithëve, apo pse është i pushtetshëm. Nuk kam vepruar kështu as në kohën e Titos, as të Serbisë, dhe nuk e bëj as në kohën e Kosovës së lirë.

E them edhe troç: Remi edhe nuk është hero imi. Sa herë kaloj pranë një godine të stilit arkitektonik neo-klasik, në të cilën është vendosur me qira një njësi e Postë-Telekomit të Kosovës, më zgjohet një protestë e brendshme. Edhe sikur të kishte qenë gjithçka në rregull me mjetet për ndërtim, truallin e në fund edhe me kontratën me PTK-në për qiradhënie (e të gjitha këto me kohë i kanë problematizuar mediet), përmasat e saj, për kushtet tona tepër të mëdha për të qenë shtëpi private, e që në fakt është pikërisht shtëpia e Remit, ma kujton se edhe ai është si gjithë këta të tjerët, të gjithë pa përjashtim, të cilët paraqiten si eksponentë të UÇK-së, e të cilët përditë të zotit na bëjnë me dije se ideali i tyre nuk ka qenë çlirimi.

E di, kjo tingëllon si herezi në mesin e shqiptarëve, të cilët e kanë përjetuar robërinë dhe luftat për çlirim, por më së shumti nga mitologjia e kohës së komunizmit, sidomos atij enverist, e kanë krijuar kultin e luftëtarit.

Shumëkush e ka vështirë ta pranojë se dikush, pos në raste të pastra mercenarie, mund të ketë një motiv tjetër për të shkuar në luftë, pos çlirimit. Megjithatë, që nga Freudi e këndej, që do të thotë tash e më shumë se njëqind vite, është e ditur se dy njerëz mund të bëjnë një veprim identik, por secili i shtyrë nga motive të ndryshme. Për këta tanët edhe nuk nevojitet ndonjë psikanalizë e thellë, sepse ata, me tërë atë që kanë bërë pas lufte, faqe bote e kanë dëshmuar qartë motivin e tyre, të vetëdijshëm apo të pavetëdijshëm, për t’u bërë “të mëdhenj” – të lavdishëm, të respektuar, por edhe të pasur e të pushtetshëm. Madje, disa edhe nuk e kanë fshehur se duhet edhe t’ua kesh frikën.

Në vazhdën e këtyre “takimeve” në Gërmi, një ditë ngjau diçka që skenave të përshkruara në fillim të këtij teksti, e të cilat shumëkujt mund t’i duken vetëm si percpetime të mija subjektive, ua jep objektivitetin e nevojshëm. Dhe, besoj, edhe kuptimin këtij teksti.

Atë ditë kisha dalë në mal me një fqinj t’imin të lagjes, me të cilin isha njohur para do kohe. Qëlloi që të takohemi me Remin e miqtë e tij, edhe këtë herë ball për ballë. Ky fqinji im i përshëndeti, unë si zakonisht, jo. Pas pak e pyeta:
– A njihesh me të?
– Jo, – tha.
– Po pse i përshëndet?!
– Po mund t’ia shohësh sherrin, ndërsa kjo nuk të kushton asgjë.

Nuk i thashë gjë, isha i sigurt se do të ishte e kotë. Ndërsa me pezm po mendoja se kjo që “s’kushton asgjë” në të vërtetë kushton as më pak as më shumë se më nënshtrimin e Kosovës. Dhe, me krijimin e rendit, të cilin tashmë e njohim të gjithë: mungesën e drejtësisë në çdo fushë, sundimin e njerëzve, individit mbi individin, në vend të arsyes e etikës, ligjit e normave. Dhe e bën të qartë se “komandantët” tanë, po të kishin dashur vërtet ta çlironin këtë popull dhe të mos e shihnin duke e shprehur me përulje lojalitetin ndaj “hyqymetit”, së pari do të angazhoheshin për drejtësi.

Provo po ashtu

David Phillips

Disa pyetje për puçin në Turqi dhe, pse Rama është bërë konja e Erdoganit

Analisti amerikan David Phillips thotë se memoriali për viktimat e grushtit të dështuar të shtetit …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.