Shkencëtarët mbi rëndësinë e planktoneve

Krijesat e imëta të oqeanit të quajtura “planktone” konsiderohen kryesisht si ushqim për balena dhe kafshët e tjera të mëdha detare. Por një studim katërvjeçar global ka zbuluar, ndër të tjera, se planktonet janë një burim i madh i oksigjenit në planetin tonë.

Planktonet janë një grup  kafshësh të ndryshme, alga, bakterie dhe organizma të tjera mikroskopike, që banojnë në shtresat e sipërme të oqeaneve, detrave dhe ujrave të ëmbla.

Të padukshme nga syri i lirë, ato megjithatë janë burimi kryesor i ushqimit për kafshët e mëdha si balenat.

Në një projekt të quajtur Tara Oceans, të udhëhequr nga organizata jo-fitimprurëse franceze Ekspedita Tara, 200 shkencëtarë nga 45 vende filluan të studiojnë planktonet në bordin e një anijeje.

Në shtator 2009 ata filluan misionin me anijen Tara duke vizituar 210 rajone, ku shkencëtarët mblodhën 35,000 mostra, studiuan jetën, përbërjen gjenetike dhe lëvizje e këtyre krijesave të vogla.

Koordinatori shkencor i Tara Oceans, Chris Bowler, thotë se ata zbuluan se planktonet janë përgjegjëse për pjesën më të madhe mirëqenies së planetit tonë.

“Ato prodhojnë oksigjenin që marrim ne, heqin dioksidin e karbonit nga atmosfera dhe në përgjithësi mbajnë tokën në një gjendje të banueshme për qeniet njerëzore”.

Zoti Bowler thotë se afër gjysma e oksigjenit që ne marrim vjen nga diatomet, alga të imëta që banojnë në shtresa të ndriçuara nga dielli të trupave ujore.

“Pra, në thelb, një-e-pesta  oksigjenit tqë merr njeriu  përmes frymëmarrjes, vjen nga diatomet, kështu që ato në njëfarë mënyre janë po aq të rëndësishme sa një pyll tropikal në aspektin e kontributit të tyre global”.

Drejtori ekzekutiv i ekspeditës, Romain Trouble thotë se studimi tregon qartë se oqeani është makinë e klimës së tokës.

“Ne besojmë se oqeani është motori kryesor i ndryshimeve klimatike, lehtësuesi kryesor i magazinimit të dioksidit të karbonit dhe nxehtësisë, dhe kjo makineri punon sepse oqeani është i shëndetshëm”.

Grupe të ndryshme shkencëtarësh kanë studiuar gjëra të ndryshme. Për shembull, një grup i tyre ka krijuar një katalog të mbi 40 milionë gjeneve të planktoneve, të panjohura më parë. Një tjetër grup shkencëtarësh ka gjetur se shumica e ndërveprimeve të planktoneve ishin parazitare.

Të dhënat e mbledhura do të përdoren për të përcaktuar se cilët organizma janë më të adaptueshëm ndaj ndryshimit të kushteve të ujit.

Rezultatet e studimeve të para janë botuar në numrin e muajit maj të revistës shkencore Journal Science, e cila thotë se shumë analiza të tjera do të pasojnë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.