Shqipëri, zgjedhjet 2017, nën akuzë 22 komisionerë

Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, SPAK, lëshoi 22 urdhëra arresti për komisionerët e tre qendrave të votimit në Durrës, të dyshuar se kanë lejuar, në zgjedhjet e vitit 2017, votimin në emër të personave që ndodheshin jashtë vendit

Një pjesë e komisionerëve kanë përfunduar në qeli, ndërsa disa të tjerë në arrest shtëpie ose me detyrim paraqitjeje. Bëhet fjalë për përfaqësuesë të katër partive, asaj socialiste, Partisë Demokratike, LSI-së dhe Partisë Republikane. Në total janë 58 vota të hedhura në kutitë e votimit, në emër të atyre që nuk kanë qenë fare në Shqipëri ditën e zgjedhjeve.

Sipas njoftimit të SPAK-ut, “komisionerët zgjedhor të Qendrës së Votimit nr.1508 0, adresa e QV: “Shetel”, shtetasit Shpëtim Stafa, Elidon Stafa, Ramiz Tuda, Fredi Marku, Dalvis Biba, Emilian Tuda, Redi Hysa, kanë lejuar me dashje persona të tjerë të cilët janë paraqitur para tyre dhe kanë votuar në emër të votuesve të tjerë. Është provuar se në këtë qendër votimi është votuar për 22 persona të tjerë, duke shfrytëzuar faktin që ato ndodheshin jashtë shtetit”.

Po ashtu “komisionerët zgjedhor të “Qendrës së Votimit nr.1335 0, adresa e QV: “Rubjek, Kopshti”, shtetasit Bashkim Allushi, Jakup Bregu, Altin Lala, Kasem Lala, Kujtim Uruçi, Zyhra Lala, Qemal Domi, kanë lejuar me dashje persona të tjerë të cilët janë paraqitur para tyre dhe kanë votuar në emër të votuesve të tjerë. Është provuar se në këtë qendër votimi është votuar për 7(shtatë) persona të tjerë, duke shfrytëzuar faktin që ato ndodheshin jashtë shtetit”

Ndërsa “komisionerët zgjedhor të “Qendrës së Votimit nr.1336 0, adresa e QV: “Rubjek Shkolla 9-vjeçare”, shtetasit Besim Bregu, Indrit Bici, Mehdi Lala, Agim Lala, Oriada Lala, Bujar Sula, Qazim Lala, kanë lejuar me dashje persona të tjerë të cilët janë paraqitur para tyre dhe kanë votuar në emër të votuesve të tjerë. Është provuar se në këtë qendër votimi është votuar për 23 persona të tjerë, duke shfrytëzuar faktin që ato ndodheshin jashtë shtetit”, bën të ditur njoftimi duke shtuar se “në këtë episod shtetasi Armelin Zeza ka votuar në emër të personave të tjerë”.

Arrestimet janë pjesë e së ashtuquajturës Dosja 339, e cila lidhet me hetimet e nisura për trafik droge, ku dyshohet të jetë i implikuar grupi i Avdulajve në Durrës. Pikërisht gjatë procesit hetimor, u zbuluan dhe komunikimet që ish kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako kishte patur me pjestarë të këtij grupi. Avdulajt gjithashtu rezultojnë të kenë ushtruar trysni për të garantuar vota në favor të Partisë socialiste në Durrës.

Publikimi i një pjese të përgjimeve ngriti dyshime të forta për manipulime të *procesit zgjedhor dhe lidhje të pushtetarëve me grupet kriminale.

REAGIMET

Në një postim në Twitter, ambasadorja amerikane Yuri Kim nënvizoi se “puna e SPAK-ut për çështjen 339 fillon të zbulojë lidhjet midis krimit të organizuar dhe korrupsionit. Reforma në drejtësi vazhdon të ecë përpara dhe nuk mund të ndalet. Vetëm një gur”, pèrfundon postimi i ambasadores amerikane.

Më herët kryeministri Edi Rama, shkroi, po në Twitter se “arrestimi i komisionerëve politikë, nxjerr në pah pse-në e domosdoshmërisë së depolitizimit të administratës zgjedhore! 14 të pandehur të PD-LSI dhe 8 të PS, janë prova se kush bërtet më shumë e nuk do depolitizim, i ka duart të zhytura thellë në llum!”, theksoi zoti Rama duke shtuar se “për mua janë 22 individë të gabuar, në vendin e gabuar dhe detyrën e gabuar,që duhet të shërbejnë si shembull i padiskutueshëm për largimin përfundimtar të partive politike nga komisionet e zgjedhjeve! Le të vendosë drejtësia për ta pa dallim dhe mësimi për ne është: DEPOLITIZIM”.

Ndërsa për Partinë Demokratike “Dosja 339 është krimi shtetëror, në të cilin Edi Rama vodhi dhe bleu zgjedhjet e vitit 2017 me krimin e organizuar. Dosja 339 është Vangjush Dako, është banda e Avdylajve, janë trafikantët ndërkombëtarë të drogës, është Edi Rama, që ata zgjodhën me blerje votash dhe me kërcënime. Për këtë krim, që vazhdon të mbajë peng vendin, akoma nuk është bërë drejtësi”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi, sipas të cilit “SPAK duhet të veprojë në mënyrë të plotë dhe të mos fshihet pas gishtit. Manipulimi i zgjedhjeve të 2017 kërkon drejtësi dhe ndëshkim, duke filluar nga koka dhe jo nga bishti. Blerja e votave, bashkëpunimi me krimin e organizuar në zgjedhje, kërcënimi i votuesve dhe komisionerëve, presioni ndaj administratës publike, janë krime që presin drejtësi. Kur do të urdhërohet arrestimi për këto fakte flagrante, që i ka dëgjuar e gjithë bota dhe që presin drejtësi prej 3 vitesh?”.

Pas njoftimit të arrestimeve të komisionerëve, reagoi dhe presidenti Ilir Meta. “Koha për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë manipulimit të zgjedhjeve dhe blerjes së votave! Ndëshkim maksimal për të gjithë manipuluesit dhe falsifikatorët e zgjedhjeve! Ndëshkim maksimal do të ketë për të gjithë punonjësit e shtetit që keqpërdorin detyrën për presione, shantazhe dhe krime zgjedhore!”, shkruajti Kreu i Shtetit në një postim në Facebook.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

error: Content is protected !!