fbpx
protesta e studenteve

Studentët – nuk mjafton dorëheqja

Menjëherë pas dorëheqjes së prof. Ibrahim Gashit nga posti i Rektorit të Universitetit të Prishtinës, kanë filluar reagimet , të cilat ishin po aq të ndara sa ishte edhe opinioni përktazi me protestat e një grupi të studentëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile të Kosovës. Aktualisht  para Rektoratit studentët po kremtojnë  dorëheqjen.

“Hapi i parë u bë, urime te gjithe atyre që mbeshtetën dhe besuan kauzën e studentëve.”, janë shprehur përmes murit në Facebook, përfaqësues të Grupit të Pavarur të Studentëve. Grupi i Pavarur i Studentëve thotë se është duke i përcjellë me vëmendje njoftimet në media në lidhje me dorëheqjen e pritshme të Rektorit Ibrahim Gashi. “Ne që kur kemi filluar protestat me datë 24.01.2014 kemi nisë me tre kërkesat tona kryesore, dorëheqja e Rektorit nuk nënkupton edhe plotësimin e kërkesave tona të tjera të cilat janë të domosdoshme për funksionimin normal të Universitetit”, thotë ky Grup.

Ata i kanë kujtuar edhe njëherë kërkesat që i kanë pasur që nga fillimi i protestave, e ato janë: 1. Dorëheqja e rektorit, 2. Verifikimi i të gjitha thirrjeve akademike dhe doktoratave dhe 3. Ndryshimi i Statutit të UP-së, për ta shtuar autonominë, transparencën dhe për të larguar politikën nga UP-ja.

Gjithashtu, Grupi i Pavarur i Studentëve kërkon lirimin e të gjithë protestuesve dhe pjesëmarrësve të shoqërisë civile.Pas dorëheqjes së Gashit, komunikatë ka lëshuar edhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë , e cila vlerëson aktin moral të dorëheqjes.

“Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë njofton se është duke vazhduar punën e filluar për plotësim ndryshimin e Ligjit për Arsimin e Lartë me qëllim që të mbështesë edhe forcimin e autonomisë së Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe të gjitha institucioneve të arsimit të lartë” shprehet MASHT.

“Në këtë drejtim, MAShT inkurajon organet drejtuese të Univeristetit Publik “Hasan Prishtina” dhe Kuvendin e Republikës së Kosovës që të bëjnë plotësim ndryshimin e Statutit të Universitetit “Hasan Prishtina”. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë mbesin të përkushtuara për të mundësuar dhe garantuar funksionimin e autonomisë së plotë të Universitetit Publik “Hasan Prishtina” dhe të gjitha institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë” thuhet në Kumtesën e MASHT-it.

Ende pa u shpërndarë si duhet lajmi për dorëheqjen, ata që kërkuan dorëheqjen e Rektorit dhe verifikimin e të gjithë hirrjeve akademike në Universitetin publik, filluan ta shprehin gëzimin.

Fitore, ka komentuar aktin e dorëheqjes analisti Lumir Absixhiku. Sipas tij “Dorëheqja e Rektorit është një arritje shumë e këndshme në betejën mes së mirës dhe së ligës, mes moralit dhe uzurpimit. Studentët me vendosshmërinë e tyre treguan se si mundet e keqja dhe mashtrimi në këtë vend. Na keni bërë të gjithëve krenarë!”.
“Fashistët dhe servilët e tjerë ndërkaq, që gjatë gjithë këtyre ditëve turpshëm sulmuan pjesëmarrësit e protestës, treguan veten dhe anën më të errët të mundshme të mendjeprishtësisë njerëzore; gërdi më vjen nga njerëz të tillë” është shprehur ai. “E secilin filimen partiak që paradoksalisht kundërshtonte protestën me më shumë zell e zhurmë se sa vet pushteti, fleni të qetë – askush përveç studentëve nuk merr meritën për sukses; jeta megjithatë është më shumë se sa parti. Me rëndësi që një hap i vogël e i suksesshëm në betejën kundër uzurpimit u bë; e ka shumë të tjerë për tu bërë. Studentë, bravo!”, ka shkruar mes tjerash Abdixhiku.”

“Njerëzit po mbledhen të rektorati dhe kanë filluar të festojnë”, ka komentuar këtë ngjarje, dizajneri Yll Rugova nga Partia e Fortë.

Për dorëheqje u prononcua edhe drejtuesja e grupit medial Koha, Flaka Surroi. “Do reheqja e Gashit duhet te jete fillimi i pastrimit te UP-se prej mashtruesve, plagjiatoreve dhe “mesimdhenesve” qe nuk e dine se cka eshte etika”, është shprehur Flaka Surroi, e cila bashkë me të vëllanë publicistin e shquar Veton Surroi, ishte solidarizuar me kërkesat e studentëve dhe u ishte bashkëngjitur protestave.

Edhe deputetja Alma Lama ka reaguar pas dorëheqjes. “Aktin e Rektorit duhet ta ndjekë i gjithë Këshilli Drejtues i UP në mënyrë që ti hapet rrugë verifikimit të titujve. Edhe profesorët që kanë botuar artikuj të dyshimtë do të ishte mirë ti thirrnin ndërgjegjes e të largoheshin nga mësimdhënia, deri në verifikim të plotë. Po dallaveret me titujt as nuk fillojnë e as mbarojnë në UP. Universitet e tjera neper komuna qe hapi Hashim Thaci, nese nuk ndërhyhet do te kthehen ne fatkeqesi kombetare, per shkak te dijes qe u ofrojne studenteve. Ndersa doktoret e shkencave pa fakultet e shkolle te mesme, vec jane kthyer ne fatkeqesi. Shume prej tyre po drejtojne shtetin e Kosoves…” ka shkruar Lama.

“Mos u ndalni, studenta, deri të përmbushen KREJT kërkesat tueja” ka porositur Fisnik Ismaili nga Lëvizja Vetëvendosje, subjekt ky politik i cili në mënyrëtë hapur i kishte përkrahur studentët dhe kërkesat e tyre.

Aktualisht  para Rektoratit studentët po kremtojnë  dorëheqjen./infoglobi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.