Sfidat e Pentagonit për vitin 2017

Nga Afganistani në Siri, administrata e ardhshme e presidentit të sapozgjedhur Donald Trump do të përballet me shumë sfida ushtarake në vitin 2017, por jo të gjitha problemet e saj do të vijnë nga jashtë.

Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë të angazhuara në luftërat kundër ekstremistëve islamikë në Afganistan dhe militantëve të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri.

Lufta taktike kundër militantëve të Shtetit Islamik është duke përparuar me ngadalësi, por ende është e paqartë se si do të angazhohet administrata e ardhshme e zotit Trump në zgjidhjen e krizës siriane.

Michael O’Hanlon është me Institutin “Brookings”

“Në Siri ne në të vërtetë nuk kemi strategji për t’i dhënë fund luftës civile. Zoti Trump ka lënë të kuptohet se mund të jetë i gatshëm të lejojë presidentin Assad të fitoj luftën, por unë nuk jam i sigurt se kjo është një zgjidhje praktike sepse Assad i ka duart e lyera me gjak. “

Lufta në Afganistan është në vitin e pesëmbëdhjetë. Numri i trupave ndërkombëtare është zvogëluar nga rreth 140 mijë në vitin 2011 në më pak se 15 mijë trupa, dhe ekspert i mbrojtjes Michael O’Hanlon thotë se ekipi i ri amerikan i mbrojtjes mund të shqyrtojë mundësinë erritjes së përkohshme të numrit të trupave ndërkombëtare në Afganistan.

“Nuk ka asnjë arsye që të mos angazhohemi pak më shumë në qoftë se një gjë e tillë do të ndihmonte në lehtësimin e presionit nën të cilin ndodhet ushtria dhe policia afgane. Kjo do t’u jepte atyre pak më shumë kohë për të konsoliduar radhët e tyre pas humbjeve të mëdha që ata kanë përjetuar.”

Por ndërkohë që Shtetet e Bashkuara po luftojnë ekstremizmin në të gjithë globin, fuqitë e mëdha si Rusia dhe Kina po modernizojnë forcat e tyre ushtarake.

Analisti David Ochmanek është me Korporatën “Rand”

“Për shkak të angazhimit tonë në operacionet kundër ISIS-it, në stabilizimin e Afganistanit dhe Irakut, dhe për shkak të kufizimeve buxhetore të vendosura në vitin 2012, ne nuk kemi qenë në gjendje të blejmë pajisje moderne për t’iu kundërvënë aftësive të reja të vendeve si Rusia dhe Kina. “

Në fjalimet e tij politike, Presidenti i zgjedhur Trump ka premtuar fuqizimin e ushtrisë.

“Ne kemi njerëzit më të kualifikuar në botë në ushtrinë tonë. Ne do ta rindërtojmë ushtrinë tonë të varfëruar, dhe më në fund do të kujdesemi për veteranët e ushtrisë sonë.”

Analisti i çëshjeve të mbrojtjes, David Ochmanek thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të shpenzojnë më shumë në përmirësimin e teknologjisë së raketave “kruz” dhe raketave ajër-ajër, sepse ai thotë se këto armë mund t’i japin forcave të armatosura më shumë avantazh në parandalimin e kërcënimeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.