Ballina / KRYESORE / Shqipëri, fillojnë hetimet për ndërtimet pa leje dhe shpërdorim të detyrës

Shqipëri, fillojnë hetimet për ndërtimet pa leje dhe shpërdorim të detyrës

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka thirrur mëngjesin e së hënës mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të diskutuar për situatën e krijuar nga tërmeti i 26 nëntorit.

Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare u zhvillua në institucionin e presidencës dhe në të morën pjesë udhëheqësit e institucioneve kryesore të vendit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, presidenti Meta bëri me dije se në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare u diskutua për një bashkëveprim dhe koordinim më të ngushtë midis të gjitha institucioneve për përballimin e emergjencës deri në rivendosjen e normalitetit të plotë.

“E mbështetëm prokurorinë të çojë përpara hetimet dhe të vendosë para përgjegjësisë penale të gjithë ata që do të rezultojnë përgjegjës. Të sigurojmë burimet e brendshme dhe mbështetjen e duhur ndërkombëtare për tejkalimin e pasojave të rënda të këtij tërmeti të tmerrshëm”, shkruan presidenti.

Në anën tjetër, bëhet e ditur se Prokuroria e Durrësit dhe ajo e Tiranës kanë regjistruar mëngjesin e së hënës çështjen penale, e cila i referohet tërmetit të 26 nëntorit.

Të dy prokuroritë po hetojnë nëse pasojat kanë ardhur si shkak i ndërtimeve pa leje dhe të moskryerjes së detyrës nga inxhinierët zbatues dhe personave përgjegjës, si dhe nga mospërmbushja e rregullt e detyrës nga nëpunësit shtetëror të ngarkuar me mbikëqyrjen e këtyre ndërtimeve.

Çështja është ngritur për veprat penale “Ndërtim pa leje” dhe “Shpërdorim detyre.

Grupe ekspertësh të huaj të thirrur nga qeveria po vijojnë të vijnë për të ndihmuar në procesin e vlerësimit teknik të godinave, ndërsa godinat që përbëjnë rrezik kanë nisur të shemben qëllimisht nga autoritetet.

Deri më tani rezultojnë të jenë afër nëntë mijë qytetarë të prekur nga tërmeti. Mbi 2300 janë sistemuar nëpër hotelet me të cilat qeveria ka bërë marrëveshje, ndërsa mbi 4800 të tjerë janë strehuar pranë të afërmve të tyre. Mbi 900 banorë janë ende në çadrat e ngritura nëpër lokacione të ndryshme, ndërsa mbi 800 po qëndrojnë në qendrat sociale.

Tërmeti me magnitudë 6.3 që goditi Shqipërinë në mëngjesin e 26 nëntorit la të vdekur 51 persona dhe mijëra të plagosur.

Pas lëkundjet vazhdojnë ende. Sipas vlerësimeve të deritashme publike nga 26 nëntori e deri më sot janë regjistruar mbi 1300 pas lëkundje të tërmetit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.