Ballina / KRYESORE / Stresi: Variacione të një teme
Entela Binjaku

Stresi: Variacione të një teme

Sipas Herbert Blummer “individët jetojnë në një univers simbolesh që përmbajnë kuptime dhe vlera të cilat përftohen vetëm përmes procesit të komunikimit dhe të ndërveprimit shoqëror. Në këtë mënyrë njeriu, shquan tek vetja, mbi të gjitha, identitetin e vet ose profilin e vet shoqëror (kundron pra, se si ai shihet nga të tjerët).

Autore: M.A. Entela Binjaku/infoGlobi

Koncepti për veten në këtë mënyrë shndërrohet në “një reflektim të opinioneve të marra nga kuptimet e të tjerëve”.Pasi ka mësuar dhe pikëpamjet e të tjerëve njeriu shqyrton edhe perspektivat alternative të veprimit në të njëjtën situatë. Duke u kthyer në “vatrën” tonë, në këtë dritë mendimi mund të kuptojmë edhe raportet e reja shoqërore të ndërtuara në shoqërinë shqiptare në këto dy dekada të fundit ku alternativat e veprimit sollën perspektiva të panjohura më parë.

Pas viteve ‘90 në fjalorin e shoqërisë sonë hynë disa koncepte me një ngarkesë të re përmbajtësore, të cilat nuk gjenin vendin ose nuk “gjenin vehten” në panoramën e thjeshtë, homogjene të shoqërisë shqiptare deri në këtë kufi vitesh. Një ndër këto koncepte është “stresi”. Kaq i pranishëm në komunikimin verbal, stresi duket se përshkruan pothuajse çdo situatë pakënaqësie personale apo kolektive, që në aktualitetin tonë nuk ke aspak vështirësi ta gjesh.

Ky koncept për të cilin as nuk kishim dëgjuar të flitej deri dy dekada më parë, sot ka zënë shumë vend në fjalorin tonë sa është bërë shumë e zakonshme ta dëgjosh thuajse në çdo komunikim mes të rriturve.

Marrë nga gjuha angleze, stresi si koncept ka kuptimin e presionit, ngarkesës, kërkesës, duke nënkuptuar edhe një reagim jo të zakonshëm të organizmit të njeriut ndaj burimeve të tyre.

Diversitetin ndër njerëzit që na rrethojnë mund ta klasifikojmë në shumë mënyra por në këtë rast, mund të përzgjidhnim në: njerëz që janë të kënaqur me atë që bëjnë dhe njerëz që anashkalojnë veten për të kënaqur të tjerët.

Në kategorinë e parë, gjejmë ata njerëz që e pranojnë veten ashtu si janë, që kanë besim në forcat e veta, ja njohin suksesin vetes dhe në këto kohë të vrullshme dështimet personale i trajtojnë si përvoja kalimtare. Këta njerëz kanë prirjen që rrallë ndeshet ndër ne: t’ja pranojnë gabimet vetes dhe të mësojnë prej tyre. Njerëzit e kësaj kategorie mund të përbëjnë lirisht një tjetër subjekt të shkruari. Për këtë mjaft të drejtojmë disa pyetje të tilla si: a kemi të tillë në shoqërinë tonë, nga cilat sfera të aktivitetit të jetës vijnë, sa i përkrah shoqëria jonë këta njerëz, sa mund t’i shërbejnë ata ngritjes së kapacitetit të njohjes së shoqërisë sonë për vetveten etj., etj.

Ndërsa në kategorinë tjetër, takojmë shpesh njerëz me një nivel tjetër të vlerësimit për veten duke qenë objekt i riskut të lartë të stresit. Këta njerëz mendojnë se nuk janë aq të rëndësishëm sa të trajtohen me seriozitetin e duhur, mendimet e tyre nuk kanë vlerën që ka mendimi i të tjerëve. Njerëzit e përfshirë në këtë kategori ndjehen mirë vetëm kur marrin vlerësim nga të tjerët dhe në përpjekje për t’i kënaqur ata, shmangin shprehjen e ndjenjave të vërteta, neglizhojnë dëshirat vetjake. Duke u ndjerë të padobishëm shpesh as nuk ndërmarrin më veprime të tjera sepse mendojnë se nuk kanë asnjë mundësi për t’ia dalë mbanë.

Nëse ky vlerësim për veten nuk do të ndikonte marrëdhëniet me të tjerët, profesionin dhe aktivitetin e përditshëm, pra nëse nuk do të ndikonte jetën në përgjithësi, ndoshta nuk do të përbënte kaq shumë shqetësim. Duke qenë objekt i një stresi të vazhdueshëm njerëzit pësojnë edhe modifikime të rëndësishme të sjelljes dhe perspektivat alternative të veprimit duken të paorientuara ose të largëta.

Ndërkohë gjatë këtyre dy dekadave shoqëria jonë ka njohur veç stresit në kuptimin e zakonshëm, edhe disa variacione të tjera të tij si: stresi psikik, psikosocial,socio-kulturor etj., të cilat kanë lënë jo pak gjurmë në jetën e shoqërisë sonë. Studimet mbi efektet e stresit bashkojnë shumë studiues nga fusha të ndryshme të dijes, por studimet nga fusha e
sociologjisë kanë arritur në përfundimin që stresi nuk përfaqëson thjesht pasojën e një veprimi të papëlqyer, dhe çdo individ ka mënyrën e vetë të përjetimit.

Stresi mbetet një temë me variacione si në rastet kur shpërfaqet në shembuj ciklikë, të lidhura me çrregullime nën ndikimin e faktorëve të ndryshëm, ashtu edhe në rastet kur është kronik. Në çdo rast, i stresuar njeriu ndjehet me më pak energji, shumë më pak i angazhuar, i palidhur me jetën dhe me të tjerët etj. Aspak i interesuar për atë që ndodh përreth, me shpresa të fikura për të ardhmen, më pak optimist se zakonisht profili i njeriu të stresuar, i përafrohet bindshëm atij të një njeriu të deprimuar.

Në këto vite ndryshimesh, duke jetuar në një stres kronik edhe trupi prodhon në mënyrë të vazhdueshme hormone të stresit, të cilat me kalimin e kohës dëmtojnë struktura të
rëndësishme të trurit dhe po t’i referoheshim Gofmanit “sëmundja mendore nuk është gjë tjetër veçse një formë e deviacionit nga rregullat e përbashkëta”.

Por,  ky studiues që ka meritën e madhe të përdorimit të metaforës së teatrit për të shpjeguar dhe për të analizuar jetën e përditshme, pohon gjithashtu se “njerëzit kur ndërveprojnë me të tjerët, shqetësohen, mbi të gjitha, për mënyrën se si duken, çfarë përshtypje bëjnë, tamam ashtu si aktorët e teatrit që janë të interesuar lidhur me përshtypjen e publikut për shfaqjen e tyre”.

Duke mbetur në këtë metaforë, “loja e teatrit” e një shoqërie që vepron në kushtet e aktorëve të stresuar jo vetëm nuk është ajo e dëshiruara apo e shumëpritura por i lë vendin një tjetër koncepti të ri “performancë e dobët”.

Imagjinata sociologjike si vetia për të përqafuar me mendje transformimet më të përgjithshme, më të largëta dhe reagimet më intime të qenies njerëzore, të jep shpesh mundësinë të kuptosh dhe domosdoshmërinë që ka shoqëria jonë për të njohur rolin shoqëror dhe historik të secilit prej nesh. Në përfundim, për t’i mbyllur këto rreshta do të dëshiroja të citoja dhe shkrimtarin Flannery O’Connor i cili thotë: “Unë vetëm kur e shkruaj e kuptoj atë që kam menduar”./infoGlobi

Tekst i ribotuar me kërkesë të leexuesve. Na përcjellni edhe ju njohuritë e juaja për fenomenet aktuale të njeriut dhe shoqërisë sone. Analizat mund t’i dërgoni në adresë info@infoglobi.com

@infoglobi

 

@Fluidi

Provo po ashtu

Bëjnë përshëndetjen naziste, nxënësit mund të dënohen me 3 vite burg

Një fotografi e shkrepur në kampin e Auschwitz mund t’iu kushtojë shumë 3 minoreneve. Ato …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.