fbpx

Shkollat ndërprejnë grevën, për UP ende pa vendim

Ndërpritet greva e mësimdhënësve të shkollave fillore dhe të mesme, ndërsa për universitetet do të vendoset në ditët në vijim. Këtë e ka konfirmuar kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të SBASHK-ut, të mbajtur sot nga kryesuesi i saj, u propozua që greva të pezullohet. Megjithatë, u tha që ajo mbetet mundësi, që nëse nuk bëhen përmirësimet e listave të muajit maj, atëherë do të veprohet sipas situatës.

“Kryesia e SBASHK-ut, duke parë edhe situata, duke u bazuar edhe në apelin që po na drejtohet vazhdimisht nga prindërit e nxënësit, dhe duke ditur se për maturantët veç është gati në përfundim ky vit mësimor, Kryesia e SBASHK-ut, edhe pas konsultimit edhe pas humb takimeve që i kemi pasë këtyre ditë të vikendit me ju kolegë dhe kolege, konsideron dhe iu propozon që pas këtyre vështirësive, pas këtyre përpjekjeve të SBASHK-ut, megjithatë ka arritje të konsiderueshme dhe i propozon Këshillit Drejtues pezullimin e veprimeve sindikale, që do të thotë se në arsimin parauniversitar, iu propozojmë pra që të hënën me 4 maj të rifillojë mësimi i rregullt”, tha ai.

Por, Jasharaj nuk gjeti mbështetjen e të gjithë përfaqësuesve komunalë. Veçmas të Prishtinës dhe Klinës. Ata kërkuan që greva të vazhdohet. Ahmet Pllana nga Komuna e Prishtinës, tha se derisa ende nuk ka rezultate, greva duhet të vazhdojë.

“Nuk e ditëm se çfarë biseda keni bërë më ministrin e arsimit, çka ka reflektuar nga ministria e arsimit, a ka ndonjë garancë që ne të vazhdojmë mësimin. E di që është keq që në përfundim të vitit të shkohet në grevë, mirëpo ma merr mendja që më mirë është tash që të vazhdojmë grevën sesa pas dy tre dite apo muajin tjetër të hyjmë në grevë, sepse më shumë po afrohemi tek fundi i vitit shkollor.

Megjithatë, me t’u hedhur në votim, propozimi i SBASHK-ut për pezullim të grevës mori pëlqimin e shumicës. Derisa në Universitetin e Prishtinës greva po vazhdon.
“Në mbledhjen e mbajtur të këshillit qendror grevist të njësive akademike të UP-së, të mbajtur më 30 prill 2015, njofton se greva e shpallur në SBASHK vazhdon deri në plotësimin e kërkesave nga ana e Këshillit drejtues të UP-së, meqë Këshilli Drejtues i UP-së dhe Rektorati nuk kanë reflektuar lidhur me kërkesat tona”.

Nesër pritet të mbahet një takim me këshillin drejtues të grevistëve në UP dhe prej aty do të dalë ndonjë vendim se çfarë do të ndodhë më tutje./rtk