Shtizat helmuese drejtuar Kosovës

Kosova , siguria e saj fizike dhe politike është e luhatur tani më shumë se kurrë që nga përfundimi i luftës.

Shkruan: Hysen Gecaj

Është paradoks që tani, 20 vjet pas luftës, jemi aq të brishtë në planin politik dhe të sigurisë, në vend që të ndodhte e kundërta. Sipas logjikës së shëndoshë tanimë do të duhej që lidershipi ynë me përvojën 20 vjeçare të kishte një qëndrueshmëri politike, e cila, pastaj, do të ndikonte edhe në aspektin e forcimit të sigurisë dhe stabilitetit shtetndërtues.

Kohëve të fundit,në momentet kur qeveria e Kosovës bën luftën drejtë marrëveshjeve me Serbinë, dolën në pah edhe forca të errëta, të cilat pengojnë ecjen e Kosovës drejtë një zgjidhjeje të mosmarrëveshjeve me Serbinë. Këto forca nuk janë të reja dhe zanafillën e vetë e kanë që nga mbarimi i luftës në Kosovë.

Kosova pas lufte kishte një avantazh në raport me Serbinë pasi që aparati i saj shtetëror dhe ai i sigurisë u larguan nga Kosova. Tani brenda Kosovës kishin mbetur :

• Celula të grupeve të Islamit radikal, të cilat kishin filluar që të instalohen në Kosovë që në fillim të luftës me pretekstin se kishin ardhur në Kosovë që ta ndihmonin çlirimin nga Serbia. Ato celula filluan që të infiltroheshin në të gjitha strukturat vendore e sidomos në organizatat “humanitare”, si dhe në heshtje bënë një aleancë me qëllime biznesi me njerëz të fuqishëm në Kosovë.”Aleatë” të tjerë të këtyre celulave ishin edhe një numër i shtresave të varfra të kosovarëve, si dhe një pjesë e klerit mysliman, të cilët, po ashtu, përfitonnin nga këto celula të infiltruara në organizata të ndryshme humanitare dhe fetare. Natyrisht që nuk ishte i vetëm Islami radikal, sepse kishte edhe misionarë të kishave të ndryshme, por ndikimi i tyre ishte më i vogël ose i papërfillshëm, për shkak se shumica e popullatës është myslimane edhe pse pasive, në kuptimin e dedikimit religjioz. Në ndërkohë, nuk përjashtohet edhe ndikimi i shërbimeve të fshehta serbe,ruse dhe të tjera kundërshtare të Kosovës.

• Partitë kosovare me ideologji të majtë deri në ekstremitet edhe pse veprimet e tyre nuk kanë kapacitete për reflektim të dhunshëm.

Në këtë drejtim shquhet Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e udhëhequr nga Albin Kurti, i cili, që nga ditët e para, si udhëheqës i kësaj lëvizjeje, manifestoi qëndrime dhe retorikë majtiste, ani pse ai dhe as udhëheqja e LVV nuk e pranojnë haptazi këtë gjë, mirëpo, nëse analizohen sjelljet dhe veprimet e tyre politike, retorika propaganduese , sjelljet e dhunshme në demonstrata, si dhe stili i komunikimit në rrjetet sociale dhe komunikimin masiv, shihet qartë orientimi i tyre.

Kohëve të fundit fjalori dhe qëndrimi i tyre politik eskaloi deri në atë masë, sa që dolën haptas kundër votës së popullit mik amerikan, duke sulmuar përfaqësuesit e sajë (Tramp,Grenell…) dhe duke i cilësuar si përkrahës të Serbisë. LVV, e cila ishte fituese në zgjedhjet e fundit, jo pse ofroi program më të mirë se partitë tjera, por për shkak të gabimeve të partive, të cilat bënë në qeverisje që nga paslufta, prandaj një pjesë e elektoratit u soll sipas asaj thënies ”për inat të resë më vdektë djali” dhe votoi LVV-në, e cila që në fillim dëshmoi se nuk ka kapacitete as profesionale e as politike për të udhëhequr qeverinë.

Për kategorinë e qytetarëve të Kosovës, me një status të rënduar social dhe atyre me një nivel kryesisht më të ulët arsimimi, LVV, me propagandën e saj ishte më tërheqëse, sepse LVV linte përshtypjen sikur do të zgjidhte shumë probleme për këto kategori.

Kategori tjetër e tërhequr nga LVV janë edhe një numër i të rinjve, pasi që dihet se për moshën e re gjithmonë janë interesante qëndrimet dhe veprimet radikale.Kjo kategori (një numër sish) gjithashtu nuk ka njohuri të mjaftueshme ose të prekshme për të kaluarën e Kosovës nën sundimin serb, prandaj edhe botëkuptimi politik i tyre ndryshon nga gjenerata më të vjetra.

LVV me veprimet e saj solli deri te një ftohje e raporteve të Kosovës me SHBA, raporte të cilat u rikthyen vetëm pas rënies së Qeverisë Kurti dhe fillimi i bisedimeve në Uashington në mes të Kosovës dhe Serbisë. Me ose pa vetëdije, diskursi politik i LVV çon kah shtetet si Rusia, Kina e Serbia, të cilat ende nuk kanë dalë nga gëzhoja e ideologjisë komuniste dhe diktaturës, ndërsa pasuesit e saj e ndjekin LVV-në për arsye të cilat disa u përmendën më lartë e disa edhe pa e kuptuar ideologjinë e LVV-së.

• Egoja personale dhe karrieriste e disa liderëve të disa partive politike, po ashtu është një nga shtizat helmuese që po e rëndon shëndetin politik të Kosovës. Sjellja e tyre ndihmon dy kategoritë e larpërmendura,Islamin ekstrem dhe partitë majtiste në synimet e tyre. Edhe në këtë rast, me ose pa vetëdije, Kosovës po i bëhet dëm si në arenën e brendshme, po ashtu edhe atë të jashtme politike. Kauza të ngritura dhe të paqena, me qëllim që një lider politik të përfitojë personalish,t u treguan si shumë të dëmshme për vendin. Në këtë kategori shquhet lideri i AAK. Kemi rastin e krizës politike vitit 2014 për themelimin e Qeverisë së Kosovës, po ashtu 2017, ku kreu i AAK-së me makinacionet e tija politike edhe pse nuk ishte fitues i zgjedhjeve, u zgjodh Kryeministër i vendit. Narrativa e tij e shpeshtë për tu treguar ” shpëtimtar “ qoftë i tërësisë territoriale të Kosovës (Cakorri,Belluha…), apo edhe i meritave për shpëtimin e Ujmanit në bisedimet e fundit në Uashington, apo për krijimin e ushtrisë së Kosovës. Sa i përket kësaj të fundit, duhet sqaruar se krijimi i ushtrisë është proces, për të cilin është punuar që nga themelimi i FSK përmes procesit të Rishikimit Strategjikë të Sektorit të Sigurisë (RSSS) dhe nuk ka qenë ashtu siç nuk është as tani në dorën e ndonjë politikani kosovarë për të themeluar ushtri ose ngritur kapacitetet e saja. FSK ka qenë dhe ende mbikëqyret nga NATO, përmes KFOR-it, i cili ka përfaqësuesit e sajë në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës dhe në Shtabin e Përgjithshëm të FSK, ndërsa ecja e FSK-së përpara në çfarëdo forme varet nga NATO, RSSS dhe definitivisht SHBA-ve. Pa u plotësuar kriteret profesionale nuk mundet asnjë politikan i Kosovës të ndikojë në avancimin e as armatimin e FSK-së.

Tentimi i kontrollimit të bisedimeve nga distanca dhe mosbesimi ndaj kryetarit të qeverisë në bisedimet Kosovë –Serbi është vetëm edhe një sjellje populliste dhe përgatitje e terrenit për kushtëzimet e radhës, qoftë për ruajtjen edhe më tej të kësaj qeverie ose edhe rrëzimin e saj dhe kushtëzimet e radhës në dëm të Kosovës…

Një unifikim i përgjegjshëm i faktorit/lidershipit politik, mund të nxjerrë vendin nga ky kaos dhe do ta përmirësonte shëndetin politik dhe të sigurisë në Kosovë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.