Sivjet do të investohen 80 milionë euro më shumë në asfalt

Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, ka folur për investimet në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore të Kosovës.

Zharku ka thënë në KTV se buxheti për vitin 2017 vetëm për investime kapitale do të jetë 280 milionë euro.

Ndërkaq, 270 milionë euro janë paraparë vetëm për projekte kapitale.

Zharku ka treguar se buxheti për infrastrukturë këtë vit është për 80 milionë euro më i madh se buxheti i vitit 2016.

Ministri ka folur edhe për autostradën “Arbën Xhaferri”, duke treguar se deri në ditën e fundit të vitit të kaluar “Bechtel Enkas” i janë paguar 327 milionë euro.

Ndërsa ka treguar se sivjet janë paraparë edhe 130 milionë euro nga buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës, si dhe 70 milionë të tjera nga mjetet e AKP-së.

“Pras sivjet do t’i paguajmë edhe 200 milionë euro ‘Bechtel Enka’-s”, ka thënë Zharku.

Zharku ka thënë se deri në fund të vitit 2017 rruga do jetë e përfunduar deri në Doganaj të Kaçanikut.

“Kjo autostradë duhet të përfundohet në janar të vitit 2018, por pasi nuk i kemi parat jemi duke biseduar me ‘Bechtel Enka-n’ të shtyhen punimet edhe për 6 muaj por pa penalizime. Edhe pse do të ketë pak penalizime”, ka shtuar ai.

Ndërsa sa i përket autostradës “Ibrahim Rugova” është caktuar traseja e cila do të kalojë për Merdare, ndërsa deri në fund të vitit, Zharku ka thënë se do të nënshkruhet kontrata me Bankën Evropiane për zhvillim për financimin e 22 kilometrave të kësaj autostrade.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.