Ballina / Biznes / Karrierë / Shafrani pas shekujsh kthehet në Kosovë, a do të qëndrojë?

Shafrani pas shekujsh kthehet në Kosovë, a do të qëndrojë?

Njëri prej kultivuesve të suksesshëm të tij, Selami Hoti nga Krusha e Madhe, ndonëse erëzën më të shtrenjtë në botë e kultivon të klasit të parë, është skeptik: për ta eksportuar ende nuk kemi emër, ndërsa për konsum në vend duhet të ngrihet standardi jetësor dhe kultura e jetesës për përdorimin e tij

Dush Gashi

Shafrani. Kur e përmendim e mendojmë si një erëz ekzotike të lindjes; ajo madje është edhe më e shtrenjta në botë, pasi që një kilogram i saj arrin në mijëra euro. E vërteta është se, para disa shekujve, siç e kanë vërejtur edhe historianë të huaj, kjo bimë është kultivuar dhe përdorur edhe në Kosovë. Tash kultivimi i saj po rikthehet ndër ne.

Selami Hoti është njëri prej atyre të cilët i hynë kësaj aventure të ndërmarrësisë në agrokulturë. Krushës e Madhe, të njohur për perimtarinë e suksesshme, por edhe të hardhisë në pjesën e epërme të fshatit, pastaj për viktimat e shumta të luftës së fundit dhe për të vejat e saj, të cilat nuk u dorëzuan para vështirësive – ai i dha edhe një tipar të ri.

Familja e Selamiut, pos për prodhimin e perimeve, kishte edhe traditë ndërmarrësie. Gjyshi i tij që në fillim të shekullit njëzet kishte nja farkë, më vonë kishin edhe një mulli.

Fati i luftës kishte qenë i rëndë edhe për Selamiun. Dy nga shtatë vëllezërit e një motër, sa ishin, kanë rënë dëshmorë të luftës, ndërsa babanë e kanë të zhdukur. Këto rrethana të familjes së tij, si edhe të shumë të tjerave në fshat, kanë bërë që vetë Selamiu, i cili edhe është kryetar i Këshillit të fshatit, të jetë njëri ndër aktivistët më të vyer për ndriçimin e fatit të pagjeturve. Për këtë ka shkuar si përfaqësues i Kosovës edhe në Beograd, ShBA e Francë.

Periudha menjëherë pas lufte ishte për shumëçka e vështirë, ndërsa çmimi i perimeve, siç thotë Selamiu, kishte rënë “përtokë”. Pasi kishte punuar si përkthyes për nja dy vite në organizatat e jashtme të atëhershme, Selamiu gjendet në kërkim të një ndërmarrjeje të re. Pasi që një kushëri i tij i kishte hyrë kultivimit të shafranit, vendos edhe ai. Bulëzat ia siguron Agjencia për zhvillim ndërkombëtar e ShBA-së, USAID dhe ai tash ka të mbjellë një hektar, që për shafranin është sipërfaqe e madhe (në tërë Kosovën tash ka rreth dhjetë hektarë, sa ka edhe e tërë Zvicra). Tash së fundi edhe ministria e bujqësisë i ka dhënë një ndihmë.

Toka e kësaj ane, e cila, sipas Selamiut, përmban 100 elemente nga sistemi periodik i elemementeve, dhe mikroklima e veçantë – e mesme kontinentale e gërshetuar me rrymë mesdhetare – është e përshtatshme edhe për kultivimin e shafranit. Madje, analizat e bëra në laboratorë në Pejë, Marok e Francë, kanë treguar se shafrani i prodhuar në Krushë të Madhe është i klasit të parë.

Megjithatë, Selamiu është skeptik për vazhdimin e kultivimit të tij dhe mendon që t’i përkushtohet vetëm prodhimit të turshisë, gjë që e bën tash me më shumë sukses dhe atë për eksport. Ndonëse ia ka dalë që të eksportojë rreth 5 kg shafran, kryesisht nëpërmjet porosive dhe dërgesave individuale, ai pjesën më të madhe e plason në tregun vendor, me çmime jo adekuate për këtë mall, prej 10 eurosh për gram.

“Në botë është zor të bëjmë emër ndër shtetet e njohura prodhuese tradicionale të shafranit, ndërsa për konsum vendor do të duhet kohë që standardi jetësor dhe kultura e jetesës të ngrihen aq sa shafrani të jetë i kërkuar dhe të ketë çmimin e duhur në treg”, thotë ai.

Selamiu megjithatë është i bindur se zhvillimi i bujqësisë, ndonëse sipërfaqet e vogla të tokës janë faktor kufizues, është me perspektivë në këtë vend.

Shafrani lulëzon në vjeshtë

Shafrani është një bulëz që vjen nga familja Iridaceae. Është e pajisur me një bulëz barishtore shumëvjeçare të rrumbullakët e mbështjell nga një shtresë fijore. Lulet e saja ngjyrë vjollcë lulëzojnë prej muajit tetor deri në muajin nëntor. Nga një bulb i vetëm shumëzohen në shumë të tillë. Ato lindin prej një tubi të hollë e të gjatë, që fillon nga bulbi. Në brendësi të këtyre luleve gjenden tre mashkullor me ngjyrë të verdhë të çelët dhe tri stigmat që janë me një stile më të gjatë, të gjerë, të futur thellë dhe të kapura anash.

Gjethet janë të shumta (përafërsisht nga 6 deri ne 12 për një bulëz), shfaqen pas luleve, gjatë lulëzimit ose pas. Qëndrojnë të mbledhura në tufa, të ngritura deri në pranverë – periudhë në të cilën ato përfundojnë zhvillimin dhe shtrirjen. Vilen vetëm stigmat e lules, të cilat janë aromatike dhe me ngjyrë. Gjatë verës bima humb gjethet dhe mbetet vetëm bulbi.

Pse duhet të përdoret shafrani?

Melmesë mbretërore, Kleopatra bënte banjo me shafran për t’i dhënë shkëlqim lëkurës dhe ngritur epshet e saja, ndërsa Aleksandri i Madh pastronte plagët pas betejave!

Ngjyra e fortë, aroma dhe shija e ngrohtë shujtën e bëjnë edhe më mbretërore. Orizi, peshku, supa, çaji dhe çdo gjë tjetër janë shumë më të shijëshme me shafran.

Gjithashtu, shafrani ka shumë veti shëruese dhe është mbret i bimëve. Ja disa veti shëruese: është anti kancer, anti depresiv, anti stres; rregullon shtypjen e gjakut, kolesterolin dhe parandalon sëmundjet e zemrës; zbutë lëkurën dhe i jep shkëlqim e ngjyrë; në pëzierje me mjaltin përmirëson qarkullimin e gjakut dhe në periudha të dimrit i kthen shkëlqimin lëkurës së fytyrës; zbutë dhimbjet menstruale si dhe PMS (premenstrual syndrome). Këto zakonishtë paraqiten një apo dy javë para fillimit të ciklit menstrual; largon acne vulgaris.

Tek shtatzënat: – ndihmon tretjen, shmang kapsllëkun, gazrat dhe fryerjen e barkut; parandalon vjelljen dhe marramendjen; është anti spasmodik, qetësues natyral i dhimbjeve të nyjeve, dhimbjeve të barkut, relakson muskujt;
– lufton pagjaksinë, shafrani ka hekur dhe është esencial për formimin e rruazave të kuqe të gjakut, përdorimi i rregullt i tij e rrit hemoglobinën në gjak; niveli i lartë i antioksidantëve në shafran, potasiumi dhe crocetina mbrojnë nënën dhe beben nga sëmundjet e zemrës, sepse ulin kolesterolin dhe trigliceridet apo thënë shkurt mbajnë arterjet pastër, pa yndyrë; zbut dhimbjet e mishrave të dhëmbëve tek shtatzënat etj. (Nga: Saffron Krusha në Fb)

Provo po ashtu

ministrja e Tregtisë Ruhsar Pekcan

Turqia mund të humbë deri në 3 miliardë dollarë me Brexit -in pa MV

Turqia mund të pësojë humbje tregtare me Britaninë me vlerë deri në 3 miliardë dollarë …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.