Ballina / OP./INTERVISTA / Shtrigat janë keqkuptuar

Shtrigat janë keqkuptuar

Shumica e gargoilëve që shikoni në fasadën e kishave duken si kopje gjysmëperëndish. Gargoilët janë krijesa mitike (quhen edhe “groteske”), të cilat i gdhendnin muratorët si ullukë, për të kulluar ujët nga çatitë e godinave. Fjala gargoil rrjedh nga fjala frënge gargouille, që do të thotë “fyt” (nga e njëjta rrënjë rrjedhin edhe fjalët gargarë dhe gurgullimë).

Shkruan: Sylvia Browne

Gargoilët ishin një veçori artitekturore e ndërtesave romake, si ato të zbuluara në Pompei, që shërbenin për të mbajtur larg të keqen. Nga mënyra se si shikojnë, duket sikur ata mbajnë të keqën jashtë dhe kujdesen që ajo të mos futet brenda. Sa më takon mua, gjithnjë kam menduar se është e pahijshme të mbash këto figura të ashtuquajtura mitologjike jashtë shtëpisë.

Shumica e njerëzve sot nuk besojnë në mite, pasi që ato besohet se kanë ardhur nga një botë që nuk kishte dijen apo shkencën për të shpjeguar arsyen se përse ndodhnin në të vërtetë gjërat. Me fjalë të tjera, përse të shqetësohemi për një botë demonësh, që veçse na acaron, dhe që është përdorur për të frikësuar turmën? Mjeksia dhe mitet ndryshojnë; fundja, për vite e vite të tërë epileptikët kundroheshin si të pushtuar nga djalli.

Dhe në kohët e hershme, kur njerëzit nuk dinin asgjë për gjenet dhe mikrobet, për gjithçka fajësoheshin “humoret* e këqij” që futeshin në trup. Njerëzit merrnin gjak për të nxjerrë humoret e këqij – madje, disa njerëz, si George Washington, gjatë këtyre orvatjeve gjetën vdekjen nga gjakderdhja. Me sa duket, njerëzit e asaj kohe nuk mund t’i shpëtonin mallkimit apo pushtimit të djallit.

(A zini besë se edhe sot e kësaj dite ka njerëz që pyesin se mos janë të mallkuar? Ata thjeshtë nuk duan të marrin mbi vete përgjegjësitë për rrjedhën e studimit të kësaj jete.) Është e sigurt se demonët nuk futen në trupin tonë, por energjia negative apo ndonjë person toksik mund të na bëjnë të ndjehemi të këputur dhe të sëmurë. Shpesh nëpër leksionet që marrim themi se ne nuk na sëmurin mikrobet, por njerëzit dhe rrethanat – domethënë, në nuk mund “të tresim” jetën, ndaj dhe na dhëmb stomaku; ose marrim mbi vete aq shumë, sa na dhëmb kurrizi.

Trupat tanë na flasin vërtet: vazhdoni t’i thoni dikujt se ju ka thyer zemrën dhe do të përfundoni me probleme kardiake; nëse dikush ju bën t’ju “vlojë gjaku”, do t’u rritet tensioni i gjakut. Andaj pionerët e mendimit pozitiv thonë se nuk duhet përdorim shumë fjalë negative, që trupi të mos ju përgjigjet. Për t’ju treguar një shembull: Një grua shumë vonë e kishte kuptuar se burri i saj po ia zinte frymën me trysninë që ushtronte mbi të. Pas divorcit, mjeku i kishte zbuluar asaj një tumor beninj, që ishte një plagë përqark kordave anore. Ajo as nuk pinte duhan dhe gjithnjë kishte pasur një të ngjirur, si të gjithë gratë në familjen e saj.

Shtrigat

Shtrigat janë keqkuptuar e, shpesh, edhe janë përfolur gjatë shekujve. Ne e përfytyrojmë si një plakaruçe pranë një kazani, ku çoç zien, për të rrënuar viktimën e saj të pafat: këtij përfytyrimi i shtojmë edhe macen e saj të zezë dhe mendimin se ajo merr urdhra nga djalli (ndodh që shtriga të marrë edhe vetë formën e një maceje, për t’i sjellë fat të keq kujtdo që i kapërcen rrugën).

Këto të gjitha janë legjenda dhe besëtytni të vjetruara – por për pjesën më të madhe të namit të tyre të keq shtrigat i detyrohen këtyre shekujve të fundit, gjatë të cilave Inkuzicioni vrau në Europë me mija njerëz, si dhe Salemit në Masaçustets, ku u zhvillua gjyqe të ndryshme kundër shtrigave. Jam e sigurt se në kohë të ndryshme ka pasur shumë njerëz të ligj, të cilët orvateshin të ushtronin magjinë e zezë – e cila është e rrezikshme, sepse gjithçka që lëshojmë kthehet sërish – por shtriganët e vërtetë ushtrojnë një prej feve më të lashta që ekzistojnë. Nuk mund të themi këtu se padija s’është lumturi, prandaj përpara se të gjykoni, shqyrtoni parimet zanafillore të fesë, që përfaqësojnë shtrigat.

Edhe pse Vika* moderne u krijua në vitet ’50-të të shek. XX, rrënjët e saj na shpien në një fe të lashtë panteiste, sipas së cilës Zoti ishte kudo në natyrë; ajo është shumë e lidhur edhe me parimin femëror apo Hyjneshën. Shtriganët përdorin namatisjet, por ushtruesit e vërtetë i përdorin ato për qëllime të mira, siç janë ndjellja e shirave në kohë thatësie, shërimi i bagëtive a gjësë së gjallë etj. Njerëzit nuk e kuptojnë se pohimet janë në të vërtetë pjesë e një lloji të ritualit vikan – këto shtriga të bardha besojnë se po të përsërisim shumë herë një gjë, ajo do të vijë tek ne, dhe se ne jemi krijuar për të bërë mirë. Sigurisht, brenda çdo grupi ka përherë disa kokrra që krijojnë një figurë të keqe për të gjithë grupin.

(Për shembull, “TV Psikikja” zonjusha Kleo na ka poshtëruar gjithë psikikët.) Një shtrigan që i keqpërdor fuqitë e tij, zakonisht është një qenie terri, që ka keqpërdorur në mënyrë flagrante energjinë e programimit pozitiv. A jam unë shtrigë, apo më mirë, a dua unë të jem shtrigë? Jo, por unë e adhuroj ngulmimin e tyre për të mbajtur gjallë besimin. Dhe, megjithëse unë s’kam shqiptuar kurrë ndonjë formulë magjike dhe s’kam qenë kurrë Shtrigë, kam lexuar dhe studiuar nga literatura e tyre aq, sa ta dij se një Shtrigan i vërtetë priret nga mirësia, harmonia dhe mbrojtja e planetit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.