Shkolla “F.Konica” dhe një klasë e “H.Prishtinës” kalojnë në mësim online

Sot gjatë ditës është raportuar se katër mësimdhënës në shkollën “Faik Konica” janë konfirmuar pozitivë me COVID-19, e nxënësit e kësaj shkolle mësimin do ta vijojnë online.

Nxënësit në shkollën fillore “Faik Konica” në Prishtinë, do të vazhdojnë mësimin në distancë, apo në formën online, pasi katër arsimtarë të këtij institucioni arsimor, kanë rezultuar pozitivë me koronavirusin e ri.

Kështu bëri të ditur ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Armend Zemaj, i cili tha se, në bazë të rekomandimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), mësimi me prezencë fizike të nxënësve në shkollën “Faik Konica” do të ndërpritet për dy javë.

“Nga hulumtimi dhe mbikëqyrja e situatës epidemiologjike, IKSHPK ka bërë testimin e të gjithë arsimtarëve, katër prej të cilëve rezultuan pozitivë me COVID-19”, ka shkruar Zemaj në rrjetin social Facebook.

Më herët gjatë këtij muaji, në shkollën fillore “Mustafë Venhari” në Komunën e Vushtrrisë, tetë nxënës nën moshën 10 vjeç dhe tetë mësimdhënës, rezultuan pozitivë me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

Pas kësaj, institucionet rekomanduan që mësimi në këtë shkollë të kalojë në mësim në distancë.

Por raste të reja me COVID-19 janë raportuar edhe në dy shkolla të Prishtinës. Bëhet fjalë për shkollën “Hasan Prishtina” dhe “Nexhmi Mustafa”.

Si rezultat i koronavirusit në shkollën “Hasan Prishtina” do të mbyllet një klasë. Nxënësit dhe mësimdhënësit do të testohen për COVID-19 ndërkaq mësimi do të vijojë sipas planit C.

Ndërkaq në shkollën “Nexhmi Mustafa” ku poashtu janë konfirmuar raste të reja, pritet të merret vendimi se si do të veprohet tutje.

Shkollat tjera në kryeqytet do të vazhdojnë procesin mësimor ashtu siç ka qenë e planifikuar nga fillimi.

Ministria e Arsimit ka paraparë që në këtë vit shkollor, mësimi të realizohet përmes tre skenarëve. Skenari A ka të bëjë me zhvillimin e mësimit në ambientet shkollore. Skenari B, apo mësimi i kombinuar përfshin rikthimin e pjesshëm të nxënësve në shkolla (prezencë e nxënësve në shkolla, e kombinuar dhe me mësimin në distancë) dhe skenari C është mësimi në distancë.

Viti i ri shkollor në institucionet para-universitare në Kosovë, ka filluar më 14 shtator, me prezencë fizike të nxënësve në shkolla, por duke respektuar rekomandimet për mbrojtjen nga pandemia e koronavirusit: mbajtjen e maskës, distancës dhe higjienën personale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.