fbpx

Shekulli: Shqipëria, veto Maqedonisë

Kryeministri Edi Rama deklaroi dje se, kjo mund të ndodhë, vetëm pasi të zbatohet Marrëveshja e Ohrit. Gjatë fjalës së tij mbajtur në samitin për kundërvënien ndaj ekstremizmit të dhunshëm, kryeministri theksoi se nuk mund të ketë integrim evropian për Maqedoninë, pa respektuar të drejtat e shqiptarëve. Rama deklaroi më tej se i gjithë Ballkani është i kërcënuar nga ekstremizmi ndaj duhet bashkëpunim në rajon.

Deklarata

“Shqipëria, të gjithë ne duam një Maqedoni demokratike për të gjithë, që duhet të jetë pjesë e NATO-s, por që s’mund të bëjë pjesë në NATO, pa garantuar në frymë dhe në germë, vlerat dhe parimet që e bëjnë NATO-n, jo një klub ushtarak, por një aleancë të popujve dhe të vendeve demokratike në mbrojtje të paqes dhe të të drejtës së çdo populli për të jetuar i lirë dhe për të qenë i mbrojtur nga kërcënimi i jashtëzakonshëm i terrorizmit. Që do të thotë po ashtu, se Maqedonia nuk mund të bëjë pjesë në NATO, pa garantuar në frymë dhe në germë, Marrëveshjen e Vendosja e vetos së Shqipërisë ishte paralajmëruar nga kryeministri që në Samitin e Uellsit, mbajtur shtatorin e vitit të kaluar Ohrit.

Një Maqedoni ku liritë dhe të drejta e njeriut të përkojnë në frymë dhe në germë, me aspiratën e shpallur të Maqedonisë për të qenë pjesë e Bashkimit Europian dhe e NATO-s”, deklaroi dje Rama gjatë fjalës së tij në samitin rajonal kundër ekstremizmit të dhunshëm. Kryeministri, duke risjellë në vëmendje deklaratën e mbajtur në Samitin e Uellsit, 8 muaj më parë, ku ka shprehur mbështetjen për integrimin në NATO të të gjithë vendeve të Ballkanit, theksoi se edhe në konkluzionet e këtij Samiti nënvizohej zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit.

“Shqipëria në Samitin e NATO-s në Uells e ka mbështetur fuqimisht nevojën për të përfshirë sa më shpejt në procesin e integrimit në NATO të gjitha vendet e Ballkanit. Duke pasur parasysh specifikisht, Malin e Zi, për të cilin prej kohësh, ne kemi mbrojtur bindjen se është një vend që e ka vendin në NATO. Kosovën, padyshim që ne e shohim si pjesë të pandarë të këtij procesi.

Patjetër dhe Maqedoninë, për të cilën ne kemi mbajtur gjithmonë, një qëndrim të qartë dhe mbështetës, por ndaj të cilës kemi qenë gjithashtu të detyruar që edhe në Samitin e Uellsit të kërkojmë ashtu siç u vendos edhe në konkluzionet e Samitit, respektimin deri në fund të Marrëveshjes së Ohrit”, tha ai, ndërsa theksoi rolin e shqiptarëve në këtë shtet. Rama deklaroi se tragjedia e Kumanovës tregoi se me të padrejtë fjala “terrorizëm” dhe “shqiptar” u bënë bashkë.

“Do të ishte thjesht e pamundur që unë t’i shmangesha këtu, në këtë moment, dy fjalëve për Maqedoninë dhe për tragjedinë e Kumanovës, ku fatkeqësisht, fjala ‘terrorizëm’ dhe fjala ‘shqiptar’ u bënë bashkë, në një përpjekje të rrezikshme për t’i dhënë terrorizmit një prapashtesë etnike dhe etnisë një parashtesë paragjykuese. Kjo është e papranueshme, jo vetëm për ne, por për vetë interesin e Maqedonisë. Autoritetet maqedonase duhet ta kenë shumë të qartë, që shqiptarët kanë qenë, janë dhe mbeten një faktor shtetformues, i patjetërsueshëm, i pazëvendësueshëm, i padiskutueshëm për integritetin e shtetit maqedonas”, deklaroi ai.

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi më tej rëndësinë për bashkëpunimin në rajon për të luftuar terrorizmin, që është faktor shqetësues për gjithë shoqëritë. “Mbështetja e të gjithë liderëve të rajonit, në funksion të frenimit të këtij kërcënimi ka pasur një impakt pozitiv. E vërteta është se jemi të gjithë më pranë me Brukselin sesa me njëritjetrin dhe ky është problem i yni i përbashkët që duhet të vazhdojmë të punojmë. E shohim në jetën e përditshme se sa shumë kjo paqe është e kërcënuar nga kompleksiteti i botës ku jetojmë, nga kërcënimet që vijnë prej konflikteve që vazhdojnë pranë kufijve të Evropës, nga dhuna e terrorizmi që janë faktor shumë shqetësues për shoqëritë tona.

Në një botë ku çdo gjë nuk zhvillohet larg nesh”, u shpreh ai. Rama solli në vëmendje procesin e Berlinit, ku u vendos një gur themeli, siç e cilësoi kryeministri, i cili konfirmoi gatishmërinë jo thjesht të Gjermanisë, por të Komisionit Evropian në tërësi për të përshpejtuar integrimin e Ballkanit në Bashkimin Evropian. Po nga ana tjetër, në të njëjtën kohë ishte dhe thirrja e presidentit Obama, drejtuar vendeve të OKB-së për të bërë më shumë përpjekje për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm, që përbën një kërcënim edhe për rajonin tonë.

“Nëse Evropa sot përballet me sfida të mëdha ekonomike, politike, por besoj dhe kulturore, ku racizmi, nacionalizmi, ksenofobia po bëhen gjithmonë e më të zëshme, Ballkani ka mundësinë që kompleksitetin e vet në këtë drejtim ta kthejë në një atu shumë të fortë, për të bindur Bashkimin Evropian për një të vërtetë të thjeshtë. Nëse 10 vjet më parë ishte Ballkani që kishte nevojë alarmante për Evropën dhe Evropa mund të bënte edhe pa Ballkanin, sot kjo është e pamundur. Sot, Bashkimi Evropian ka nevojë për Ballkanin, sa çka nevojë Ballkani për Bashkimin Europian dhe ne së bashku duhet të bëjmë gjithçka, që nesër të mos jetë vonë”, përfundoi kreu i qeverisë shqiptare.

Rama pas samitit të Uellsit

Samiti i Uellsit dha sinjale inkurajuese edhe për përpjekjet e Maqedonisë drejt integrimit në Aleancë. U përsërit premtimi i bërë në Samitin e Bukureshtit, për ta ftuar këtë vend t’i bashkohet NATO-s, sapo disa kushte të jenë përmbushur. Duke e shprehur hapur dhe qartë interesin tonë për një Maqedoni demokratike, të stabilizuar, të sigurt dhe të integruar në NATO, ne u shprehëm pa asnjë ekuivok, se këto standarde të larta janë të mundshme vetëm kur ky vend t’i qaset seriozisht zbatimit të plotë Marrëveshjes së Ohrit, Marrëveshje e cila përbën truallin solid të bashkëjetesës dhe të prosperitetit të një shoqërie multietnike dhe multifetare, siç është ajo e Maqedonisë.

Dëshiroj ta theksoj se duke kërkuar që krahas çështjeve të tjera, çështjes së njohur që e mbajti peng dhe do të vazhdojë ta mbajë peng, procesin e integrimit të mëtejshëm të Maqedonisë, që është ajo e emrit në konfliktin e pazgjidhur me Greqinë dhe duke kërkuar që të përfshihet edhe çështja e pazgjidhur, sipas nesh, e Marrëveshjes së Ohrit, Shqipëria nuk synon ta vështirësojë rrugën e integrimit në NATO, të këtij vendi të rëndësishëm fqinj. Absolutisht jo, përkundrazi. Ne besojmë se vendosja e standardeve demokratike në marrëdhëniet me popullin shqiptar të Maqedonisë, përmes zbatimit rigoroz të marrëveshjes së Ohrit, do të krijojë kushtet për një të ardhme të qëndrueshme të Maqedonisë si një vend multietnik dhe multifertar, i integruar në bashkësinë Euroatlantike dhe përbën edhe një hap shumë të rëndësishëm në drejtimin që fola më parë, për të konsoliduar rajonin në raport me kanosjen e ekstremizmit islamik.

Sevall: Lufta ndaj ekstremizmit, sfidë për çdo vend

Nën-Sekretarja e Shtetit për Sigurinë Civile, Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut, Sarah Sevall, vlerëson angazhimin e Shqipërisë në luftën kundër ekstremizmit. Në një intervistë për TCH, ajo deklaroi se, Shqipëria po luan një rol udhëheqës, duke organizuar samitin rajonal kundër ekstremizmit të dhunshëm. “Jemi shumë të kënaqur me nismën që ka marrë Shqipëria dhe udhëheqësinë e saj në këtë diskutim shumë të rëndësishëm mbi mënyrën se si të trajtohen shkaqet në rrënjë, faktorët nxitës të ekstremizmit të dhunshëm dhe se si mund të bëhemi bashkë në nivel rajonal dhe global për ta trajtuar bashkërisht këtë kërcënim”, tha ajo.

Sa i përket rrezikut të ekstremizmit në Shqipëri dhe mënyrës se si vendi ynë duhet të reagojë, Sevall tha se kjo varet nga arsyet pse njerëzit i janë bashkuar ISIS-it. “Është e qartë që ka dallime nëse dikush largohet, sepse është joshur nga premtimet për kompensim ekonomik dhe nëse është larguar, sepse është joshur nga ideologjia dhe besimi fanatik. Pastaj, sigurisht, përvoja e këtyre luftëtarëve kur shkojnë jashtë shpesh është zhgënjimi”, deklaroi ajo. Lidhur me integrimin e Shqipërisë në BE, Nën-Sekretarja e Shtetit për Sigurinë Civile, Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut theksoi se SHBAtë janë në të njëjtën linjë me BEnë .Sevall, duke sjellë në vëmendje dhe zgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet vendore, paralajmëroi se ka shumë fusha ku duhen reforma.

“Ka edhe shumë fusha të tjera që kërkojnë reformë dhe vëmendje, që nga personat që nxirren si kandidatë në zgjedhjet vendore tek mënyra se si trajtohet korrupsioni në nivele të larta dhe nivele të ulëta. Kjo do të jetë një betejë afatgjatë, por ne e shohim këtë si hap të parë kritik dhe kemi shumë shpresë që qeveria shqiptare do të ballafaqohet me të këtë vit”, tha ajo duke ritheksuar trajtimin e çështjeve të korrupsionit te kandidatët në zgjedhje. “Është një sinjal shumë i rëndësishëm për qytetarët shqiptarë që të dinë se partitë kërkojnë që përfaqësuesit e tyre në gara zgjedhore të mos kenë të shkuar kriminale dhe të mos jenë të dyshuar për korrupsion. Ky është një hap i parë shumë i rëndësishëm që ne shpresojmë se mund të hidhet në të ardhmen e afërt”, përfundoi ajo.

Bushati-Steinmeier: Hetim i plotë për Kumanovën, Merkel në Tiranë

Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati dhe homologu i tij gjerman Frank-Valter Steinmeier, dënojnë situatën e krijuar në Maqedoni. Gjatë një takimi të zhvilluar mes tyre në Gjermani, ku kreu i diplomacisë shqiptare po kryen në vizitë pune, është theksuar se çdo akt dhune është i papranueshëm për një shoqëri demokratike që synon integrimin euro-atlantik. Të dy ministrat bënë thirrje për një investigim të plotë, transparent dhe profesional të ngjarjeve në Kumanovë, si e vetmja mundësi për të rikthyer besimin tek institucionet.

Ministri Steinmeier vlerësoi masat e marra në vend për adresimin e fenomenit të azil-kërkimit dhe inkurajoi për intensifikimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi mes institucioneve përkatëse. Gjatë vizitës në Gjermani, Bushati zhvilloi një takim edhe me këshilltarin e kancelares Merkel për Çështjet e Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë, Kristof Heusgen, si dhe zhvilloi një seancë dëgjimore në Komisionin e Çështjeve Evropiane të Bundestagut. Në këto takime është konfirmuar edhe vizita e kancelares Merkel në Tiranë, në muajin korrik.

Takimi në Strasburg, negocimi Gruevski- Zaev përfundon pa marrëveshje

Kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski dhe lideri i opozitës, Zoran Zaev, nuk kanë mundur të arrijnë një marrëveshje, as pas 10 orë bisedimesh në Strasburg. Burime pranë Parlamentit Evropian deklaruan se, bisedimet kanë zgjatur deri në orën 3.30 të mëngjesit dhe se ndërmjetësues të tyre ishin eurodeputetët Ivo Vajgl, Eduard Kukan dhe Richard Houitt, por edhe eurokomisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn. Por duket se as ndërhyrja e eurodeputetëve nuk ka ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje konkrete edhe pse është vlerësuar prej tyre si një hap pozitiv. Tre eurodeputetët kanë publikuar një deklaratë të përbashkët rreth bisedimeve, ku pohojnë se liderët e partive kanë pranuar të punojnë për një marrëveshje në interes të të gjithë qytetarëve të vendit dhe për të adresuar sfidat që dalin nga kriza në përputhje me standardet evropiane.

“Partitë e konfirmuan përcaktimin e tyre për integrimin në BE e parimet demokratike dhe u pajtuan se në vend të parë duhet të vendosin interesat e vendit. Deputetët dhe komisioneri Hahn e përshëndetën diskutimin e sinqertë rreth temave kyçe të mospajtimeve. Të gjitha palët u pajtuan se është e rëndësishme që takimet të vazhdojnë”, theksohet në deklaratën e përbashkët. Dy rivalët politikë kanë qëndrime tejet të kundërta për sa i përket zgjidhjes së krizës politike në Maqedoni. Zoran Zaev ngul këmbë për dorëheqjen e kryeministrit Gruevski, ndërkohë që ky i fundit, në këtë fazë, e ka kundërshtuar propozimin, duke thënë se gëzon mbështetjen dhe vullnetin e popullit dhe të votuesve.Pas një jave, bisedimet do të vazhdojnë në Shkup, me përfshirjen edhe të dy përfaqësuesve politikë shqiptarë, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi.

Lavrov: Maqedonia mund të ndahet mes Shqipërisë dhe Bullgarisë

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, i është rikthyer çështjes së Maqedonisë, duke thënë se ekziston rreziku i ndarjes së këtij shteti mes Shqipërisë dhe Maqedonisë. Sipas tij, trazirat në Maqedoni janë të orkestruara nga Perëndimi, me qëllim për të goditur qeverinë e Nikolla Gruevskit, pasi refuzoi të bashkohej me Perëndimin në sanksionet anti- Rusi. Në mbledhjen e së mërkurës të Këshillit të Federatës Ruse, Lavrov tha se, ngjarjet në Maqedoni janë të ngjashme me ato në Ukrainë, ku vihet re një përpjekje për ta rrëzuar qeverinë me një grusht shteti.

“Ngjarjet në Maqedoni janë të kontrolluara nga jashtë. Ata po përpiqen të akuzojnë qeverinë e Gruevskit se, ajo nuk ka përmbushur detyrimet për popullatën. Këto ngjarje lidhen me refuzimin e Maqedonisë për të mos u bashkuar me sanksionet anti-ruse, mbështetjen e saj për ‘Rrjedhën e Jugut’ dhe mbështetjen e planeve dhe alternativave të reja për dërgimin e karburantit, përfshirë këtu edhe ‘Turkish Stream’”, tha Lavrovi. Më tej, ai tha se në përpjekjet për destabilizimin e Maqedonisë po përdoret faktori shqiptar. “Shumë vite më parë ka pasur kontradikta serioze dhe më pas nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit në vitin 2001.

Tani ata janë duke folur për federalizmin e mëtejshëm të Maqedonisë dhe madje sugjerojnë ndarjen e vendit, duke ia dhënë gjysmën Shqipërisë dhe pjesën tjetër Bullgarisë”, tha Lavrov. Pas tij ka reaguar lideri i BDI-së, Ali Ahmeti i cili reagimin e Moskës e sheh si tentim të Rusisë të rrisë ndikimin në Maqedoni. “Moska nuk do të arrijë ta bëjë këtë, sepse është në kundërshtim me atë çka dëshirojnë shumica e qytetarëve në Maqedoni”, ka thënë Ahmeti