Sulmuesi i xhamive në Zelandën e Re dënohet me burgim të përjetshëm

Drejtësia në Zelandën e Re e dënoi me burgim të përjetshëm, pa kushte, sulmuesin e dy xhamive në këtë vend, ku mbetën të vrarë 51 vetë.

Australiani Brenton Tarrant, 29 vjeç, është personi i parë në historinë e Zelandës së Re që merr dënim të tillë.

Ai e pranoi vrasjen e 51 personave, tentim-vrasjen e 40 të tjerëve dhe akuzën për terrorizëm.

Gjykatësi i cilësoi veprimet e tij si “çnjerëzore” dhe tha se ai “nuk ka treguar mëshirë”.

Sulmi në mars të vitit të kaluar në qytetin Kristçërç, i cili është transmetuar drejtpërdrejt në mediat sociale, ka tronditur botën.

Dënimi i Tarrantit, po ashtu, shënon dënimin e parë për terrorizëm në historinë e Zelandës së Re.

“Krimet tuaja janë aq të liga saqë edhe nëse jeni i burgosur përjetësisht, nevoja për ndëshkim nuk do të shterojë”, tha gjykatësi Cameron Mander të enjten në një gjykatë në Kristçërç.

Dënimi pa kushte nënkupton që shkelësit nuk do t’i jepet mundësia të dalë nga burgu pasi të vuajë vetëm një pjesë të dënimit të përgjithshëm.

Gjykatësi Mander tha se dënimet e tilla të përjetshme dhe pa kushte janë vetëm për “vrasje shumë të këqija”.

Tarrant ka hapur zjarr në dy xhami në Kristçërç, më 15 mars të vitit të kaluar.

Ai fillimisht ka sulmuar besimtarët brenda xhamisë Al Noor. Më pak se 30 sekonda më vonë është kthyer në makinën e tij për të marrë një armë tjetër dhe ka hyrë sërish në xhami.

I gjithë incidenti është transmetuar drejtpërdrejt në Facebook përmes një kamere që sulmuesi kishte vënë në kokë.

Sulmuesi më pas ka shkuar në Qendrën Islamike Linwood, ku ka qëlluar dy persona jashtë saj dhe më pas në dritare.

Gjatë seancave dëgjimore që u mbajtën këtë javë, gjykata dëgjoi se si sulmuesi ka planifikuar të sulmojë edhe një tjetër xhami, por është ndaluar nga zyrtarët e zbatimit të ligjit.

Zelanda e Re nuk ka dënim me vdekje si pjesë të sistemit të saj të drejtësisë. Dënimi i shqiptuar është më i larti që ekziston në legjislacionin e këtij shteti./infoglobi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.