Shumica e partive kundër, AKR do ta nënshkruaj Paktin e Veselit, Nisma ende nuk është deklaruar…

Paktin Kundër Korrupsionit, të cilin e ka propozuar dje kreu i PDK-së Kadri Veseli, nuk e kanë përkrahur shumica e subjekteve politike në vend. Shumica prej tyre e kanë marrë joseriozisht këtë iniciativë, të cilën e kanë quajtur edhe farsë. Vetëm Behgjet Pacolli, lideri i AKR-së, tha sot se do ta nënshkruaj paktin e Veselit.

Një pakt 10 pikësh e ka prezantuar gjatë ditës së djeshme në një konferencë për medie, Kadri Veseli, lider i PDK-së. Ai, duke shpalosur këto pika një nga një, tha se ky pakt po bëhet kundër korrupsionit në Kosovë.

“Nuk është sekret që korrupsioni ka arritur nivele të larta në vendin tonë dhe po e dëmton shumë atë, por lufta kundër korrupsionit është çështja më kritike në agjendën e tij”, theksoi Veseli teksa të martën shpalosi para gazetarëve këtë pakt me 10 pika për luftimin e korrupsionit.

Duke theksuar se ky fenomen po i dëmton edhe marrëdhëniet me miqtë aleatë, ftoi të gjitha partitë politike që ta nënshkruajnë këtë pakt.

Por, partitë politike dje ia refuzuan paktin Veselit, duke shtruar pyetjen se kush e solli korrupsionin në Kosovë?.

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa menjëherë bëri me dije se nuk do ta nënshkruaj paktin e Veselit, pasi siç tha ai, partia që ai e drejton nuk dëshiron të qesë fall dhe të bëjë dokument fals.

“Mund të them që ne me PDK-në nuk nënshkruajmë asnjë dokument, as pakt e as dokument tjetër. Ne luftojmë vetë korrupsionin, dhe këtë e kemi qëllim themelor të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Por, nuk dëshirojmë që të qesim fall për korrupsionin dhe që me ‘fall’ të bëjmë dokument, i cili nuk ka asnjë vlerë”, ka deklaruar Mustafa pas një takimi me njeriun e Merkel, deputetin e CDU-së, Beyer.

E nënkryetarja e AAK-së, Teuta Haxhiu, tha se nuk pret që partia e saj ta mbështesë Paktin Kundër Korrupsionit të Kadri Veselit.

“Nuk e kam parë atë Pakt. Nuk e di nëse do të votohet, por nuk e besoj. Unë rreth kësaj çështjeje kam vetëm një pyetje për Veselin: Kush na e solli korrupsionin në Kosovë?”, ka pyetur Haxhiu.

Edhe Vetëvendosje, e PSD e kanë kundërshtuar paktin e Veselit dhe kanë bërë me dije se refuzojnë të nënshkruajnë iniciativa të tilla të Veselit.

E një pakt i tillë, përkundër partive të tjera, është i pranueshëm vetëm për Aleancën Kosova e Re. Kryetari i kësaj partie, Behgjet Pacolli, tha se do ta nënshkruajë këtë pakt. Por ai thotë që ideja për luftimin e korrupsionit brenda partive, ka qenë ide e AKR-së shumë më herët.

“Ne do jemi pjesë e asaj por po më duket se nuk ma nevojë të potencohet diçka të cilën ti e ke në shpirtin tënd, edhe unë e di që AKR-ja dhe njerëzit e AKR-së, sidomos ata që kanë qenë në Qeveri, ai është virtyt i tyre. Sinqerisht ne këtë e kemi në programin tonë është shtyllë e programit tonë të punojmë me duar të pastra gjithmonë dhe mos të abuzojmë asnjëherë me të mirën e shtetit dhe paranë e qytetarit”, theksoi Pacolli.

Ndërsa nga Nisma Socialdemokrate ende nuk kanë dalë me një përfundim se a do ta përkrahin Paktin e Veselit. Ish-deputeti i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, ka thënë për gazetën se brenda partisë ende nuk është shqyrtuar propozimi i PDK-së për luftë kundër korrupsionit./InfoGlobi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

error: Content is protected !!