fahredin shehu, interviste

Shkrimtari që hap porta të reja

Fahredin Shehu, një shkrimtar i ri që kultivon letërsinë transcendentale, është autor i pesë librave. Krijimet e tij janë të veçanta, janë ndryshe, janë gjetje në plot kuptimin e fjalës, pasi ai po sjell një frymë të re letrare që trajton shpirtëroren, mistikën, të përtejshmen.

Intervistoi: I. Zajmi/infoglobi

Z. Shehu, jeni shkrimtar i botuar e i përkthyer në disa vende të botës, ndërsa në Kosovë krijimtaria juaj nuk është shumë e njohur. Si e spjegoni këtë ?
Që nga fillimi i krijimtarisë sime e deri sot janë botuar 5 libra, poezi, prozë poetike, roman dhe shumë artikuj, ese dhe kolumne në gazetat tona. Sa i përket librave dy të parët “NUN” dhe “Shumësi e padukshme” janë botuar si botim autori kurse romanet “Nektarina” janë botuar nga Rozafa në vitin 2004, “Elemental “ nga Qendra për mendim pozitiv 2006 dhe “Kun” nga shtëpia botuese Logos- A e Shkupit në vitin 2007. Unë kam përcjellur vetëm impulsin tim kreativ dhe fare nuk jam bezdisur nëse kjo do të pranohet tek lexuesi.

Ndodhi që kam lexues të caktuar dhe të besueshëm por të paktë, të cilët nëse dëshirojnë të gjejnë frymëzim dhe njohuri të cilat në gjuhën shqipe janë të pakta atëherë dinë ku të orientohen. Këtë po e them me plot bindje sepse tek “Shumësia e padukshme” për herë të parë në gjuhën shqipe, në formën artistike janë paraqitur njohuri rreth religjionit hebre dhe ky libër është vetëm pjesa e parë e tetralogjisë e cila do të vazhdoj me krishterimin dhe islamin që të përmbyllet me Misticizmat e tri feve të Abrahamit.

Kam parasysh se lexuesi ynë një kohë të gjatë ka bërë pauzë dhe fatkeqësisht ky trend po vazhdon, unë e arsyetoj pse krijimtaria ime nuk është e njohur dhe jo vetëm kaq, arsyeja tjetër është se unë kultivoj artin letrar, i cili fare pak është i njohur e ai është letërsia transcendentale, ku parimi kryesor është dashuria ndaj të gjitha krijesave dhe kontributi i secilit është i nevojshëm.

Më i miri në këtë bashkësi është ai i cili më së shumti kontribuon. Qëllimi im është që ta përçoj këtë mesazh primordial nga lashtësia e deri më sot por, me një gjuhë të pastër sa artistike po aq edhe shkencore me qëllim që të krijoj një trajtë më origjinale për kohën në të cilën jetojmë dhe më tej. Andaj kujtoj se ky është shkaku pse në botë jam më i pranishëm se sa tek ne dhe nuk dua ta fajësoj askë sepse ne si popull kemi kaluar nëpër trazira të shumta. Ndër ne ende nuk është krijuar një kulturë e re e leximit pakëz më ndryshe nga ajo tradicionale. Tani kemi edhe mediumet tjera ku arti mund të plasohet , dhe unë këtë po e shfrytëzoj shumë mirë.

Krijimtaria juaj është risi dhe shkrimi mbi mistiken pothuajse i palëruar në letërsinë shqipe. Nga cilët poetë jeni ndikuar ?

Vërtet është risi dhe sa herë filloj një projekt të ri së pari kujtoj mos po i humbas edhe ata pak lexues të besueshëm që e presin ndonjë libër të ri. Misticizmi tek ne ka qenë i pranishëm tek Naim Frashëri dhe tek bejtexhinjtë, por dallimi është se unë nuk kufizohem vetëm në trashëgiminë islame por zgjerohem në atë botërore duke shfrytëzuar teknologjinë e re dhe si pasojë edhe vokabularin e ri. Përkitazi me vokabularin shpesh hasi në probleme dhe kam shkruar më herët se “neve na mungon vokabulari tokësor për çështjet qiellore.” Andaj më duhet një kohë bukur e gjatë që ta farkëtoj ndonjë fjalë të re, e cila do të korrespondonte me vizionin apo manifestimin shpirtëror i cili më paraqitet. Latinët e kanë një thënie Nihil Humani ame allienum puto, asgjë njerëzore për mua nuk është e huaj që unë e kultivoj me shumë sukses në kontekstin e trashëgimisë shpirtërore. Kjo ndoshta është arsyeja pse pranoj me qindra letra nga mbarë bota, pavarsisht prej prapavisë fetare që e ka një lexues jashtë Balkanit.

Secili që thotë se nuk është i ndikuar nga askush vetëm se gënjen, në këtë kontekst nuk mund ta zbulojmë ujin e nxehtë dhe shkrimtarët si Danilo Kish apo Martin Camaj shumë më herët kanë shkruar për Palimpsestin. Njëlloj edhe sot, kjo është e pashmangshme

Nëse jemi tek emrat unë me kënaqësi e kujtoj Danten, Miltonin, William Blake, Henry Thoroeau, të cilët poashtu ishin të ndikuar nga ndikimi im primar e ata janë poetët Sufi si Saadi, Rumi, Hafiz, Al Ma’ari, Kabir, e deri tek Khalil Gibran të cilin e mbaj si fillimin e artit Teurgjik sepse ai me mjeshtri të madhe ka ditur që në formë poetike ta transmetoj frymëzimin e tij në tymnin e trashëgimisë shpirtërore Abrahamike.
Nga ana ime, konsideroj se për të qenë origjinal, konceptin botërisht të njohur duhet ta përpunosh në një trajtë të veten dhe kjo arrihet vetëm më dije dhe inspirim si dy këmbë me të cilat shkohet përpara. Me një vathë në veshë mund të ecësh por veç me një këpucë assesi.

Në romanin tuaj të fundit që do të shoh së shpejti dritën e botimit, poeti Ali Podrimja në recensionin e tij shkruan se me këtë libër hapni portat e artikulimit, që vështirë se do t’i hapin të tjerët. Cilat janë ato porta ?
Ali Podrimja është kulmi i poezisë bashkëkohore shqiptare andaj duhet të kihet parasysh se ai nuk flet pa parë, pa ditur dhe pa përjetuar vargun apo prozën e dikujt. Kur ai thotë se hap portën të cilën të tjerët nuk do ta hapin, flet për të përtejmen, për shpirtëroren dhe depërtimin tim të thellë në atë dimension, gjë që nuk ka ndodhur, por shpresoj se do të ndodh në të ardhmen në letërsinë sonë. Ky është dimensioni ynë të cilin jashtë arealit tonë balkanik nuk e kanë të njohur të tjerët andaj janë shumë të interesuar. Për ne kanë ditur vetëm sa i përket letërsisë të cilën e kemi dhe po qe se u ofrohet diçka më e ndryshme atëhëre ata zbulojnë edhe një element interesant dhe tipar të kombit tonë. Dhe kjo më bën krenar.

Ndër të tjera ushtroni edhe pozitën e ambasadorit të Lëvizjes poetët e botës (Poetas del Mundo) për Shqipëri. Sa do të ndikojë ky përfaqësim në afirmimin e letërsisë suaj por edhe të shkrimtarëve të tjerë mbarëshqiptar?
Lëvizja poetët botëror (Poetas del Mundo) e ka historikun e vetë. Dhe ata organizohen dhe botojnë antologji të poezisë nga e gjithë bota. Secili kontinent e ka nga një ambasador të cilit i përgjigjen ambasadorët e vendeve të atij kontinenti dhe ka një bashkëpunim të jashtëzakonshëm.
Nga ana ime unë kam prezentuar disa shkrimtarë dhe poetë të të dy gjinive dhe shumë shpejtë do të punojmë në përpilimin e antologjisë shumë gjuhësore të poetëve të cilët unë i kam në atë rreth.
Si e vlerësoni ju proviniencën letrare në Kosovë?
Unë nuk jam kritik letrar por nëse flasim për shijen nuk më pëlqen aspak ajo çka krijohet tek ne aktualisht. Jo ajo letërsi e plejadës se mjeshtërve si Azem Shkreli, Mirko Gashi, Ali Podrimja, Xhevdet Bajraj etj. Këtë e them me shumë kompetencë sepse kam udhëtuar mjaft edhe jashtë Kosovës dhe kam
parë se ka shumë që shkruajnë, poezia çdokund lexohet pak, por ka edhe shumë pak cilësi, Sikur i ka ikur koha poezisë, kjo është përshtypja e parë, por nëse pakëz më shumë hulumtohet gjithësesi se ka talentë.
Ne kemi mungesë të revistave cilësore letrare dhe nuk duhet të kënaqemi vetëm me një, e cila është shumë cilësore, sado që ajo nuk është ekskluzivisht letrare. Flas për revistën MM të qendrës Gani Bobi.
Përveq letërsisë merreni edhe me forma të tjera të artit. Sa arrin të shpreh veten Fahredin Shehu në kaligrafi dhe artet tjera plastike?

Çdokund në art ndjehem komod. Pavarësisht a shkruaj prozë, poezi, ese, pikturë, kaligrafi, keramikë.
E gjithë kjo varet nga çasti, nga frymëzimi dhe nga gjendja shpirtërore.
Si artist i gjithanshëm, a ndihemi më i realizuar si shkrimtar apo kaligrafist ? 

Tek unë ndodh procesi involutiv jo ai evolutiv, prandaj në të dyja konsideroj se jam i përgjegjshëm, kompetent dhe i realizuar, sado që në art nuk ka të realizuar. Shpesh më sillet ndërmend Salvador Dali i cili ka thëne:” Pikaso është gjeni por unë jam Salvador Dali”.

Për mua është me rëndësi balanci, i cili ka qenë kredo i Buddhas, Aristotelit, Muhamedit, Constantin Brancusit.
Unë flas për harmoni dhe balanc intelektual dhe artistik, profan dhe sakral,moral dhe amoral, kosmik dhe mikrokosmik ndërsa në epistemologji dalloj Egsoterinë, Mezzoterinë dhe Ezoterinë. Në krijimtari dalloj Zanatin, Artin, Teurgjinë dhe Revelatën. Dhe, kur të gjitha këto balancohen atëherë mund të flasim për harmoni, për arritje dhe për sukses.
E veçanta e kaligrafisë sime prap është impulsi kreativ, gjendja shpirtërore dhe kaligrafia bëhët jo iluminacion i vargjeve të librave të shenjtë që ka shumë nëpër botë, jo bukurshkrimi i vargjeve të huaja, por bukurshkrimi i vargjeve të mia të cilat lindin në çastin kreativ, në momentin kur kap kallamin, brushën apo cilindo mjet tjetër.
Po numërojmë orët e fundit të vitit 2010. Çfarë detyrash i keni vënë vetes për vitin e ardhshëm?
Veç jam i rezervuar nga botuesit e huaj, së pari përmbledhja me poezi “Çmontimi i urrejtjes”, e cila do të botohet në Stamboll, pastaj përmbledhja me poezi “Lakmus” në Beograd, romani “Hojet”, në Prishtinë, Stamboll, Londër. Në antologjinë e Poetas del Mundo në Paris, dhe 19 botime të cikleve të mia të poezisë në Francë, botimi i ciklit me poezi në Sarajevske Sveske( fletoret e Sarajevës).
Do të marr pjesë në disa simpoziume dhe takime letrare si në Stamboll, Kajro, Teheran, Nju Delhi,etj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.