Është zbuluar nga shkencëtarët rasti i parë i rrjedhjes së metanit nga shtrati i detit. Kjo dukuri është zbuluar në Antarktik, rajon i madh në Polin Jugor.
Hulumtuesit gjithashtu zbuluan se mikrobet që zakonisht i konsumojnë gazrat serrë para se të arrijnë në atmosferë kishin arritur në atë pjesë vetëm në numër të vogël, duke mundësuar rrjedhjen e gazit.
Mendohet se një sasi e madhe e metanit gjendet nën shtratin e detit përreth Antarktikut. Gazi mund të fillojë të rrjedhë për shkak se kriza klimatike ka filluar t’i ngrohë oqeanet, diçka që shkencëtarët e kanë cilësuar jashtëzakonisht shqetësuese.
Arsyeja e rrjedhjes së metanit ende mbetet mister, por ka gjasë të mos jetë për shkak të ngrohjes globale, sepse vendi ku u zbulua rrjedhja ende nuk ka pësuar ngrohje të konsiderueshme, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.
“Vonesa e konsumimit të metanit është gjetja më e rëndësishme. Nuk është lajm i mirë. U nevojitën më shumë se pesë vjet që mikrobet të shfaqen dhe edhe atëherë, metani shpejt dilte nga shtrati i detit”, tha Andrew Thurber nga Universiteti Shtetëror i Oregonit në ShBA.
“Cikli i metanit është absolutisht diçka për të cilin ne si shoqëri duhet të jemi të shqetësuar. Mua më duket jashtëzakonisht shqetësuese”, shtoi ai.