Ministri i ri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, duket se i ka rënë pishman që një ditë më parë, në mbledhjen e parë të Qeverisë, e vuri në pozitë të vështirë kryeministrin e ri të vendit, Ramush Haradinaj, kur ai e shkarkoi Komisionin për demarkacion, duke e pyetur se a është konsultuar me palën malaziase për ndryshime rreth procesit të demarkacionit.
Të martën, ai ka thënë se beson se kryeministri Haradinaj do ta gjejë një zgjidhje për demarkacionin me Malin e Zi.
“Unë kam besim se Haradinaj do ta menaxhojë këtë situatë dhe do të koordinohet me palën malazeze”, është shprehur ai.
“Mirëpo ne duhet të jemi të kujdesshëm, jam shumë i bindur që kryeministri do të ketë çasje të kujdesshme dhe raportet nuk do të cenohen”, ka thënë Tahiri.
Ai ka shtuar se duhet gjetur një zgjidhje e përbashkët, pasi marrëveshja e njëanshme nuk funksionon.
“Qysh në fillim autoritetet e Malit të Zi kanë pasur vullnetin të gjendet një zgjidhje”, ka theksuar Tahiri.