Ballina / KOSOVA / Tahiri: Hetimi për mashtruesit veteranë do të shkojë deri në fund
ministri tahiri

Tahiri: Hetimi për mashtruesit veteranë do të shkojë deri në fund

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ka folur për debatin e nisur mbi veteranët e luftës, pas dorëheqjes së djeshme të prokurorit që po hetonte edhe listat e veteranëve.

“Rasti i prokurorit të dorëhequr ka sjellë edhe një herë debatin mbi veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Përtej diskursit politik që fatkeqësisht përdoret shumë për të gjeneruar diskutime të paarsyeshme, ka vetëm dy pozicione themelore që janë korrekte në të gjitha kuptimet. Së pari, shoqëria jonë është falënderuese për secilin veteran, që në kohët më të vështira të historisë së popullit tonë ishin në krye të detyrës për mbrojtjen dhe çlirimin e Kosovës. Mijëra nga ta kanë lënë gjymtyrët në vijat e frontit dhe kjo meriton njohje, respekt dhe dinjitet të paçmim. Së dyti, shoqëria jonë është përcaktuar për të qenë shoqëri korrekte dhe e drejtë, përmes aspiratës për një shtet ligjor, si shëmbëlltyrë se si ndërtohet një shoqëri bashkëkohore dhe demokratike”, ka shkruar Tahiri.

Sipas Tahirit, hetimi i keqpërdoruesve do të mundësojë krijimin e një Republike të denjë ku secilit i njihet ajo çka i takon.

“Kur jemi te shteti ligjor, kompromiset janë shprehur në gjuhën e ligjit dhe askund tjetër përveçse në ligj. Hetimi për keqpërdorimin e listave të numrit të veteranëve nuk duhet parë nga asnjë perspektivë tjetër përveçse perspektivës ligjore. Nëse ka pasur keqpërdorime, keqpërdoruesit duhet të identifikohen dhe të marrin dënimin e përcaktuar me ligj. Procesi si i tillë, nuk e zhbën meritën e askujt, përveçse materializon aspiratën tonë shoqërore e shtetërore për një Republikë të denjë në të cilën, çdo kujt i njihet ajo çka i takon dhe çdo kush e merr dënimin për abuzimin e meritës. Si ministër i Drejtësisë, për aq sa kam mandat ligjor, do t’i japë mbështetje të fuqishme institucioneve të pavarura në hetimin e kësaj çështje deri në fund, në mënyrë që të rikthehet dinjiteti i plotë i veteranëve që i ka vulosur historia, para se t’i vulosë lista e kujtdo”, ka përfunduar Tahiri.

@Fluidi

Provo po ashtu

Plani i Serbisë për 10 komunat serbe në Kosovë

Plani i Serbisë për 10 komunat serbe në Kosovë

Qeveria e Serbisë ka planifikuar të investojë miliona euro në komunat me shumicë serbe në …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.