Si duhet të sillen refugjatët gjatë Karnevaleve

Një rregullore sjelljeje për refugjatët në shtatë gjuhë është gati e po shpërndahet pak para se karnavalistët të festojnë nëpër rrugët e Gjermanisë. Synimi: Të shpjegohet “gjendja e jashtëzakonshme” nëpër rrugë.

“Bützen” – në gjermanisht do të thotë një puthje në faqe – dhe është tipike për karnavalet. Një broshurë e qytetit të Bonn-it në shtatë gjuhë shpjegon se ç’do të thotë puthja, apo “kamelle” -“bonbonet” dhe zakone të tjera, traditë në zonën e Rinit. Para se të fillojnë festimet e karnavaleve më 4 shkurt, punonjës të administratës së bashkisë apo të qendrave të strehimit të refugjatëve i shpërndajnë këto broshura që janë pjesë e iniciativës “Save me”. “Për njerëzit që nuk kanë dëgjuar kurrë për karnavalet është disi e çuditshme – edhe në kuptimin pozitiv”, thotë Sabine Kaldorf nga Iniciativa e Refugjatëve “Save me”, e me këtë broshurë refugjatëve iu jepet një rregullore si ndihmesë.
“Jo do të thotë vërtet Jo”
Që karnevalet nuk nënkuptojnë vetëm maskën e kostumimin, këtë e di gjithkush, po qe se ka kaluar në një kohë të tillë nga pubet e Bonn-it, Köln-it, Düsseldorf-it. Atmosferë festive shkon shpesh paralelisht me përdorimin e alkoolit në mënyrë të ekzagjeruar, apo edhe ndonjë përpjekje që i kalon kufijtë e një “bützten”- puthjeje platonike. Kjo mund të sjellë edhe keqkuptime me vete, prandaj broshura e informimit për refugjatët përmban paralajmërime. “Ju lutemi ruani masën” në konsumimin e alkoolit! Urinimi në ambiente publike është i ndaluar dhe “bützen” -puthja nuk duhet të keqkuptohet. “Afrimi seksual nuk është i lejuar! Një grua dhe një burrë duhet të bien dakord gjithmonë për një gjë të tillë! Jo do të thotë jo!”
Deutschland Karneval in Mainz
Ndërsa Shoqata e Karnavalistëve të Mönchengladbach-ut ka shtuar në informacionet e saj se vepra penale “si në festimet e Vitit të Ri në Köln nuk do të tolerohen dhe do të ndiqen penalisht”.
“Shumë rregulla”
Azilkërkuesja nga Libani, Noura Saab el Chami është e të njëjtit mendimi. Ajo jeton prej afro një viti në Köln, por nuk ka për të festuar karnevalet “sepse nuk di asgjë për këtë”. Ajo ende nuk e ka parë broshurën, por do të donte të kishte disa informacione. 25 vjeçarja është e mendimit se refugatëve u duhen shpjeguar zakonet dhe traditat e këtushme. “Në Gjermani ka shumë rregulla, që duhen respektuar. Shumë vetë thjesht nuk e dinë si duhet të sillen.”
“Jo njerëz shpellash”
E ngarkuara e qeverisë gjermane për migracionin, Aydan Özoguz kritikon faktin që broshura të tillë botohen ekstra për refugjatët. Në një intervistë me radion gjermane WDR ajo paralajmëron nga trajtimi i refugjatëve si “njerëz shpellash”. Shoqatat e Karnevaleve të Köln-it dhe Bonn-it nuk kanë publikuar broshura të tilla, por vetëm disa informacione për të orientuar jo vetëm refugjatët, por edhe të huajt që vijnë të festojnë në karneval. “Je i sapoardhur në Köln?” është pyetja e parë në këto informacione. Në shtatë faqe informacione Komisioni i Karnavaleve të Kölnit përpiqet të shpjegojë në anglisht, gjermanisht dhe arabisht frymën e karnevaleve, ku bëhet fjalë për disa orë “për të harruar të përditshmen”, e ku festohet së bashku me miqtë, por sidomos me të huajt”.
CIVIS Medienkonferenz 2016
E ngarkuara e qeverisë gjermane për migracionin, Aydan Özoguz
Por informacionet e Komisionit të Karnavaleve të Kölnit nuk lexohen si paralajmërime, por si shpjegime. Pyetjes “a mund të festoj edhe unë?” i jepet përgjigja: “Patjeter, kölnasit janë të hapur dhe kuriozë ndaj të huajve -një buzëqeshje të tregon se dikush dëshiron të festojë me ty!” Edhe konsumimi i alkoolit preket si temë, duke theksuar se ai nuk është detyrim. “Dëfrim, vallëzim, këngë ka edhe pa alkool.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.