fbpx

Shqipëria do të heqë vizat me 13 vende të botës

Sivjet për herë të parë Shqipëria pritet të heqë vizat me 13 vende të botës me qëllim të nxitjes së zhvillimit të turizmit në vend.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit Arben Ahmetaj, deklaroi se po diskutohet me Ministrinë e Jashtme propozimi për heqjen e vizave për disa destinacione, siç është Kina, Rusia, apo Bjellorusia, që kanë treguar interes për turizmin shqiptar.

” Janë gati 12 apo 13 vende që ju mendoni se mund ta furnizojnë turizmin shqiptar me turistë, që është Kina, vende të Lindjes së Mesme, le të themi Rusia etj. Pra, të kemi një regjim lehtësimi vizash në mënyrë që ju kur të bëni kontratën të mos keni sikletin e vizave nga X apo Y vend, por të ketë një mobilitet shumë më të thjeshtuar. Për shembull, për turistët kinezë po kërkojmë që përveç lehtësimit të regjimit tonë të jetë automatike, për ata që kanë viza Shengen; pra qytetarët kinezë që kanë viza Shengen të futen pa vizë në territorin shqiptar pra t’ju mjaftojë viza Shengen,” tha Ahmetaj.

Lidhur me heqjen e ekskluzivitetit të fluturimeve për aeroportin e Rinasit, ministri tha se negociatat po shpejtohen, për të hapur edhe tre aeroporte të reja në Vlorë, Sarandë dhe Kukës, gjë që do të sjellë ulje të çmimit të biletave, shkurtim të kohës për të shkuar në pikat turistike, dhe mbi të gjitha rritjen e numrit të turistëve.

Ligji i ri për turizmin pritet të hyjë në fuqi më 10 qershor, dhe qeveria shpreson që përmes rritjes së numrit të turistëve, do të ketë më shumë të ardhura, dhe një rritje më të lartë ekonomike, kjo edhe përmes zhvillimit të turizmit gjithëvjëtor. Vitin e kaluar të ardhurat nga turizmi kanë qenë në shumën e 1.3 miliardë lekëve, por ministri Ahmetaj tha se synimi për vitin 2015 është që të kalohet kjo shifë