Shpërthim në Itali, një nga viktimat – shqiptar

Një shqiptar humbi jetën si pasojë e një shpërthimi në një fabrikë fishekzjarrësh sot në Itali. Ngjarja ndodhi afër Barit, ku sipas policisë, shtatë persona humbën jetën, ndërsa dhjetë mbetën të plagosur. Mes viktimave është dhe një shtetas shqiptar, dy indianë dhe tre italianë.

Shqiptari që ka mbetur i vdekur quhet Sajmir Merja, 28 vjeç. Fabrika “Bruscella” ishte duke punuar me kapacitet të plotë për përgatitjen e festimeve që ndodhin në vende të ndryshme në këtë periudhë. Në momentin e shpërthimit kanë qenë 14 persona në ndërtesë. Mes të plagosurve është dhe pronari i fabrikës, Michele Bruscella, 43 vjeç, ka marrë djegie në 85% të trupit. Edhe dy vëllezërit e tij, të cilët janë bashkëpronarë ndodheshin në fabrikë në momentin e shpërthimit. Një prej tyre është i pa lënduar, ndërsa tjetri ka plagosje të lehtë.

Flakët e fuqishme detyruan ndërhyrjen e dy helikopterëve ushtarakë për hedhjen e ujit nga lart e ndalimin e përhapjes së zjarrit drejt një pylli aty afër. Fabrika është e vendosur  jashtë qytetit të Modugno-s, në drejtim të Bitritto-s, dhe është në një zonë rurale të rrethuar me pemë që morën flakë pas shpërthimit. Hetuesit janë duke hetuar mbi hipotezën se shpërthimi i parë ka ndodhur gjatë transportimit të fishekzjarreve në një furgon për Cassano delle Murge.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

error: Content is protected !!