SHBA, Korrektesa politike, uzurpimi i kulturave dhe liria e fjalës

oya Hakakian e ka mësuar nga eksperienca se çfarë do të thotë të jesh e margjinalizuar, jashtë klasës apo grupimit kryesor të shoqërisë.

“E kuptoj jetën e komuniteteve periferike, pasi e kam jetuar atë jetë që nga fillimi e deri tani. Së pari si grua, gjatë kohës që jetoja në Iran, ku gratë trajtohen si qytetare të dorës së dytë. Po ashtu kam përjetuar edhe trajtimin si pjesëtare e komunitetit hebraik në atë vend. Kur erdha në Shtetet e Bashkuara, ndjeja trajtimin ndryshe si person i ardhur nga Irani,” tregon Roya.

Kjo poete dhe shkrimtare, e cila ka marrë shtetësinë amerikane, është tani një kritike e hapur e prirjes për të zëvendësuar e anuluar që tenton të zhdukë nga hapësira publike simbole apo elementë që përfaqësojnë trashëgimi kulturore që mund të shihen si negative nga komunitetet e marxhinalizuara.

Zakonisht kjo prirje shoqërohet me heqjen nga arena publike e një personi publik apo entiteti që të tjerët e shohin si figurë që ka bërë akte të dënueshme apo ofenduese.

Zonja Hakakian e konsideron këtë prirje si kërcënim për lirinë e shprehjes në një shoqëri demokratike.

“Kemi lejuar lulëzimin e mendimeve të ndryshme. Kemi vlerësuar rëndësinë që ka ekzistenca e mendimeve që mund të jenë të pakëndshme, por gjithsesi janë me vlerë për kulturën dhe shoqërinë tonë. Nëse e humbasim këtë traditë në emër të “zonave të sigurta” ku njerëzit të mos ndjehen të ofenduar, do të ishte tradhëti ndaj vlerave që e bënë Amerikën udhëheqëse në sipërmarrje dhe novacion,” thotë ajo.

Prirja për të anuluar apo zëvendësuar simbole e figura që shihen tani si jashtë vlerave morale të shoqërisë nuk është një tendencë e re, thotë Matt Schimkowitz, redaktor përgjegjës për faqen elektronike “Know Your Meme”, e cila ndjek prirjet në internet.

“Para internetit, nëse dikush thoshte diçka ofenduese në televizor, njerëzit shkruanin letra në adresë të rrjetit televiziv dhe thonin “Nuk do ta ndjek më kanalin tuaj”, “Nuk do të blej më artikujt e kësaj kompanie, nëse vazhdoni të reklamoni në këtë kanal”. Tani, me platforma si Twitter apo Facebook, po shkurtohet periudha e pritjes, eliminohet personi ndërmjetës. Tani dikush shkruan direkt dhe nxit reagim tek publiku,” thotë zoti Schimkowitz.

Disa nga ndryshimet që rezultojnë nga ky presion duket se janë të pakthyeshme. Figura publike si aktori komik Bill Cosby dhe producenti i fuqishëm i Hollivudit, Harvey Weinstein u “eliminuan” nga skena publike pasi u shpallën fajtorë për krime seksuale. Por humoristi Louis CK, e cili pohoi se kishte bërë akte seksuale ofenduese para kolegeve femra, është kthyer në skenë me një kontratë të majme, megjithëse fillimisht agjencia e tij përfaqësuese e anuloi kontratën.

Kohët e fundit, JK Rowling, autorja e serialit të suksesshëm të librave për fëmijë “Harry Potter”, u sulmua në internet për komente që ofendonin personat transgjinorë. Ajo ishte një ndër 153 artistë dhe intelektualë që nënshkruan një letër të hapur të botuar në revistën Harper’s me paralajmërimin se po krijohet një “kulturë e mungesës së tolerancës” dhe duke theksuar se “shkëmbimi i lirë i informacionit dhe ideve, forca ushqyese e një shoqërie të hapur, po ngushtohet e tkurret dita-ditës”.

“Zakonisht njerëzit që shqetësohen për këtë prirje janë në pozita të fuqishme, prandaj është vështirë të krijosh simpati për argumentet e tyre,” thotë zoti Schimkowitz, “sidomos kur shkruajnë për gjëra që janë të dhimbshme, apo ofenduese për shumë njerëz të tjerë”.

Dikush si shkrimtarja shume e njohur dhe shumë e suksesshme Rowling nuk dëmtohet nga reagimi negativ i publikut, por të tjerë nuk guxojnë të ngrenë zërin, sipas zonjës Hakakian, e cila ishte një ndër artistët që firmosi letrën e botuar nga revista Harper’s.

“Do të shohim se komunitetet shkencore e studimore nuk do të guxojnë të dalin me asgjë që i lë të hapur ndaj sulmeve. Udhëheqësit, figurat e larta do të nxjerrin rregullore kufizuese. Por liria është ajo që garanton lulëzimin e kërkimeve shkencore, studimeve, mendimit intelektual. Ka rëndësi të kuptojmë se qëndrimet e pakëndshme, ngacmuese ekzistojnë në shoqëri. Mënyra më e mirë për t’i zbutur ato, për t’iu kundërvënë atyre është përmes diskutimit të hapur,” thotë zonja Hakakian.

Edhe ish-presidenti Barak Obama u angazhua në këtë debat në një takim të nivelit të lartë vjet në tetor.

“Nëse besoni tek ideja e një diskutimi krejt të pastër, ku asgjë nuk të bie ndesh, ku në çdo moment je i vetëdijshëm dhe i kujdesshëm për korrektesën politike, largojeni menjëherë nga mendja këtë ide,” tha ai.

Në një artikull-opinion në revistën Time, shkrimtarja Sarah Hagi pohon se media sociale u jep mundësi personave dhe grupeve të periferive që të dëgjohen për herë të parë, duke ngritur zërin kundër argumenteve të klasave të privilegjuara me tone raciste, seksiste apo me paragjykime.

“Këto klasa të privilegjuara i tremben kësaj zhvendosjeje sociale, prandaj dalin me fraza si “kultura e anullimit/ e zëvendësimit” për të vënë në pikëpyetje legjitimitetin e këtyre kritikave”.

“Kritikët e kësaj prirjeje përpiqen t’u mbyllin gojën atyre që sulmojnë figura apo tradita polemizuese e ofenduese. A mund ta cilësojmë këtë si tendencë për të kufizuar lirinë e fjalës? Ka njerëz që janë viktimizuar nga kjo prirje. Por sa njerëz? Sa i madh ka qenë ndikimi? Vështirë të thuhet ndërkohë që lëvizja vazhdon. Ndoshta do ta analizojmë më mirë 10 vjet më pas kur të jemi në gjendje të identifikojmë ndikimin e kësaj lëvizjeje,” thotë zoti Schimkowitz.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.