Ballina / Kulturë / Si diskutohet një libër pa e lexuar
Ephraim Kishon

Si diskutohet një libër pa e lexuar

Shkrimtari izraelit Ephraim Kishon ka lindur në Budapest më 23. 8. 1924. Emri i tij i lindjes ishte Fernc Hofmann. Ka vdekur më 29. 1. 2005 në Meistersrçte, Zvicër. Ishte izraelit me prejardhje hungareze.

Në letërsi botërore vlerësohet si një nga satirikët më të mirë të shekullit 20. Në gjuhën gjermane ka të botuar 42 libra, kryesisht përmbledhje të satirave, tre romane, 12 drama. Ka marrë dhjetëra çmime letrare nga institucione të ndryshme botërore.

SI DISKUTOHET NJË LIBËR PA E LEXUAR

Titulli në origjinal: Noah’s Ark, Tourist Class

Etërit tanë, të cilët shpikën shkrimin hebraik para disa mijëvjeçarëve, duhet të kenë qenë majtistë, sepse shkruanin nga djathta në të majtë. Përveç kësaj, ata duhet të jenë përcaktuar që shkrimi i librave të shenjta të mos mund të lexohej nga masat. Prandaj, si në stenografi, ata eliminuan të gjitha zanoret. Dhe kjo është arsyeja pse në hebraisht është më lehtë të shkruash sesa të lexosh. Nuk është befasuese, që shkrimtarët hebraikë janë vazhdimisht nën ethe për gjetjen e lexuesve. Numri mesatar i lexuesve të tyre është tre: botuesi, korrektuesi dhe printuesi. Si lexues të katërt, ata më duan mua.

***

Rasti me Tola’at Shanin më merakoste. Jo, vërtet nuk ishte mirësjellje nga ana ime. Para nja gjashtë muajsh ai ma dërgoi librin e tij të ri. Sapo e mora, e vura mbi tryezë apo diku tjetër dhe atje, kudo që të jetë tashmë, patjetër duhet ta kenë mbuluar rrjetat e merimangave.

Fillimisht ia dilja të justifikohesha me anë të arsyetimeve të zakonshme: “Po, e kam marrë! ˗i thosha kalimthi, kur e shihja Tola’at Shani nga larg. ˗ Sapo të kem pak kohë të lirë do ta lexoj!”

Dhe autori i ri premtues më buzëqeshte me mirënjohje.

Një ditë, papritmas, e pashë duke ardhur rrëmbimthi drejt meje. E sqarova se isha në mes të leximit dhe se për të do të flisnim pak më vonë, kur ta mbaroja të gjithin.

Shumë shpejt pas kësaj dite ndodhi një rastësi tjetër e turpshme. Tola’at Shani hyri në kafene dhe shikimi i tij, së pari, u drejtua nga unë, në momentin kur u ngrita dhe isha duke dalë. Mbaj mend shumë mirë, që pikërisht atë ditë pata vendosur ta shfletoja me kujdes librin. Nëse nuk gaboj, pata shtrirë dorën drejt librit. Por pikërisht atë çast pati cingëruar telefoni, pastaj zilja e derës dhe ndodhi edhe diçka tjetër, që dora ime nuk e arriti dot librin. Dhe kështu, libri mbeti sërish i paprekur.

Pak ditë më parë, kur isha duke pritur në radhë për një biletë filmi, papritmas dikush më kapi për krahu. Ishte Tola’at Shani. Kësaj radhe nuk kisha si t’i ikja.

˗ E keni lexuar librin? ˗ më pyeti ai.

Unë pohova disa herë duke tundur kokën dhe me një pamje serioze në fytyrë.

˗ Ne duhet të flasim për këtë më gjerësisht. Unë kam shumë për të thënë. Por këtu, duke pritur në radhë…

Unë nuk e kisha mbaruar ende fjalinë, kur në sportel u vendos tabela me mbishkrimin “biletat mbaruan”. Fati im qe vulosur. Vetëm një shqiponjë që shfaqej papritur në qiell e që mund të më rrëmbente në kthetrat e saj mund të më shpëtonte. Por, për fat të keq, në Tel Aviv nuk ka shqiponja. Përkundrazi, ka shumë kafene… Kaq shumë, saqë në çdonjërën prej tyre do të gjendej një tavolinë e lirë për dy veta. Tola’at Shani, i cili ende nuk ma kishte lëshuar krahun, gjeti atypari një tavolinë për dy veta. Pas pak çastesh u gjendëm të dy përballë njëri-tjetrit.

˗ Kështu, pra, ˗ ia nisi Tola’at Shani, ˗ ju donit të flisnit me mua për librin tim.

˗ Po, ˗ u përgjigja. ˗ Më vjen mirë që, më në fund, ju takova.

Ajo situatë ku u katandisa më kujtonte disi pikën kulmore dramatike të disa filmave të Wild West-it, kur sherifi dhe arroganti përplaseshin në rrugën kryesore, të braktisur nga njerëzit, dhe ballafaqimi përfundimtar nuk mund të shmangej. Edhe rruga “Dizengoff” papritmas m’u duk aq e braktisur. Nuk mbaj mend të më jetë dukur ndonjëherë aq e braktisur. Asnjë fytyrë të vetme e të njohur nuk arrija ta shquaja.

Gjithë mëdyshje u përpoqa ta rikujtoja librin, por në kujtesën time virtuale u shfaq vetëm zarfi ngjyrë kafe, brenda të cilit gjendej libri, por që nuk e kisha hapur ende. Të paktën të dija se çfarë libri ishte dhe çfarë tematike kishte. Të dija nëse ishte një roman, një përmbledhje me tregime, një tufë poezish, një dramë, një përmbledhje esesh. As këtë nuk e dija.

Heshtja e plumbit kërcënoi të më ngufaste. Unë duhej të thosha diçka patjetër.

˗ Duhet t’ju them vetëm diçka, ˗ i thashë. ˗ Ju keni bërë një punë të jashtëzakonshme në këtë libër.

˗ Tre vjet, ˗ pohoi Tola’at Shani. ˗ Por temën kam shumë vite që e kam në mendje.

˗ Vetëkuptohej menjëherë kjo. Është një punë me vlerë.

Heshtje. Heshtje varri! Pa shpëtim.

As për të qeshur nuk po më vinte më.

˗ Ju lutem, tani më thoni mendimin tuaj për librin, ˗ kërkoi të dinte autori i ri premtues, me një zë serioz, që mbante peshën e pritjes së vlerësimit.

˗ Unë jam shumë i impresionuar!

˗ Jeni impresionuar nga përmbajtja e librit?!

Në çastin e fundit më ra diçka në mendje, që të shpëtoja nga kurthi. Tola’at Shani më vështronte me aq vëmendje, sa po më hante me sy. Nëse do t’i përgjigjesha “Po, jam impresionuar nga libri juaj”, ai do ta kuptonte menjëherë se unë nuk e kisha lexuar librin.

˗ Dua të jem shumë i hapur me ju, ˗ i thashë. ˗ Fillimi nuk m’u duk gjithaq impresionues.

˗ Edhe juve? ˗ psherëtiu Tola’at Shani i hutuar. ˗ Unë nuk e mendoja kështu. Një shkrimtar i njohur si ju duhet ta dinte se çdo libër ka nevojë për një ekspoze.

˗ Ekspoze! ˗ thashë në mënyrë paksa të pakontrolluar. ˗ Pyetja është nëse një libër të përthithë menjëherë ose jo.

Tola’at Shani uli kokën dhe dukej aq i mërzitur, saqë u ndjeva keq për këtë. Por pse ai shkruan ekspoze të tilla të mërzitshme?

˗ Më vonë tematika merr hovin e saj, ˗ e ngushëllova. ˗ Personazhet i keni shtjelluar shumë mirë. Dhe historia ka atmosferë, ka ritëm, ˗ thashë, duke u paraqitur sikur ato që thosha, ishin të vërteta.

˗ A jeni dakord edhe ju, se unë duhet ta shkurtoj gjysmën e pjesëve përshkruese të librit?

˗ Nëse do ta kishit bërë këtë, do të ishte një bestseller.

˗ Mund të bëhet, ˗ tha Tola’at Shani krejt ftohtë, ˗ por për mua ishte më e rëndësishme të rrëfeja saktësisht pse Borisi u bashkua me rebelët kryengritës.

Borisi!!! Ja ku më doli Borisi!

˗ Borisi është një karakter që nuk harrohet shpejt, ˗ u ndjeva i detyruar të shtoja. ˗ Vërehet që e gjithë dashuria jote i kushtohet atij.

Tola’at Shani më pa me sy të zgurdulluar.

˗ Dashuri? E dua unë Borisin? Këtë derr? Kriminel? Unë mendoj se ai është karakteri më shpifarak që kam krijuar ndonjëherë!

˗ Ju vetëm e besoni këtë, ˗ e udhëzova atë. ˗ Më lejoni t’ju them se ju, pandërgjegjshëm, identifikoheni me të.

Tola’at Shani u zbeh.

˗ Ajo që thoni ju më vret si plumbi, ˗ murmuriti ai, pa bërë ndonjë lëvizje. ˗ Kur fillova ta shkruaja librin, e urreja Borisin. Për këtë jam i sigurt. Por, pastaj, kur ai u bë pjesë në grindjen midis Pjetrit dhe atasheut detar dhe kur nuk i tregonte nënës së vet për përdhunimin që i kishte bërë Abigailit… Besoj se ju kujtohet?

˗ Edhe çfarë nëse më kujtohet! Ai nuk i rrëfeu nënës së tij asgjë…

˗ E saktë! Prandaj e pyeta veten: “A është Borisi një person më i vlefshëm sesa një zoolog, me të gjitha prapështitë dhe mangësitë e tij?

˗ Ne të gjithë jemi njerëz, ˗ i thashë lirshëm. ˗ Disa janë të tillë, disa të tjerë janë tjetër lloj por, në thelb, të gjithë jemi të njëjtë.

˗ Pikërisht kjo është ajo që desha të thosha.

˗ Tashmë po mendoj, se duhet ta kem lexuar librin? Si të them, në mënyrë të pandërgjegjshme, pa qenë në gjendje të di nëse e kam lexuar?

˗ Mua më kanë siguruar nga shumë anë, ˗ tha Tola’at Shani me ngurrim, ˗ se ky libër është më i miri deri më tani, të paktën sa i përket rrjedhshmërisë.

Ngrita sytë lart, duke i dhënë të kuptonte se po mendohesha për të vlerësuar gjithë krijimtarinë e mëparshme të autorit të ri premtues, me një shikim të vetëm, edhe pse ende nuk kam lexuar ndonjë rresht nga ai. E pse do të duhej të lexoja? Kush është ky Tola’at Shani? Pse m’i dërgonte librat e tij? Mirëpo, kjo ndodh vetëm për hir të mirësjelljes.

˗ Nuk do të thosha menjëherë se libri juaj është më i miri. Por, sigurisht, se është më intriguesi!

Këtu Tola’at Shani u struk. Pa dyshim, e kisha kapur në pikën e tij më të ndjeshme. Ndjeva keqardhje. Mos ndoshta unë duhet të përmbahesha, për hir të mirësjelljes improvizuese, që ai ta livadhiste diletantizmin e tij?

˗ E dija këtë! Për Zotin, e dija këtë! ˗ Hidhërimi i diletantit, i përfshirë nga mendjemadhësia, u duk në zërin e tij. ˗ E keni fjalën për darkën në shtëpinë e komandantit të njësitit sulmues, apo jo? Mund të betohem se shovinizmi juaj bazohet në këtë skenë. Ndoshta unë do të duhej t’i përmblidhja të gjitha ngjarjet në këtë luginë malore, të goditur nga përmbytja, që të ishin më tërheqëse gjatë leximit? Nëse e mbani mend…

˗ Mos belbëzoni, ˗ i tërhoqa vëmendjen. ˗ Durimi im ka kufi.

˗ A ju kujtohet përshkrimi i garës së deveve gjatë natës rreth haremit të sheikut? Ai rrëfim duhet t’ju ketë pëlqyer, apo jo?

˗ Patjetër, shumë! Ajo ishte një skenë me shumë ngjyra.

˗ … Dhe se Jekaterina theu llambën e tavolinës në kokën e gjyqtarit? A pajtoheni edhe ju me këtë?

˗ Kjo varet nga rrethanat.

˗ Atëherë ju nuk do të mund ta kundërshtonit fatin, që unë sajova për Meir-Kronstadtin dhe sojin e tij!

Kjo më shkaktoi irritime drithëruese. “Opaaa, djalë i ri, ˗ mendova. ˗ Ti mund të bëhesh serioz, kur do, por Meir-Kronstadtin mos ma kritiko!”

E gjithë rrjedha e bisedës më zagushiti. Ishte shumë e përçartë. Tani shkëndijat duhet të fluturonin. Tani vetëpërmbajtjes sime po i vinte fundi.

˗ Dëgjoni, Tola’at Shani! Nëse unë do të isha në pozitën tuaj, nuk do të isha kaq krenar për çështje që kanë të bëjnë me Meir-Kronstadtin.

˗ Megjithatë, unë jam krenar.

Gjaku më hipi në kokë. E pabesueshme. Ky djalosh po guxonte të më kundërshtonte.

˗ Kronstadti është një mashtrues, ˗ i thashë ashpër. ˗ Ajo që bën ai nuk bind askënd. Më shumë se kaq: ai është i tepërt. Ju mund ta hiqni plotësisht, pa dëmtuar librin.

˗ Dhe si, nëse mund t’ju pyes? Atëherë do të duhej të përgatis një konflikt tjetër? Mirë! Por si? Çfarë mendoni ju?

˗ Ndoshta ju mendoni për zoologun.

˗ Për kë tjetër?

˗ Dhe Jekaterinën?

˗ Duhet të shkojë me gjyqtarin!

˗ Në muajin e nëntë?

˗ Pastaj?

˗ A nuk mendoni se është paksa e thjeshtësuar? Përveç kësaj, ju duket se harroni që Jekaterina goditet nga një makinë!

˗ A duhet vërtet të goditet ajo? Sidomos ajo? Nëse dikush duhet të goditet, atëherë ajo duhet të jetë Abigaili.

˗ Qesharake. Çfarë kuptimi do të kishte?

Kjo ishte e tepërt për mua. Kjo nuk duhej t’i thuhej një specialisti si unë. Pothuajse që tridhjetë vjet unë vazhdimisht lexoj libra dhe tani një amator guxon të më thotë “qesharake”.

˗ Thatë “qesharake?! Ju, amator? Dhe gara juaj idioteske e deveve nuk qenkësh ndoshta qesharake? Çfarë po them: qesharake. Është e neveritshme! Kam pasur probleme, që të mos villja gjatë leximit!

˗ Brilante! Ky ishte pikërisht qëllimi që kisha menduar. Një person që neveritet, të paktën e njeh veten. Dhe unë po ju mendoj Ju!

Ne tashmë kishim hyrë në fushën e paparashikueshme të ofendimeve personale. Tola’at Shani ishte zverdhur nga zemërimi.

Frymëmarrja e tij ishte bërë ngufatëse.

˗ Do t’ju tregoj se çfarë nuk ju pëlqen Juve në librin tim, ˗ foli rrëmbyeshëm. ˗ Që unë kam guxuar të heq dorë nga zgjidhjet banale. Se unë nuk e lashë Borisin të zhdukej në përmbytje. E saktë?

Borisi! Edhe ai më mungonte tani.

˗ Shkoni në ferr, ju me Borisin tuaj! ˗ e mallkova. ˗ Ju jeni vënë në shërbim të atij vagabondi! Dhe nëse doni ta dini, afera e tij e dashurisë me Abigailin është krejtësisht e parëndësishme.

˗ E parëndësishme! ˗ ofshau autori i ri premtues.

˗ Ajo duhej t’i përkiste dikujt!

˗ Por… vetëm Borisit jo! A nuk kishte ndonjë tjetër?

˗ Cilin? ˗ Tola’at Shani m’u hodh mua, më kapi për jake dhe më shkundi. ˗ Cilin?

˗ Sa më përket mua, zoologut, si e kishte emrin, Kronstadti!

˗ Kronstadti nuk është zoolog.

˗ Ai është një zoolog! Dhe nëse jo Kronstadti, atëherë komandanti i njësitit sulmues.

˗ Kronstadti është komandant i njësitit sulmues.

˗ Ja, pra! Sa më përket mua, ai mund të jetë cilido që dëshiron. Ai mund të jetë kushdo, vetëm Borisi jo! Madje edhe atasheu detar do të ishte më e logjikshme! Ose Pjetri! Ose Birnabaumi!

˗ Kush është Birnbaumi?

˗ Ai nuk është më i keq se Kronstadti, ju garantoj! Me gjasë ju besoni se është e mjaftueshme që duke gërvishtur letra shkruhet një libër. Kujdes! Po me ngjarjet, si janë shtjelluar? Karakteret? Me konfliktet e brendshme? Me thellësinë?

Tani isha unë ai që po e ngufasja atë.

˗ Kjo varet kryesisht nga thellësia, jo nga bla-blatë dhe abra-kadabrat, si këto tuajat! Borisi! Borisi! Ky duhet të jetë një libër? Për kë? Sigurisht jo për publikun! Askush nuk lexon një libër të tillë! Nuk e kam lexuar as unë.

˗ Ju nuk e keni lexuar librin tim?! ˗ shqeu sytë ai.

˗ Jo! Dhe as që mendoj ta lexoj!

Me kaq u ngrita dhe e lashë atë ulur.

Ai ndoshta ende është i ulur atje! Idioti! E meriton!

(Marrë nga numri i dytë i revistës për kulturë, gjuhë dhe media, “Akademia”,

shkëputur nga përmbledhja “Arka e Noes, klasa turistike”.

Përktheu nga gjermanishtja: Ibrahim Kelmendi)

@Fluidi

Provo po ashtu

Gjurmime në kështjellat romake të zbuluara në Shqipëri

Përfundoi koha e gërmimeve për 2018 të kryera nga Universiteti i Maceratës, në bashkëpunim me …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.