Sveçla falënderon stafin dhe mantelbardhët për menaxhimin e pandemisë

Ish Ministri i Punëve të Brendshme nga radhët e Vetëvendosjes, Xhelal Sveçla ka falënderuar stafin e MPBAP-së dhe mjekët për angazhimin në menaxhimin e pandemisë së COVID-19. 

Ndryshimet politike me vete sjellin edhe paqartësi, në nivelin shoqëror e administrativ. Ndryshimet e paqartësitë, çfarëdo qofshin, nuk duhet të ndikojnë në vetëdijen e përgjegjësinë institucionale, ka shkruar mes tjerash Sveçla.

Prononcimi i plotë i Xhelal Sveçlës: 

Të nderuar kolegë dhe bashkëpunëtorë nga MPBAP

Koha të cilën e kaluam bashkë ishte e shkurtër. Megjithatë, rrethanat e krijuara që kërkonin domosdoshmërisht intensitet të shtuar në punën tonë, ndikuan që koha e kaluar në zyret e Ministrisë të jetë shumë më e gjatë se ajo e zakonshme. Puna që kemi bërë bashkë na ka bërë të lodhemi por ka bërë njëkohësisht të shënojmë suksese të përbashkëta. E këto të arritura janë borxh yni ndaj vendit tonë.

Falë angazhimit tuaj në luftimin e pandemisë Covid-19, sot mund të themi me plot zë që Republika e Kosovës ka statistikat pothuajse më pozitive në rajon. Ju falenderoj përzemërsisht për vullnetin, përgjegjësinë dhe energjinë e dhënë gjatë këtyre muajve të vështirë të përballjes me virusin corona.

Ju faleminderit për qëndrimin tuaj pozitiv ndaj punës. Me këtë keni bërë çdo sfidë më lehtë të përballueshme e çdo ndryshim më lehtë të implementueshëm. Ju falenderoj që e keni pasur të qartë që përmes pranimit të përgjegjësisë ndaj çdo detyre, keni marrë mbi supe përgjegjësinë e suksesit tuaj.

Ndryshimet politike me vete sjellin edhe paqartësi, në nivelin shoqëror e administrativ. Ndryshimet e paqartësitë, çfarëdo qofshin, nuk duhet të ndikojnë në vetëdijen e përgjegjësinë institucionale. Shpresoj që do vazhdoni të trajtoni detyrat e punës sikur të ishin të juaja personale e të mos ndaleni përballë asnjë vështirësie. Vazhdoni ta jepni kontributin tuaj në ngritjen e kapaciteteve të institucionit, më se të nevojshme e të dobishme për vendin tonë.

Ju uroj shëndet e suksese të mëtutjeshme në punën tuaj.

Me respekt,

@InfoGlobi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.