Spahija: Kosova ka shënuar një rënie në luftën kundër korrupsionit

Kosova ka shënuar regres në luftën kundër korrupsionit, kjo sipas raportit “Indeksi i perceptimit të korrupsionit 2019” ku vendi ynë është renditur në vendin e 101 nga 180 shtete në tërësi, ndërsa një vit më herët ka qenë në vendin 93.

Në publikimin e këtij raporti nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dhe Transparency International Kosova, u theksua se rangimi i dobët i Kosovës në indeksin e sivjetmë i atribuohet kryesisht institucioneve të brishta të sundimit të ligjit, nivelit të lartë të mosndëshkueshmërisë së rasteve të korrupsionit, mungesës së llogaridhënies së zyrtarëve publikë, transparencën e pamjaftueshme dhe ngushtimin e hapësirës për pjesëmarrje qytetare.

Florent Spahija nga KDI, tha se Kosova ka shënuar rënie në luftën kundër korrupsionit në tërësi dhe ka humbur pikë edhe në sistemin e vlerësimit të korrupsionit, ku përmendi se nga 37 pikë sa ka pasur në vitin 2018, në vitin 2019 ka marrë 36 pikë.

“Kosova sivjet e kemi parë që ka shënuar një rënie në luftën kundër korrupsionit në tërësi, por ka humbur pikë edhe në sistemin e vlerësimit të korrupsionit nga 37 pikë sa i ka pasur vitin e kaluar, sivjet i kemi vetëm 36 pikë dhe sa më pak pikë që kemi aq më keq jemi si vend në ranglistën globale. Nga veni i 93 që kemi qenë vitin e kaluar, sivjet jemi në vendin 101, pra nga 180 shtete që maten në botë Kosova sot është në vendin 101… Rangimi i dobët i Kosovës edhe sivjet i është atribuuar kryesisht institucioneve të brishta të sundimit të ligjit, pra këtu po flasim për gjykatat dhe prokuroritë, po ashtu edhe Policinë, po flasim për nivel të lartë të mosndëshkueshmërisë së rasteve të korrupsionit, flet për mungesën e llogaridhënies tek zyrtarët publikë dhe këtë e kemi dëshmuar çdo ditë, e kanë dëshmuar gjykatat dhe prokuroritë, flasin për transparencë të pamjaf tueshme dhe ngushtim të hapësirës së qytetarëve. Pra, mungesa e transparencës në shumë institucione ka bërë që Kosova të shënojë regres në këtë luftë”, tha ai.

Sipas tij, gjetje interesante është se asnjë nga vendet e rajonit nuk ka shënuar progres këtë vit krahasuar me vitin e kaluar.

Ai potencoi se Kosova është një pikë me mirë se Shqipëria, është më keq se Serbia që ka 39 pikë, është shumë më keq se Mali i Zi që ka 45 pikë, ndërsa shtoi se është gati në nivel të njëjtë me Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë Hercegovinën.

Spahija tha se Kosova duhet të fokusohet urgjentisht në tre fusha në mënyrë që të shënojë përparim, si në pavarësinë e sistemit të drejtësisë, luftën kundër korrupsionit dhe në fushën e prokurimit publik.

“Pavarësia e sistemit të drejtësisë është në atë që të ndalohen ndërhyrjet e politikës në sistemin e drejtësisë dhe puna profesionale e gjyqtarëve dhe prokurorëve të vlerësohet, të mos ndikohet nga jashtë. Lufta kundër korrupsionit të jetë, sidomos lufta ndaj grupeve të ndryshme nëpër institucione të vendit, në këtë rast i kishim bërë thirrje prapë Prokurorisë së Shtetit që të intensifikojë luftën kundër korrupsionit nëse Kosova dëshiron të shënojë ngritje, e me rastin e fundit të aferës ‘Pronto’ Kosova më shumë gjasë edhe pse është në janar, me shumë gjasë do të shënojë zbritje prapë meqë kemi një pandeshkueshmëri në rastin më të madh të nepotizmit në Kosovë, i cili secili qytetar e ka dëgjuar dhe e ka pa se si janë caktuar njerëzit në pozita të caktuara. Në fushën e prokurimit publik kërkojmë ngritje të transparencës, është bërë një hap i leh të në hapjen e kontratave, gjithsesi kontratat e mëdha nuk po i shohim, kontratat që janë lidhur me ‘Bechtel Enka’ për autostradën ‘Ibrahim Rugova’, për autostradën Arbën Xhaferi, pastaj kontrata për autostradën e Gjilanit”, tha ai.

Në raport përmendet fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet në Kosovë dhe thuhet se ky subjekt ka shansin të dëshmojë angazhimin e saj në luftën kundër korrupsionit.

Arben Kelmendi nga KDI tha se tash i mbetet LVV që nga fjalët të kalojë në vepra sa i përket luftës kundër korrupsionit.

“Përmendja e Vetëvendosjes, e rezultateve të fundit në zgjedhjet në Kosovë, ka qenë përpjekje e ‘Transparency International’ për të dhënë informata sa më të freskëta, do të thotë ju e dini se ky raport e mbulon periudhën e vitit 2019 dhe pastaj patëm zgjedhjet në tre mujorin e fundit, rezultatet të cilat shënuan se qytetarët kërkojnë ndryshim në Kosovë. Sigurisht ‘Transparency International’ e ka përmendur fitoren e LVV-së në zgjedhje ndoshta si një shans, nëse e shihni titullin e raportit thotë shans për LVV-në, do të thotë LVV e cila e ka proklamuar me aq zhurmë luftimin e korrupsionit, se do të qeverisin ndryshe nga partitë e gjertanishme, do të thotë tani i mbetet asaj që të kalojë prej fjalëve në vepra dhe të dëshmojë se vërtet do t’i prijë luftës kundër korrupsionit dhe krimit në Kosovë”, tha ai.

“Transparency International” ka bërë vlerësimin e 180 vendeve, ku Danimarka dhe Zelanda e Re janë renditur të parat me nga 87 pikë, me shtetin danez që këtë vit ka një pikë më pak se vitin e kaluar. Vendin e tretë e mban Finlanda me 86 pikë pasuar nga  Singapori, Suedia dhe Zvicra.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

error: Content is protected !!