Publicisti Veton Surroi ka komentuar marrëveshjen e sapoarritur të PAN’it me Aleancën Kosova e Re, e veçmas kërkesën e AKR’së mbi postin e Presidentit.
Në marrëveshje thuhet se partitë e koalicionit PAN, pas përfundimit të mandatit të presidentit Hashim Thaçi, do ta mbështesin kreun e AKR’së Behgjet PAcollin për të marrë këtë post, pa marrë parasysh mënyrën se si do të zgjedhet Presidenti.
E, sipas Surroit, kjo marrëveshje bie ndesh me demokracinë, përkatësisht nënshkruesit e saj ia huqin kuptimin asaj.
“Pra , PAN-i dhe AKR u pajtuan që AKR ta ketë presidentin e Kosovës , sido që të votohet. Në Parlamentin e Kosovës të gjithë deputetët , të LDK-së , Vetëvendosjes, Lista serbe , grupet minoritare – që të gjithë- obligohen ta zgjedhin kandidatin e AKR-së. Nëse organizohen zgjedhjet presidenciale , atëherë qytetarët e Kosovës obligohen, sipas kësaj marrëveshje, të votojnë për kandidatin e AKR-së”, e ka përshkruar publicisti këtë kusht në Facebook.
“Kaq për kuptimin e demokracisë nga ana e nënshkruesve të marrëveshjes së koalicionit”, ka shtuar ai.
Ndërsa Surroi lidhur me këtë e ka cituar edhe diktatorin sovjetik, Stalinin.
“Mjafton që njerëzit të dijnë se ka pasur zgjedhje. Njerëzit që japin votën nuk vendosin gjë. Njerëzit që i numërojnë votat vendosin për çdo gjë”.