fbpx

Selimi deklarohet i pafajshëm

Ish-shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi po bën paraqitjen e parë pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, të cilat i kanë konfirmuar një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Selimi u deklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

“Unë deklarohem i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës”, tha Selimi.

Selimi gjatë një fjale të mbajtur gjatë kësaj paraqitjeje tha se aktakuza ndaj tij “është e padrejtë”.

“Ishte një aktakuzë e rëndë, voluminoze, por mbi të gjitha shumë e padrejtë”, tha Selimi, duke shtuar se kjo aktakuzë nuk është e padrejtë vetëm ndaj tij, por edhe ndaj popullit të Kosovës.

Sipas Selimit, tha se në fund të këtij procesi do të binden të gjithë se “as unë e as UÇK-në nuk kemi të bëjmë asgjë me krime dhe as me ndërmarrje të përbashkët kriminale, siç cilësohemi në këtë aktakuzë”.

“Unë jam veç një çlimitar që luftën e kam nisur me komandantin legjendar Adem Jasharin dhe e kemi përfunduar me gjeneralin (Wesley) Clark, me NATO-n”, tha Selimi.

Selimi tha se shpreson që ky proces gjyqësor të ketë për qëllim sjelljen e drejtësisë dhe së vërtetës.

Avokati Robert Kaarls, që përfaqësoi Selimin në këtë paraqitje, tha se në ditët në vijim do të bëjnë kërkesë për lirimin e përkohshëm duke argumentuar se nuk ka indikacione se Selimi paraqet rrezik të arratisjes.

“Dua të theksoj se klienti im ka bashkëpunuar edhe më herët (v.j. Dhomat e Specializuara). Javën që kaloi ai u kontaktua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe ai u dorëzua vetë. Këto janë indikacione se nuk ka rrezik të arratisjes. Nuk ka asnjë indikacion që do të ndikojë te dëshmitarët ose do të asgjësojë provat”, tha Kaarls.

Avokati i Selimit pritet të jetë David Young, por ai për shkak të pandemisë së koronavirusit, nuk qe i pranishëm në këtë paraqitje.

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou propozoi që më 18 nëntor të mbahet konferenca statusore, por pala mbrojtëse argumentoi se një gjë e tillë të mbahet sa më vonë gjatë këtij muaji, pasi siç tha avokati Kaarls, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka pasur kohë të përgatitet, ndërkaq mbrojtja jo.

Më 4 nëntor, Selimi, që gjatë luftës ka qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, njoftoi për konfirmimin e aktakuzës dhe u transferua në qendrën e paraburgimit në Hagë më 5 nëntor.

Sipas aktakuzës, Selimi dyshohet për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte, ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit, 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.

Sekretari i Gjykatës lexoi dhejtë pikat e aktakuzës dhe tha se ekziston dyshimi i bazuar se Selimi mban përgjegjësi penale për kryerjen e këtyre krimeve.

Selimi ka një aktakuzë të përbashkët me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, ish-kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselin dhe ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqin. Ata po ashtu gjenden në paraburgim në Hagë.

Thaçi, Veseli dhe Krasniqi, gjatë paraqitjeve të tyre të para pranë Dhomave të Specializuara më herët gjatë kësaj jave, janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave që rëndojnë ndaj tyre.

Dhomat e Specializuara konfirmuan aktakuzën ndaj Selimit, Thaçit, Veselit e Krasniqit më 26 tetor, por ajo u bë publike më 5 nëntor.

Sipas aktakuzës, krimet dyshohet se janë kryer “nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime”.

Dhomat e Specializuara pretendojnë se për këto krime, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale si individë në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për krimet e paraqitura në aktakuzë.

Aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit
Në aktakuzën e konfirmuar pretendohet se nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtar të tjerë të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

Kundërshtarët, sipas aktakuzës, ishin njerëz që u perceptuan se kanë “bashkëpunuar me forcat e ish-Republikës Jugosllave, me zyrtarët apo institucionet shtetërore ose nuk mbështesnin qëllimet e UÇK-së, përfshirë personat e lidhur me LDK-në dhe persona të etnisë serbe, rome dhe etnive tjera”.

Aktakuza pretendon se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi “kanë pasur synimin e njëjtë për kryerjen e të gjitha krimeve që janë në këtë aktakuzë, së bashku me anëtarë të tjerë të ndërmarrjes së përbashkët kriminale”.

Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, personalisht kanë marrë pjesë në “kërcënime, marrje në pyetje, keqtrajtimin dhe ndalimin e kundërshtarëve”.

Në aktakuzë thuhet se ka pasur qendra të ndalimit në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, etj.

Po ashtu përmendet edhe një rast, ku pretendohet se ka pasur një qendër të ndalimit në afërsi të Kleçkës, ku thuhet se Veseli, Selmi dhe Krasniqi “ishin të përshirë në aspekte të ndryshme të transferimit, ndalimit apo dhe lirimit të të ndaluarve, që mbaheshin në një qendër ndalimi afër Kleçkës”.

Ellis: Gjykata Speciale në sprovë nga aktakuzat

Dhomat e Specializuara po ashtu kanë konfirmuar një aktakuzë për krime lufte ndaj ish-eprorit të UÇK-së, Sali Mustafës. Ai është deklaruar i pafajshëm ndaj veprave që rëndojnë ndaj tij.

Në qendrën e paraburgimit në Hagë, si të dyshuar gjenden edhe dy udhëheqës të organizatës së veteranëve të UÇK-së: Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj. Ata dyshohen për pengim të drejtësisë, frikësim të dëshmitarëve dhe vepra të tjera që kanë të bëjnë me bërjen publike të disa dokumenteve sekrete të Gjykatës.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

LEXO EDHE:

Përfundon seanca në Hagë, Veseli vetëdeklarohet i pafajshëm

Thaçi hedh poshtë të gjitha akuzat

Krasniqi: Me SHBA, BE, NATO e OKB ishim e jemi ndërmarrje e përbashkët çlirimtare

Gjykata Speciale e Hagës, Jakup Krasniqi paraqitet në sallë

Krasniqi e Thaçi sot shfaqen para gjygjtarit në Hagë

Teksti i aktakuzës kundër Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit (dokument)

Harta më poshtë shpalon lokacionet e varrezave masive ku besohet se u fshehën trupat e shqiptarëve të vrarë në Kosovë nga forcat e Serbisë të drejtuara nga Sllobodan Millosheviqi gjatë luftës 1998-1999.

@InfoGlobi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.