fbpx

Si po i reziston Suedia trendit evropian kundër koronavirusit?

Ndërkohë që shtetet anëtare të Bashkimit Evropian miratojnë masa të ashpra të karantinës për të luftuar pandeminë me koronavirus, duke përfshirë edhe mbylljen e kufijve kombëtarë, mbylljen e shumë bizneseve dhe prezantimin e masave strikte për distancim shoqëror, është një vend në BE që është duke vepruar ndryshe deri më tani, Suedia.

Në Suedi, fëmijët deri në moshën 16-vjeçare ende shkojnë në shkollë. Dyqanet, restorantet dhe kafiteritë janë të hapura, ndonëse një masë e fundit e prezantuar lidhur me koronavirusin u ndalon konsumatorëve bërjen e porosisë në banak – vetëm shërbimi në tavolinë është i lejuar.

Kufijtë e këtij shteti nuk janë mbyllur dhe grumbullimet e më shumë se 50 personave ende janë të lejuara. Deri më 27 mars, ai numër ka qenë deri në 500. Në qyteza dhe qytete tjera, njerëzit ende janë duke mbushur rrugët, sheshet dhe transportin publik.

Madje nëpër rrugë është e vështirë të shihni dikë duke mbajtur maskë mbrojtëse. Ditëve të fundit, mijëra persona janë nisur nëpër qendra të skijimit në veri, ku ka pak objekte spitalore. Rekomandimi më i ashpër nga qeveria deri më tani ndaj qytetarëve ka qenë që këta të fundit të shmangin udhëtimet jo të domosdoshme dhe u kanë nisur këshillë shoqërore atyre që janë mbi moshën 70-vjeçare, që të qëndrojnë në shtëpi.

Të gjitha këto imazhe janë vështirë të kuptueshme në shtetet tjera nordike, ku kufijtë ndërkombëtarë veçse janë mbyllur javën e kaluar dhe ka nisur vëzhgimi i distancimit shoqëror.

Prandaj, politikat suedeze duken si fantazi totale për shumë njerëz në vendet tjera të BE-së, të cilët pritet të përballen me masa edhe më të ashpra sesa ato që kanë tani.

Qasja suedeze është ndjekur edhe nga Mbretëria e Bashkuar deri vonë. Vetëm disa ditë më parë, Qeveria e kryeministrit britanik, Boris Johnson ka vendosur të ndjekë trendin evropian të karantinës, pasi numri i personave të vdekur si pasojë e pandemisë me koronavirus kishte nisur të rritej ndjeshëm.

Më 27 mars, është bërë e ditur se vetë Johnson ka dalë pozitiv në testin për këtë virus.

Anders Tegnell, kryetari i Agjencisë së Shëndetit Publik në Suedi, Folkhälsomyndigheten, ka mohuar pretendimet se taktikat e Suedisë kanë për qëllim të arrijnë “imunitet grupor”, që ndodh kur një virus infekton të paktën 60 apo 70 për qind të popullsisë, të cilët më pas shërohen dhe fitojnë imunitet, duke parandaluar infektim më të madh.

Tegnell ka thënë se qëllimi i qeverisë është që të parandalojë shpërndarjen e infektimit me qëllim të mosngarkimit të shërbimit shëndetësor në asnjë pikë.

Deri më 27 mars, Suedia ka regjistruar 2,840 raste dhe 77 vdekje – shifra jo shumë të ndryshme sesa ato të fqinjve, ndonëse numri i rasteve, sikur edhe në shtetet tjera është duke u rritur shpejt në kohën e fundit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.