fbpx
ekonomia informale

Sigurohen numrat për pakon emergjente. Këto janë kompromiset!

Mungesa e shumicës së nevojshme në Kuvend, për të kaluar Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike, ka detyruar koalicionin qeverisës që të pranojnë kërkesat e PDK-së për të siguruar kalimin e pakos së shumëpritur emergjente për zbutjen e ndikimit ekonomik të pandemisë.

Të mërkurën, në Komisionin për Buxhet dhe Financa, deputetët e koalicionit qeverisës kanë përkrahur katër amendamentet e propozuara nga PDK-ja, për të siguruar votat e deputetëve të kësaj partie për të kaluar në lexim të dytë këtë projektligj.

Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, njëherësh anëtar i Komisionit për Buxhet, Bedri Hamza, ka thënë se duke e pasur për bazë situatën ekonomike dhe shëndetësore, nëse merren në konsideratë propozimet e tyre do ta mbështesin projektligjin.

Amendamenti i parë, sipas tij, është që mjetet e tërhequra nga Trusti për ata që kanë të kursyera deri në 9 mijë e 999 euro të kompensohen në formë të rimbursimit, duke filluar nga viti 2023.

Amendamenti i dytë është që lënda e parë e cila prodhohet nga veprimtaritë biznesore të regjistruara dhe aktive në Republikën e Kosovës, pavarësisht se a eksportohet jashtë vendit apo jo, lirohet nga TVSH-ja.

Amendamenti i tretë parasheh që të gjitha bizneset të cilat kanë qenë të mbyllura apo kanë pasur probleme të funksionimit të rregullt gjatë kohës së pandemisë, por të cilat kanë qenë aktive të regjistruara në regjistër të biznesit para datës 29 shkurt 2020, të mbështeten financiarisht nga ana e buxhetit të Kosovës me mjete monetare për t’i mbuluar shpenzimet operative në shumën prej 200 milionë eurosh.

Dhe amendamenti i katërt, të paguhen nga ana e buxhetit të Kosovës pagat e punonjësve në sektorin privat për periudhën tetor dhe dhjetor 2020, të cilët si pasojë e pandemisë COVID-19 janë larguar apo pezulluar nga puna e tyre për periudhën jo më të shkurtër se tre muaj pas datës 29 shkurt 2020 e deri më 30 dhjetor 2020. Shuma e pagesës për punëtorët është 300 euro për një muaj.

Deputetët e pushtetit i kanë përkrahur këto amendamente. Por deputetja e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila e ka lidhur me zgjedhjet në Podujevë.

“Kur Hamza e lexoi arsyetimin e rekomandimeve pikën e parë, prita të thotë rezultati i zgjedhjeve në Komunën e Podujevës, për arsye se nuk e ka asnjë arsyetim tjetër që 13 herë ta diskutojmë ne projektligjin për rimëkëmbje ekonomike e të mos jenë këto amendamente, të mos jenë komente, arsyetime qoftë të PDK-së apo edhe deputetëve të tjerë”, ka thënë ajo.

Sipas saj, ndryshimet e pozicioneve vijnë si rrjedhojë jo e dinamikës, por po ndodh për shkak të dinamikës politike.

“Interesi dhe nevojat, kërkesat e tyre po bëhen pjesë e pazarit politik. Duhet shqyrtuar me seriozitet secilin propozim, por dua ta theksoj se do të ishte e drejtë të thuhet se rezultati i zgjedhjeve në një komunë ka sjellë një ndryshim të pozicioneve të partive politike në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka theksuar ajo.

Ndërsa deputeti tjetër i LVV-së, Hekuran Murati, tha se këto katër amendamente sipas llogarive të tij janë 350 milionë euro shtesë, që do t’i shtohen projektligjit për rimëkëmbje ekonomike, derisa këto amendamente i quajti më shumë dëshira sesa realitet.

Por, atij i është përgjigjur deputeti i PDK-së, Bedri Hamza, i cili tha se këto amendamente kanë obligime shtesë, por që jo aq sa thoshte Murati.

Deputetët e partive në pushtet i kanë përkrahur këto propozime.

Pas kësaj, PDK-ja në një konferencë për media ka bërë të ditur se ka kërkuar seancë të jashtëzakonshme për të premten për të kaluar këtë projektligj. Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se edhe pse në opozitë, PDK-ja nga fillimi i pandemisë e ka ndjekur me shqetësim gjendjen dhe ka takuar në vazhdimësi Odat Ekonomike dhe qindra biznese e punëtorë të sektorit privat që kanë pritur se shteti do t’u gjendet pranë.

“Me muaj të tërë kemi kërkuar që partitë parlamentare të ulen e të plotësojnë ligjin për rimëkëmbje ekonomike, por në mungesë të vullnetit për bashkëpunim, qeveria e ka propozuar një ligj që në përmbajtje është i mangët dhe ka nevojë të plotësohet”, ka theksuar ai.

Projektligji për Rimëkëmbje ka pesë muaj që është miratuar në Qeveri, por që nuk ka arritur që të kalohet në Kuvend. Vetëm në lexim të parë, partive në pushtet u janë dashur shtatë tentime për ta kaluar.

Projektligji ka 13 nene, dhe është me kohëzgjatje deri në fund të vitit 2021. Pos pikës së shumëpërfolur për tërheqjen nga Trusti, projektligji parasheh ndryshime në TVSH-së e tatime në të ardhura për korporata.

Pika kryesore e këtij projektligji konsiderohet ndryshimi i Ligjit për Themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, ku synohet krijimi i kompetencave për FKGK-në që të plasohen skema dhe produkte të reja në treg, të rritet përqindja e mbulesës deri në 80 për qind për garancitë kreditore (aktualisht mbulon deri 50 për qind), të lëshojë garanci kreditore për zhvillimin e biznesit për fermerët e regjistruar në mënyrë të rregullt në regjistrin e fermerëve që mirëmbahet nga ministria përgjegjëse për bujqësi dhe të pajisur me numër Identifikues të Fermës, edhe në rastet kur fermeri përkatës nuk ka të regjistruar shoqëri tregtare në ARBK, si dhe në rast nevoje, Qeveria e Kosovës autorizohet të mbulojë tarifat për shërbimet e FKGK-së ndaj institucioneve financiare.

Ndër çështjet më të përfolura ka qenë krijimi i mundësisë që qytetarët të tërheqin 10 për qind të kursimeve të tyre pensionale. Sipas Qeverisë, me këtë mekanizëm do të futeshin në treg rreth 200 milionë euro.

Ndryshime është paraparë të ketë edhe në Ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Projektligji parasheh reduktimin e normës së TVSH-së nga 18 për qind në tetë, për furnizimet e hoteleve, restoranteve, dhe shërbimeve të ushqimit, si dhe lirohen nga norma e TVSH-së transaksionet e sigurimit dhe risigurimit në bujqësi, për policat e sigurimeve bujqësore, për kulturat bujqësore.

Po ashtu, me këtë projektligj kërkohet që mjetet e Agjencisë Kosovare të Privatizimit të mund të ridestinohen edhe për kategoritë e kërkuara ekonomike, përveç kategorisë së pagave dhe mëditjeve. Pra, do të hiqet kufizimi që mjetet e pranuara nga privatizimi të destinohen vetëm në projektet infrastrukturore.

Me ndryshimet në Ligjin për Tatim në të Ardhurat e Korporatave dhe në Ligjin për Administratën Tatimore synohet që të mundësohet shtyrja e afatit të pagesës së tatimeve të bizneseve deri në dy vjet, sipas kritereve që do të përcaktohen, si dhe lirimi i të gjitha bizneseve nga ngarkesa e interesit për mospagesë të tatimeve, me kusht që të paguhen deri në fund të këtij viti.

Amendamentet e PDK-së

• Mjetet e tërhequra nga Trusti për ata që kanë të kursyera deri në 9 mijë e 999 euro, të kompensohen në formë të rimbursimit, duke filluar nga viti 2023.

• Lënda e parë e cila prodhohet nga veprimtaritë biznesore të regjistruara dhe aktive në Republikën e Kosovës, pavarësisht se a eksportohet jashtë vendit apo jo, lirohet nga TVSH-ja.

• Të gjitha bizneset të cilat kanë qenë të mbyllura apo kanë pasur probleme të funksionimit të rregullt gjatë kohës së pandemisë, por të cilat kanë qenë aktive të regjistruara në regjistër të biznesit para datës 29 shkurt 2020, mbështeten financiarisht nga ana e buxhetit të Kosovës me mjete monetare për t’i mbuluar shpenzimet operative në shumën prej 200 milionë eurosh.

• Të paguhen nga ana e buxhetit të Kosovës pagat e punonjësve në sektorin privat për periudhën tetor dhe dhjetor 2020, të cilët si pasojë e pandemisë COVID-19 janë larguar apo pezulluar nga puna e tyre për periudhën jo më të shkurtër se tre muaj pas datës 29 shkurt 2020 e deri më 30 dhjetor 2020. Shuma e pagesës për punëtorët është 300 euro për një muaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.