Ballina / KRYESORE / Shqipëri: Pas protestës së 9-të të opozitës
protesta shqiperi

Shqipëri: Pas protestës së 9-të të opozitës

4 orë zgjati protesta e 9-të anti-qeveritare e opozitës. Gjatë zhvillimit pati përleshje me policinë, gaz lotsjellës, shashka dhe flakë para Parlamentit. Në fund sheshi para Parlamentit ngjasoi me një shesh trazirash.

Sheshi para Parlamentit në Tiranë i ngjante mbrëmë,(13.04.2019) pas orës 22.00 një sheshi trazirash e beteje. Era e gazit lotsjellës, e djegjes së një automjeti, xhamat e thyer të një biznesi, një kioskë e dëmtuar nga vënia e zjarrit , protestues dhre policë të plagosur ishin gjurmët e degjenerimit të protestës së 9-të antiqeveritare të opozitës në akte dhune.

Pas katër orësh nga fillimi i saj në Bulevardin” Dëshmorët e Kombit” dhe spostimit të saj  në sheshin përballë parlamentit, protesta përfundoi mbrëmë, rreth orës 22.00, me një fjalim të kryetarit të PD, Lulzim Basha, adresuar protestuesve, që qëndronin para selisë së kësaj partie me parullat, “Rama ik”. Basha tha në fjalën e tij përmbyllëse se “largimi i Edi Ramës është një kusht i panegociueshëm për qeveri tranzitore, që do të përgatisë zgjedhjet e lira dhe të ndershme”.

Rama: “Humbës të pashërueshëm”

Kryemnistri Rama reagoi mbrëmë menjëherë pas fjalës së Kryetarit të PD, Basha, në një postim në Twitter ai cilësoi protestën e mbrëmshme “as të denjë po thjesht të turpshme për PD-LSI! Ndërsa drejtuesit e opozitës i karakterizoi si “humbës të pashërueshëm, që po rrisin çdo ditë faturën që do u presë Sovrani në 30 qershor”.

Opozita kishte paralajmëruar se protesta e mbrëmshme antiqeveritare do të zhvillohej para Kryeministrisë. Mijëra pjesëmarrës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” kërkuan mbrëmë largimin e kryeministrit Rama dhe rrëzimin e qeverisë së tij.

Protestuesit hodhën shashka dhe fishekzjarrë tymues dhe arritën të  thyenin kordonin e policisë, që mbronte hyrjen kryesore të Kryeministrisë, nga ana e Bulevardit, por u ndaluan nga policia ende pa tentuar të hapnin derën kryesore hyrëse të Kryeministrisë. Në fjalën e tij, përballë Kryemnistrisë, Basha bëri thirrje për “një rotacion të menjëhershëm politik”dhe përsëriti kërkesën kryesore të opozitës në të gjitha protestat e deritanishme për krijimin “e një qeverie kalimtare për të organizuar zgjedhje të parakohshme parlamentare, të lira dhe të ndershme”.

Protesta para Parlamentit – përleshje me policinë dhe gaz lotsjellës

Tensionet, aktet e dhunës dhe përleshja me policinë u bënë mbizotëruese kur protestuesit iu përgjigjën thirrjes së kryetarit të PD, për të spostuar protestën nga kryeministria tek Parlamenti, ndryshe nga paralajmërimi se ajo do të zhvillohej vetëm në Bulevard dhe para Kryemnistrisë. Protestuesit thyen kordonin e policisë; hodhën shashka, fishekzjarrë tymyes, bomba Molotov dhe tentuan disa  herë të avancojnë drejt Parlamentit, tentativë që solli përleshje me policinë. Për të zbrapsur protestuesit, policia përdori gaz lot sjellës dhe ujë me presion.

Të shtunën një automjeti të parkuar pranë parlamentit iu vu flaka, u thyen xhamat e një biznesi dhe u shkaktuan flakë në një kioskë pranë Parlamentit. PD tha se flakën ia ka vënë policia.

Ndërkohë burime zyrtare nga policia bënë mbrëmë me dije se 5 policë janë plagosur dhe ndodhen në spital, ndërsa PD tha se janë plagosur 15 protestues. Thirrjet e Presidentit Meta për protestë paqësore dhe shmangie të konfrontimeve si edhe ato të policisë nuk patën rezultat. Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, përmes një postimi në Twitter e quajti plagosjen e policëve ”një turp dhe shkelje të madhe të  ligjit dhe bëri medije se “autorët do të mbajnë përgjegjësi”.

Protesta e 9-të antiqeveritare e opozitës u mbyll pa lajmëruar se kur do të jetë protesta e 10-të. Më parë Zv. Ndihmës Sekreatari i Shtetit, Metthew Palmer dhe ambasadorja gjermane në Tiranë i bënë thirrje opozitës të marrë pjesë në zgjedhjet lokale, “si mundësia më e mirë për t’u riangazhuar në procesin politik.”. Ambasadorja gjermane në Tiranë, Susanne Schütz u bëri thirrje ditët e fundit “të gjitha partive të shfrytëzojnë rastin e të marrin pjesë në zgjedhjet lokale”.

@Fluidi

Provo po ashtu

vetevendosje

Vetëvendosja po përgatitet për protesta

Pas një kohe të gjatë, duket se Lëvizja Vetëvendosje do t’u kthehet protestave. Një të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.