fbpx
Kuvendi

Spektakli vazhdon, rishikimi i buxhetit nuk kalon

Rishikimin e Buxhetit të Kosovës për vitin 2017 nuk ka kaluar sepse në momentin e votimit, në sallën e Kuvendit ndodheshin vetëm 60 deputetë.

Seanca për votimin e tij është shtyer për të enjten.

E gjithë seanca e sotme e Kuvendit, e cila zgjati gati 9 orë është përshkuar me debate të ashpra e tensione mes deputetëve të pozitës e opozitës. Ajo më shumë ishte spektakël që i ngjante fushatës elektorale, se sa që i ngjante një seance të mirëfilltë parlamentare.

Pikat më kontestuese të buxhetit ishin pagesa e veteranëve, një pjesë e së cils parashihet të paguhet nga fondet e sigurimeve shëndetësore, si dhe autostrada në drejtim të Gjilanit, e cila i mungonte verzionit aktual të buxhetit.

Përmbajtje e buxhetit të rishikuar, ku një numër projektesh të parapara janë tërhequr nga versioni i ri, e paraqiti ministri i Financave, Bedri Hamza. Ai tha se ulja e buxhetit nga 2 në 1.8 miliard është bërë pasi mungojnë mjetet.

Hamza ka thënë se duhet të paguhen obligimet ndaj punëve të kryera në autostradën “Arbën Xhaferi”, veteranëve dhe pagesat nga vendimet gjyqësore.

Hamza ka thënë se edhe pse është larguar autostrada për Gjilan për këtë vit, ajo do të ndërtohet vitin që vjen dhe e gjitha me financim nga buxheti dhe jo nga fondet tjera.

Vetëvendosje ka konstatuar se lëvizjet e bëra në buxhet janë në kurriz të investimeve kapitale dhe me qëllime elektorale.

Kundër këtij buxheti ishte edhe LDK-ja, e cila në qeverinë e kaluar udhëhoqi Ministrinë e Financave dhe e kishte përgatitur buxhetin në 2 miliardë.

Rishikimi vjen për diskutim në kuvend rreth dy muaj para përfundimit të vitit buxhetor dhe pak ditë para se legjislativi të merret me buxhetin e 2018-ës.

Ka më se dy vite që Kuvendi i Kosovës ka stagnuar në përmbushjen e detyrave të tij dhe është shndërruar në një skenë spektaklesh showmenësh e hapësire të dhunës verbale, e aty këtu edhe të dhunës fizike.

As ky legjislativ , i cili ka filluar punën para dy muajsh nuk është më premtues në krahasim me ate të shkuarin. /infoglobi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.