kuvendi

Sfidë për legjislaturën e re-vota e dyfishtë

Jo rrallë herë Kuvendi i Kosovës gjatë punimeve është sfiduar nga vota e dyfishtë, e pakicës, ku kjo së fundmi është shfaqur edhe me bllokimin e votimit për shndërrimin e FSK në Forca të Armatosura të vendit.

Ende mbetet sfidë, që edhe legjislatura e ardhshme të përballet më këtë çështje, sepse kjo, është njëra ndër shtyllat më të forta të pakos Ahtisaari mbi të cilën është hartuar edhe Kushtetuta, ku edhe procedurat për ndryshimin e Kushtetutës janë të vështira, për shkak se ligji i përgjithshëm i Kosovës, nuk parasheh largimin e njëanshëm të votës së dyfishtë.

Njëri ndër hartuesit e Kushtetutës,  Arsim Bajrami nga Partia Demokratike e Kosovës, ka deklaruar se votimi i dyfishtë është një nga shtyllat më të fuqishme të pakos Ahtisaari, dhe cilido sfidim i kësaj shumice duhet të bëhet me procedura kushtetuese.

“Legjislatura e re do të ballafaqohet me problemin  e shumicës e dyfishtë dhe nëse ka një vullnet politik për ta mënjanuar si instrument i bllokimit atëherë kjo duhet të bëhet në koordinim jo në mënyrë antikushtetuese, sepse ndryshimi i Kushtetutës bëhet vetëm, me procedurën të cilën e ka paraparë Kushtetuta”, ka thënë Bajrami, duke shtuar se nuk ekziston mundësia që njëanshëm të hiqet shumica e dyfishtë.

Por sipas tij, ajo mund të relativizohet apo të zbutet vetëm mbi bazën e një votimi të 2/3 të shumicës së deputetëve, por gjithmonë me 2/3 e pakicës kur është në pyetje Kushtetuta.

Ndërkaq, Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk përjashton mundësinë që në të ardhmen kjo të ndryshohet për të mirën e vendit dhe të të gjitha komuniteteve në përgjithësi.

Ai ka thënë se shteti jonë është krijuar mbi bazën e një marrëveshjeje ndërkombëtare e cila e ka emrin pako e Ahtisarit, por kjo nuk është e lehtë dhe jemi të vetëdijshëm që në të ardhmen e afërt, duhet të konsiderohet si diçka e cila duhet ti hyjë një procesi të ndryshimit, për shumë arsye.

“E para: Kosova nuk është në gjendjen e viteve të pasluftës, e dyta ; institucionet janë të krijuara me të gjithë mekanizmat e saja dhe të drejtat e minoriteteve janë prej standardeve më të mira ndërkombëtare  dhe si temë tjetër është që duhet eliminimi i dyfishtë do të shkojë në të mirë të vendit dhe në të mirë të komuniteteve dhe në të mirë të qytetarëve në përgjithësi”, ka thënë Zemaj.

Por ,për Myzejene Selamnin nga Aleanca për Kosovë të Re çdo ndryshim i rëndësishme varet nga marrëveshja paraprake politike, sepse sipas saj, aty ka mundësi të plotësohet apo ndryshohet, por prapëseprapë ajo shkon me marrëveshje politike në mes të gjithë partive politike që janë në Kuvend të Kosovës.

“Nuk guxojmë të luajmë ashtu për arsye që ne po mundohemi që ti integrojmë të gjithë serbët  dhe të gjitha minoritetet në institucione dhe marrëveshja me Serbinë është bërë që edhe pjesa veriore të integrohet”, ka theksuar Selmani.

Në anën tjetër, Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka deklaruar se secili vend përcakton mundësinë e ndërrimit të Kushtetutës, edhe pse kjo, sipas tij,  është procedurë e vështirë në rrethanat e Kosovës.

“Kushtetuta e përcakton saktë se cilat janë mënyrat për tu ndërruar ajo, sepse Kushtetuta e përcaktojnë kështu njëjtë. Për tu ndërruar jo prapë duhet të përdorën 2/3 e dyfishta”, ka thënë Gjini.

Në anën tjetër, Visar Ymeri nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë se vota e dyfishtë i ka bërë shumë dëme Kuvendit të Kosovës prandaj, sipas tij, Kushtetuta duhet të ndërrohet.

“Kushtetuta e Kosovës po shihet për çdo ditë me disa prej neneve dhe mekanizmave që i ka nga plani i Ahtisarit, do të jetë pengese e vazhdueshme e funksionalizimit të Kosovës, prandaj edhe duhet të ndryshohet. VV e ka edhe në alternativën e vet të Qeverisë, dhe insiston që Kushtetuta e Republikës së Kosovës duhet të jetë Kushtetutë që garanton këtë barazinë e qytetarëve edhe karshi votës edhe karshi institucioneve”, ka thënë Ymeri, duke shtuar se në praktikë, vota e dyfishtë e la Kosovën edhe pa Forca të Armatosura.

Ndryshe, minoritete në Kuvendin e Kosovës, kanë kushtëzuar formimin e Forcave të Armatosura duke kërkuar vazhdimin e mandatit të vendeve të rezervuara. Infoglobi /Lumturie.BEKA

@InfoGLOBI

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.