Ballina / Kulturë / Si u zhvlluan ngjarjet e gushtit 1949 në kufirin shqiptaro-grek
gushti 1948

Si u zhvlluan ngjarjet e gushtit 1949 në kufirin shqiptaro-grek

Për vite e vite me radhë në shtyp dhe në tubime të ndryshme ngjarjet e gushtit 1949 në kufirin shqiptaro-grek janë quajtur gabimisht si provokacion.

Faktet dhe dëshmitarët që janë ende gjallë tregojnë se kemi të bëjmë shumë më tepër se me një provokacion, me një luftë të vërtetë.

Nuk ishte provokacion siç u cilësua nga shteti shqiptar në vitin 1949, apo siç vazhdon të konsiderohet gabimisht edhe sot. Sulmi i armatosur grek i 2 gushtit 1949, kundër Shqipërisë nuk ka qenë incident, apo provokacion, por ka qenë luftë e vërtetë, me të gjithë karakteristikat dhe elementët e një sulmi për pushtim, paçka se e zhvilluar vetëm në një pjesë të kufirit e territorit të vendit.

Ushtria greke me 2 gusht 1949 nisi sulmin ushtarak ndaj Shqipërisë duke përdorur mbi 70 mijë forca të armatosura, 50 avionë, 80 tanke dhe një skalion artilerie me afro 400 topa gjuajtës; ndërsa në vijën e mbrojtjes së vendit tonë u mobilizuan direkt në luftime rreth 10 mijë ushtarë, ndërkohë që u mbajtën rezervë në gatishmëri rreth 30 mijë trupa pranë vijës greke të sulmit.

Mjafton përmendja e këtyre shifrave dhe një situte të vërtetë luftarake për dy javë me radhë, për të kuptuar të vërtetën e atij sulmi.

Disa fakte dhe dëshmi

Duke iu referuar të dhënave që janë botuar kohë pas kohe dhe dëshmive të shumta të ushtarakëve dhe ushtarëve që morën pjesë në luftimet e ashpra, mësohet se sulmi nisi në mëngjesin e 2 gushtit 1949, në orën 04.30, në zonën e Bozhigradit. Fillimisht artileria greke nisi përgatitjen e zjarrit me topat e dislokuar përgjatë kufirit me Shqipërinë.

Predhat ranë deri 300-400 m në thellësi të territorit shqiptar. Në orën 05.00 filloi sulmi i fanterisë greke me 3 batalione të Br.51F dhe Br.52F të D1F, të mbështetur nga një regjiment artilerie dhe një skuadrilje aeroplanësh gjuajtës, me bazë në aerodromin e qytetit Kastoria. Ata sulmuan kuotat 1309 dhe 1425 që ndodheshin 100 m në thellësi të territorit shqiptar, në sektorin e postës kufitare Vidohovë-Bilisht.

Sulmi i tyre u ndesh në mbrojtjen e rojeve të kufirit shqiptar, të cilat në momentin e sulmit fillestar nuk ishin më shumë se një togë, ushtarët e së cilës ishin të armatosur kryesisht me pushkë e automatikë, si dhe me 3 mitraloza të rëndë e 4 të lehtë. Në këtë pikë beteja vazhdoi e ashpër për 7 orë. Nga deklarimet e para të qeverisë mësohet se gjatë 11 orëve të para të sulmit, monarko-fashistët grekë patën 100 të vrarë dhe mbi 100 vetë të plagosur. Ndërsa humbjet nga ana shqiptare: një i vrarë dhe dy të plagosur. Vetëm me 14 gusht grekët lanë në zonën e Bilishtit 60 ushtarë të vrarë.

Dan Gradica, ish-mitralier në atë betejë ka treguar se:

“E prisnim se kur do të vinte greku për të na goditur. Sulmoi menjëherë. Erdhi Mehmet Shehu dhe na tha “Luftë, na sulmoi greku”. U ngritëm e u shpërndamë nëpër pika. Zumë vijën e parë të sulmit. Në fillim ushtarët grekë i kishim 100-150 metër larg. Nga atje edhe qëllonte, edhe na shante. Nuk linte gjë pa na thënë me sharje.

Çfarë nuk na thonin. Shanin shqiptarët me fjalë të pista dhe me fjalor fyes për nënat, gratë, motrat, qeverinë, Enver Hoxhën. Fillimisht ishim në vijën e dytë. Zumë pozicionet por pa hapur zjarr. Nuk kishim marrë urdhër të shtinim.

Kishim zënë vend në pikat e caktuara më parë. I dinim të gjitha përmendsh pasi kishim bërë përgatitje prej disa kohësh. Prisnim urdhrin nga komanda për veprim. Distanca nuk ishte edhe e afërt.

Resul Bedo, një ish partizan e më pas me detyra drejtuese në brigadën e VI-S, viti 1949 do ta gjente me gradën toger në shtabin e regjimentit të Pogradecit, njësi e cila u fut e para në veprim pas sulmit të ushtrisë grek në fillim të gushtit të po atij viti. Ai kujton:

Mëngjesin e 2 gushtit 1949 ushtria greke bëri një sulm frontal të befasishëm duke marrë postën e kufirit të Vidohovës në lartësinë 1309 metra. Ishte brigada “41” e ushtrisë së shtetit fqinj. Sulmi tokësor u shoqëruar me nga ajri. Në postën shqiptare ishte vetëm një skuadër e armatosur me automatikë dhe mitraloza. Forcat greke vranë ushtarët Tafil Ferhati, Memo Nexhipi, Ferid Bregasi, Shyqyri Avdia, Ibrahim Fetahu, Hasan Ramadani dhe u plagosën 6 të tjerë.

Ne si regjiment na u dha urdhri urgjent të rimerrnim Postën e Kufirit. Nga dreka arritëm në Vidohovë dhe të dy batalionet tona u hapën në formacion luftimi. Kishim tërhequr me vete dhe mortajat. Me ne u bashkuan edhe ata ushtarë të kufirit që ishin shpartalluar nga sulmi i befasishëm.

Morëm masa për kundërveprim dhe pas disa orë luftimesh arritëm ta merrnin Postën. Ndërkohë ushtarët grekë kishin marrë edhe një pikë tjetër që njihej si lartësia 1441 metra. Artileria greke qëllon dhe predhat bien 300-500 metra në tokën tonë. Forcat greke nisin dhe një sulm ajror duke angazhuar 3 batalione.

Më tej Resul Bedo ka treguar Petrit Dume ishte organizatori kryesor i cili në atë kohë komandonte divizionin e Korçës. Ai jo vetëm që drejtoi nga shtabi i divizionit sprapsjen e sulmit të ushtrisë greke dhe marrjen e postave Kufitare, por e shkeli vetë terrenin pëllëmbë për pëllëmbë duke parë me sytë e tij se si ishin zhvilluar luftimet dhe si ku duheshin përqendruar forcat. Më pas Enver Hoxha dërgoi Mehmet Shehun, si njeri që kishte shumë emër në popull dhe në ushtri. Enver Hoxha erdhi vetë në Korçë për tu njohur nga afër me situatën si dhe vizitoi të plagosurit.

Fundi i betejës

Data 14 gusht shënohet si fundi i provokacioneve ushtarake greke. Në këtë datë është sulmuar piramida 30-31 në sektorin Bilisht ku ndodhi edhe disfata më e turpshme për grekët, duke lënë në betejë 60 të vrarë dhe shumë të plagosur.

Këtë disfatë e pësoi brigada 41 e divizionit të 9-të grek, e cila qe shoqëruar në sulm me dy regjimente të artilerisë së rëndë dhe një skuadrilje avionësh gjuajtës, që u sulën në mënyrë të rrufeshme duke përdorur zjarrin dhe fuqinë e të gjitha llojeve të armëve dhe mjeteve drejt piramidës 30-31, por që patën një kundërpërgjigje të ashpër nga trupat tona.

Me disfatën e Brigadës 41 të Divizionit të 9 me 15 gusht, merr fund agresioni i hapur në kufijtë shtetërorë të vendit tonë.

Bilanci

Sipas evidentimit të betejës në arkivin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe në atë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në faqen 273 të Inventarit/I, mësohet se trupat greke lanë të vrarë në tokën shqiptare 300 ushtarë, 500 të plagosur dhe 270 robër. Sipas botimeve në shtyp, prej datës 2 gusht, deri në orën 12.00 të datës 15 gusht 1949, mbetën të vrarë 29 ushtarë dhe oficerë të ushtrisë tonë dhe u plagosën 127 të tjerë.

Check Also

mantra, france

Aty ku ka vullnet, lulëzon arti

Mantra është një artist i talentuar me bazë në Francë, i cili ka kthyer mure …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *