Ballina / BOTA / SHBA, dorëhiqet Nikki Haley, ambasadore në OKB
Nikki Haley dhe donald trump

SHBA, dorëhiqet Nikki Haley, ambasadore në OKB

Ambasadorja e SHBA në OKB (Kombet e Bashkuara), Nikki Haley, po largohet nga posti.

“Ishte nder në jetën time,” tha zonja Haley, e ulur pranë Presidentit Donald Trump në Zyrën Ovale, ku ata njoftuan largimin e saj të pritshëm. “Do të largohem nga fundi i vitit,” tha ajo.

“Do të na mungoni,” i tha Presidenti Trump. “Keni bërë një punë fantastike.”

Duke falënderuar zonjën Haley për shërbimin e saj, Presidenti Trump e karakterizoi diplomaten si “shumë të veçantë për mua” dhe si dikë me të cilën ai bashkëpunoi dhe “zgjidhi shumë probleme”, duke përmendur, në veçanti, çështje si Irani dhe Koreja e Veriut.

“Shpresojmë që të ktheheni në një moment,” shtoi presidenti, duke thënë se ajo “mund të zgjedhë” vende të tjera pune në administratën e tij.

“Nuk kam vendosur asgjë se ku do të shkoj,” tha zonja Haley.

Ish guvernatorja e Karolinës së Jugut, Nikki Haley, ka qenë një zë relativisht i moderuar në kabinetin e zotit Trump.

Emërimi i saj si ambasadore në OKB u pa si diçka e papritur, pasi ajo shihej si kritike e stilit konfrontues ndaj kandidtit Trump gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016, si dhe një mbështetëse e tregjeve të lira dhe tregtisë globale, ndryshe nga parrulla “Amerika e para” e zotit Trump.

“Vendet e ndryshme mund të mos e pëlqejnë atë që ne bëjmë, por ata respektojnë atë që bëjmë”, tha zonja Haley të martën, duke mbyllur mandatin si emisare e Presidentit Trump në Kombet e Bashkuara.

I pyetur se cilin ka në mendje si pasardhës të zonjës Haley, Presidenti Trump u përgjigj: “Kemi një numër njerëzish, të cilët do të dëshironin shumë ta bënin këtë punë”, duke shtuar se zonja Haley “i kishte dhënë mjaft shkëlqim” pozitës së ambasadores.

Presidenti shtoi se “brenda dy ose tre javëve të ardhshme, ndoshta më shpejt” ai ka të ngjarë të njoftojë se kë do të propozojë për postin.

Zonja Haley iu përgjigj kohët e fundit një shkrimi anonim në gazetën New York Times nga një zyrtar i lartë i paidentifikuar i cili pretendonte të ishte pjesë e një “rezistence” brenda administratës Trump për të penguar disa elementë të axhendës së presidentit dhe “prirjet më të këqija” të tij.

Duke shkruar në gazetën Washington Post, ambasadorja Haley, thoshte se ka shërbyer me krenari në administratën Trump. “Unë mbështes me entuziazëm shumicën e vendimeve të tij dhe drejtimin ku ai po e çon vendin,” shkruante ajo.

Si ambasadore në organizatën botërore, zonja Haley pati përplasje me shefin e saj të parë në administratën Trump, Rex Tillerson, i cili u shkarkua nga presidenti në mars dhe u zëvendësua si sekretar i shtetit këtë vit për t’i hapur rrugë drejtorit të Agjencisë Qendrore të Zbulimit, Mike Pompeo.

“Nikki Haley ka qenë një zë i qartë, konstant dhe i fuqishëm për interesat e Amerikës dhe parimet demokratike në skenën botërore”, tha Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, duke reaguar menjëherë ndaj lajmit të largimit të ambasadores. “Ajo sfidonte për mirë si mikun ashtu edhe kundërshtarin. Jam i trishtuar që ajo po largohet nga administrata, por jam po aq mirënjohës për shërbimin e saj”, tha zoti Ryan.

Si guvernatore e Karolinës së Jugut, zonja Haley fitoi njohje në të gjithë vendin sidomos kur hoqi nga Kapitoli i këtij shteti flamurin e Konfederatës, një simbol i jugut humbës gjatë luftës civile amerikane në mes të shekullit të 19-të.

Haley, prindërit e të cilës emigruan nga India, është një nga gjashtë gratë në kabinetin e zotit Trump dhe shihet si një kandidate e mundshme presidenciale e Partisë Republikane në të ardhmen.

“Jo, nuk kandidoj për 2020-n,” u tha ajo gazetarëve, duke shtuar se do të bëjë fushatë për rizgjedhjen e zotit Trump në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

@Fluidi

Provo po ashtu

kossnet

Ambasadori Amerikan: Zyrtarët e korruptuar në burg

Ligjet e mira dhe procesi më transparent janë të rëndësishme, por nuk mjafton ti keni …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.