Ballina / KOSOVA / Sylejmani: Shkumbin Mehmeti po trillon; Thaçi i premtoi amnistinë
shkumbin mehmeti

Sylejmani: Shkumbin Mehmeti po trillon; Thaçi i premtoi amnistinë

Vazhdojnë reagimet ndaj deklaratave akuzuese të të dënuarit me 30 vjet burg Shkumbin Mehmeti. Njëri nga ata që reagoi është Driton Sylejmani, vëllau i Agron Sulejmanit për të cilin Mehmeti pohon se i kreu disa vrasje të pasluftës në Kosovë.

Driton Syejmani edhe më heret ka pasur prononcime për media lidhur me rastin e vëllaut të tij për të cilin insiston se i mvishen shumë vrasje, vetëm pse ai nuk ëhtë gjallë.

Kjo është letra e plotë e Driton Sylejmanit:

Unë Driton Sylejmani demantoj deklaratën e dhënë në Klan Kosova ku përmendet emri i vëllait tim Agron Sylejmanit.

Këto deklarata të cilat i jep i akuzuari dhe i dënuari me 30 vite burg nuk qëndrojnë dhe janë të gjitha trillime e fabrikime.

Arsyeja e deklaratës është se atij i është premtuar nga presidenti lirimi i tij me amnisti në këmbim të kësaj deklarate.

Ai trillon se ka qenë shok me Agronin, ai nuk ka qenë shok por pasi ka dal në arrati ka marr uniformën policore dhe ka bërë keqpërdorime me ta, hajni e plaçkitje.

Ai përveç rastit të 2004 dhe vrasjeve të policëve asgjë tjetër nuk thotë se unë kam kryer, por veç kam dëgjuar.

Dua t’iu drejtohem familjarëve të të vrarëve mos të bien pre e këtij xhihadisti i cili ka tentuar të ik nga burgu dhe të shkoj në Siri, por ka dështuar.

Posaçërisht familjes Mustafa, të cilën janë duke u maltretuar me deklarata duke thënë se herë personi që e ka vrarë Mustafën ka qenë ish-deputet, herë është në ministri, e tash po etiketohet Agroni i cili veç është i vdekur dhe po e akuzon me disa gjëra për t’i mbuluar të fëlliqurat e veta.

Këto deklarata po bëhen tani që është aktivizuar Gjykata Speciale dhe po mundohet t’i mveshen kryeministrit këto gjëra e etiketime të pabaza.

Aty nuk akuzohet asnjëherë Xhavit Haliti, koka e krimit të Dukagjinit e as njerëzit e Drenicës që kanë qenë në koordinim me Xhavitin gjithë kohën.

Dhe një herë ju familjarë priteni Gjykatën Speciale dhe mos bini pre e këtij matrapazi.

LEXO EDHE:

Djali i Smajl Hajdarajt: Shkumbin Mehmeti të merret seriozisht

Familjet e te vrarëve komentojnë deklaratat e Shkumbin Mehmetit

Deklaratat e Shkumbin Mehmetit, reagojnë Ibrahim e Qerim Kelmendi

Agron Sylejmani është vrarë gjatë përleshjes me forcat e sigurisë në vitin 2004, kur bashkë me grupin e tij i kishte dalur në prit veturës së UNMIK-ut. Në këtë përleshje janë vrarë dy policë. Për rastin është dënuar me 30 vjet burgim Shkumbin Mehmeti, i cili thotë se ka qenë në aksion por nuk është që e ka kryer vrasjen. Sipas Mehmetit, pas sulmit në UNMIK kanë qenë të arrestuar disa persona të përfshirë në rastin, por si ka nënvizuar ai “Unë jam dënuar, e ata janë liruar me urdhër politikë”. I pyetur pse do të liroheshin, Shkumbin Mehmeti u përgjigj se “ata kanë qenë të përfshirë në shumë raste të vrasjeve (të porositura/paguara v.j. ) dhe dikush është frikësuar se një ditë ata mund të shndërrohen në dëshmitarë”.

Ndëgjo intervistën e të dënuarit me 30 vjet burg , Shkumbin Mehmetit

Nga viti 1998 e deri në vitin 2004, në rrethana të pandirçuara deri më sot, janë vrarë një numër i madh i bashkëpunëtorëve të Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova si dhe pjesëtarë të FARK-ut, formacion ky ushtarak që ekzistoi paralelisht me formacionin ushtarak UÇK.

Ndaj vetë Ibrahim Rugovës ka pasur atentate të pasuksesshme, e tentim vrasje patën edhe bashkëpunëtorë të shumtë të tij.

Kush janë të vrarët për të cilët nuk dihen ende autorët:

Ministri i Mbrojtjes i Qeverisë së Kosovës në ekzil, Kolonel Ahmet Krasniqit, u vra më 21 shtator të vitit 1998.

Drejtori i Qendrës Informative të Kosovës Enver Maloku u vra më 11 janar 1999 në Kodër të Diellit në Prishtinë, pak metra para banesës së tij.  QIK  konsiderohej prej vitesh si agjenci e lajmeve e afërt me LDK-në. Madje me vite edhe zyrat i kishte në hapësira të njejta ku ishte edhe selia qendrore e LDK-së dhe ku kryente ceremonitë shtetërore prof.dr. Ibrahim Rugova.

Gazetari, publicisti dhe njëri ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Presidentit Rugova, z. Xhemajl Mustafa u vra më 23 nëntor 2001, në hyrje të ndërtesës ku ndodhej banesa e tij, në Prishtinë.

Kryetari i Komunës së Klinës, aktivisti shumë vjeçar i LDK-së, Ismet Rraci u vra më 24 prill 2001. Rugova kishte deklaruar se vrasja e tij lidhej me fitoren bindëse të LDK-së në zgjedhjet e para të pasluftës në Kosovë.

Gazetari Bekim Kastrati u vra në tetor të vitit 2001 në Drenicë bashkë me truprojën e presidentit Rugova, Besim Dajaku. Me ta ndodhej edhe ish-deputeti Gani Geci, i cili i shpëtoi atentatit por mbeti i plagosur nga armë të zjarrit.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Smajl Hajdaraj, u vra para shtëpisë së tij në Pejë më 17 janar 2002.

Kjo është letra e tij që e kishte botuar pak para vrasjes:

letra e smajl hajdarajt

Kryetari i Komunës së Suharekës, njëherë drejtues i LDK-së për këtë Komunë, Ukë Bytyçi u vra më 27 tetor 2002 në Leshan. Me të u vranë edhe Bafti e Bajram Bytyçi. Raportet e para theksonin se vrasjet kanë ndodhur për shkak se ata kremtonin fitoren e zgjedhjeve, por OSBE asokohe insistonte se zgjedhjet nuk kanë të bëjnë me vrasjet.

Ish komandanti i Farkut për Dukagjin, kolonel Tahir Zemaj u vra më 4 janar 2003 rrugës për në Pejë. Tahir Zemaj u vra bashkë me të birin Enisin dhe kushëririn e tij Hasan Zemaj. Hasani ishte Aktivist i hershëm i Forumit Rinor të LDK-së.

Ekrem Rexha i njohur komandant Drini, u vra para shtëpisë së tij në lagjen “Bazhdarhane” në Prizren më 8 maj 2000. Në kohën e vrasjes ish Komandanti i UÇK-së, Ekrem Rrexha po punonte si drejtor komunal për Emergjencë.

Ka edhe vrasje tjera të pandriçuara si vrasja e Haki Ymerit, ish – anëtar i degës së LDK-së në Skënderaj, e Shaban Manajt, anëtar i Kryesisë së KP të LDK-së në Istog, etj.

Dalja në media e Shkumbin Mehmetit, i cili po vuan dënimin me burg për vrasjen e dy policëve të UNMIKUT, dhe rrëfimi i tij për vrasjet në rrafshin e Dukagjinit e ka trazuar opinionin, i cili ende nuk i rikuperua nga shqetësimet e shkaktuara muajin e fundit me nismën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale fati i së cilës nuk dihet ende. Ka zëra që dalja publike e tij është bërë qëllimisht për të diskredituar një strukturë të caktuar politike dhe për të zhvendosur vëmendjen e opinionit nga zhvillimet përkitazi me Gjykatën Speciale, e cila ka vënë në pikëpyetje partneritetin e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare.

Personat e apostrofuar për vrasje e dhënie urdhërash për kryerjen e tyre, pra Ibrahim e Qerim Kelmendi kanë mohuar pretendimet e Mehmetit.

@InfoGlobi

Check Also

mi autostrada

Ja emrat e kompanive që do ta ndërtojnë autostradën

Ministria e Infrastrukturës ka zbuluar kompanitë të cilat do të ndërtojnë autostradën “Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë”. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *